schema:text
| - Video që rrejshëm i prezanton dy personat me uniformë si pjesëtarë të FSK-së
Deklarata
“Proud FSK, Ready FSK”
Vlerësimi
Me kos
Personat e uniformuar që shihen në dy videot e publikuara nga faqja “Al Press” nuk janë pjesëtarë të Ushtrisë së Kosovës. Uniforma e dy personave që shihen në video nuk është e njëjtë me ato që i ka Forca e Sigurisë së Kosovës. Liridona Gashi, zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes, ka konfirmuar se personat që shihen në materiale nuk janë pjesëtarë të FSK-së.
Artikulli
Më 05.09.2024 faqja në Facebook “Al-Press” ka publikuar dy video në të cilat pretendohet se janë ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Në videon e parë shihet një person me uniformë ushtarake dhe me emblemë të FSK-së dhe e njëjta është publikuar (arkiva & arkiva) me përshkrimin “Proud FSK, Ready FSK”.
Në videon tjetër (arkiva & arkiva) shihet po ashtu një person me uniformë ushtarake dhe ka të vendosur një emblemë të Ushtrisë së Kosovës dhe e njëjta video është publikuar me mbishkrimin “UÇK -Kosovė …”.
Meqë të dy personat kanë të veshur uniforma ushtarake dhe kanë të vendosur simbolet e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Krypometër ka kontaktuar me Ministrinë e Mbrojtjes në Kosovë.
Liridona Gashi, zëdhënëse e Ministrisë së Mbrojtjes, ka konfirmuar se personat që shihen në materiale nuk janë pjesëtarë të FSK-së.
“Jo, këta nuk janë pjesëtarë të FSK-së”- ka thënë Gashi për Krypometër.
Krypometër gjithashtu ka analizuar uniformat e personazheve që janë në këtë video, dhe në bazë të të dhënave publike, rezulton që ato nuk janë të njëjta me uniformat e FSK-së.
Forca e Sigurisë së Kosovës mbron sovranitetin dhe integritetin territorial, qytetarët, pronën dhe interesat e Republikës së Kosovës. FSK-ja është forcë ushtarake multietnike, profesionale, e armatosur dhe e autorizuar për të shërbyer në vend dhe jashtë vendit, në pajtim me kompetencat e dhëna kushtetuese dhe ligjore.
Kuvendi i Republikës së Kosovës më 14.12.2018 bëri historinë duke e transformuar Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtri të vendit duke ndryshuar tri ligje: Ligjin për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligjin për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Ligjin për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Faqja ‘Al Press’ në një rast e kishte publikuar një video, në të cilën shihet një person i uniformuar dhe të njëjtin e kishte prezantuar si “Ushtari i FSK-se me stemmen e UÇK-së në krahë”. Krypometër kishte gjetur se personi që shihet në fotografi nuk kishte armatim të vërtetë në duar dhe nuk ishte fare në Kosovë.
Krypometër kishte gjetur se videoja origjinale fillimisht ishte publikuar në rrjetin social TikTok më 25.08.2024, nga llogaria Callmermal. Krypometër ka arritur të marrë një përgjigje nga profili Callmermal që e ka publikuar fillimisht këtë video, i cili ka thënë se armët janë të rreme dhe se ai nuk është pjesëtar i FSK-së.
Ai kishte sqaruar se armët janë pjesë e lojës Airsoft, një sport unik ekipor që përfshin përdorimin e kopjeve të armëve të zjarrit.
|