schema:text
| - Fotografia e fabrikuar për përmendoren e Kurtit në Manastirin e Deçanit
Deklarata
Permendorja e Krye tradhetarit Kurtoviq
Vlerësimi
Rrenë
Fotografia që shfaqë përmendoren e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në oborrin e Manastirit të Deçanit është e manipuluar. Në fotografinë reale të bërë në oborrin e Manastirit nuk është përmendorja e Kryeministrit Kurti. Nga Manastiri i Deçanit kanë thënë se nuk kanë përmendore të tillë në manastir. Kjo fotografi e manipuluar është shpërndarë me mbishkrmin “Permendorja e Krye tradhetarit Kurtoviq” në kohën kur Qeveria e Kosovës ka vendosur që të kërkojë nga Agjencia Kadastrale që të regjistrojë disa prona në emër të Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Artikulli
Më 14.03.2024, faqja e Facebook-ut Komente Politike ka publikuar një fotografi në të cilën shihet përmendorja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e është vendosur në oborrin e Manastirit të Deçanit. Kjo fotografi është publikuar në grupet #ME LDK-NË RUGOVIANE (arkiva) dhe Diaspora me PDK (arkiva) me mbishkrimin “Permendorja e Krye tradhetarit Kurtoviq”.
Krypometër, përmes instrumentit të kërkimit të imazheve “TinEye” (arkiva), ka gjetur se fotografia e publikuar nga faqja ‘Komente Politike’ për herë të parë është publikuar në vitin 2021 dhe në të nuk është përmendorja e Kryeministrit Albin Kurti.
Krypometër ka kontaktuar me Manastirin e Deçanit, të cilët kanë thënë se në ambientet e tyre nuk ka një përmendore të tillë, përveç atyre të natyrës fetare.
“Natyrisht se fotografia me statujën e zotëri Kurti është e sajuar, pasi në manastirin e Visoki Deçanit nuk ka statuja të asnjë personi, përveç basrelieveve të natyrës fetare në kishën e shekullit të 14-të”- thuhet në përgjigjen e Manastirit për Krypometër.
Përmes kërkimeve në internet, Krypometër ka gjetur se përmendorja e Kurtit në fakt është vendosur në oborrin e shtëpisë së një mërgimtari në fshatin Peran të Podujevës. Ajo ishte shpalosur më 14.02.2024, në tre vjetorin e Qeverisë Kurti 2.
Këtë iniciativë, mërgimtari Sabahudin Uka, pati thënë se e ndërmori për dashurinë e madhe që ka për kryeministrin Kurti.
“Tash po duket që është shtet, që po funksionon diçka. Ne mërgimtarët jemi shumë të ndjeshëm. Edhe pse po na qeshin nëpër media, jemi shumë të ndjeshëm. Ma merr mendja që 90 për qind e mërgimtarëve kanë qejf me u kthye këtu. Janë mësu me kushte më të mira atje. E, tani s’mund të kthehen këtu. Veç pak me u ndreq këtu, krejt kthehen. Unë për vete këqyri me u kthy. Edhe një vit jam këtu. Për momentin 20 vjet jetoj në Spanjë. Kam jetu edhe në Gjermani”- ka thënë Uka për Telegrafin.
Mërgimtari kishte deklaruar se këtë përmendore do ta mbajë në oborr dhe se nuk pranon që ta zhvendosë diku tjetër.
Fotografia e manipuluar që shfaqë përmendoren e Kryeministrit Albin Kurti në oborrin e Manastirit të Deçanit është bërë në kohën kur Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim përmes të cilit e ka urdhëruar Agjencinë Kadastrale të regjistrojë disa prona në emër të Manastirit të Deçanit në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Sot i kemi thënë Agjencionit Kadastral të Kosovës që ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese kurse ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zonja Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese për këtë çështje Këshillit të Europës”- kishte deklaruar Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë, më 13.03.2024.
Sa ishte në opozitë, Lëvizja Vetëvendsoje në vazhdimësi ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili parashihte bartjen e pronësisë së parcelës prej 24 hektarëve tokë për Manastirin e Deçanit. Kryeministri Kurti në mbledhjen e Qeverisë kishte deklaruar se nuk pajtohet me vendimin e Gjykatës Kushtetuese por kishte thënë se kanë vendosur ta zbatojnë atë për të respektuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Lëndën në Kushtetuese e kishte çuar Manastiri i Deçanit përmes kryemurgut Dragutin (Sava) Janjiq. Gjykata Kushtetuese me vendimin e datës 20.05.2016 vendosi në favor të Manastirit të Deçanit.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte marrë nga nëntë gjyqtarë: Robert Carolan, Almiro Rodrigues, Snezhana Botusharova, Arta Rama Hajrizi, Bekim Sejdiu, Selvete Gërxhaliu Krasniqi dhe Gresa Caka Nimani, Ivan Cukaloviq dhe Altay Suroy. Gjyqtari Bekim Sejdiu ishte i vetmi që votoi kundër pranimit të trajtimit të rastit nga Gjykata Kushtetuese.
Me këtë vendim, Kushtetuesja i konstatoi si të pavlefshme vendimet e Kolegjit të Ankesave të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme kurse vendimet e Kolegjit të Specializuar për Pronësi, që lidhen me Agjencinë Kosovare të Privatizimit i ka konsideruar përfundimtare dhe të detyrueshme.
Pas këtij vendimi, 8 vjet nga marrja e këtij aktgjykimi, Komuna e Deçanit nuk e ekzekutoi atë duke mos regjistruar 24 hektarët në kadastër. Pas refuzimit të komunës së Deçanit për të regjistruar pronën, Agjencia Kadastrale ka kompetenca që të zbatojnë vendimin e Gjykatës dhe të bartë pronësinë tek Manastiri i Deçanit.
|