schema:text
| - Rrena se “Renea” ka dalë në vendin e parë në garat e policive në Dubai
Deklarata
Renea special force Albania ne vend te pare nder 50 forca speciale botërore
Vlerësimi
Rrenë
Mbishkrimi “Renea special force Albania ne vend te pare nder 50 forca speciale botërore” i vendosur në një video është i rremë. Në video shihen pjesëtarë të njësisë “Renea” të Policisë së Shqipërisë duke garuar në garat e policive që u mbajt në Dubai. Sipas të dhënave zyrtare të garës “UAE SWAT Challenge”, “Renea” nuk ka dalë e para por është renditur në vendin e 36-të. E para në këto gara ka dalë Policia A e Dubait. Profili që e ka publikuar këtë video me këtë përshkrim, rrejshëm paraqitet si profil i gazetarit nga Shqipëria, Artan Hoxha.
Artikulli
Më 02.02.2024 në një profil në TikTok me emrin “artanhoxha777- gazetar” është publikuar një video dyminutëshe, në të cilën pretendohet se Njësia Speciale “Renea” e Policisë së Shtetit të Shqipërisë ka dalë në vendin e parë në garat e policëve që u mbajtën në Dubai në vitin 2024 (Arkivi).
“Renea special force Albania ne vend te pare nder 50 forca speciale botërore”- thuhet në mbishkrimin e kësaj videoje.
Për të verifikuar këtë postim, Krypometër fillimisht ka kontaktuar me gazetarin Artan Hoxha për të verifikuar nëse llogaria që e ka postuar këtë video menaxhohet nga ai. Hoxha është një gazetar i njohur nga Shqipëria që kryesisht merret me raportimet për krimin e organizuar. Artan Hoxha, për Krypometër, ka thënë se faqja në TikTok ‘artanhoxha777’ nuk është faqja e tij zyrtare dhe nuk menaxhohet nga ai.
“Profili nuk është i imi, mesa duket është krijuar nga dikush që merr videot e mia nga televizionet ose Facebook dhe i publikon aty”- tha Hoxha për Krypometër.
Ai po ashtu është pyetur nëse ka deklaruar se RENEA është në vend të parë. Hoxha ka thënë se nuk ka deklaruar ndonjëherë që ekipi i Policisë së Shtetit ka dalë i pari në garat që janë mbajtur në Dubai dhe se nuk e ka përcjellë shumë si ngjarje.
“Jo nuk kam dhënë një deklaratë të tillë, nuk e kam përcjellë shumë si ngjarje”- tha Hoxha.
Krypometri ka verifikuar këtë informatë duke kontrolluar të dhënat zyrtare të garës “UAE SWAT Challenge”, të publikuara në faqen zyrtare.
Të dhënat e publikuara në UEA SWAT Challenge (SWAT – Special Weapons and Tactics, shqip: Armë dhe Taktika Speciale) tregojnë se në garat që janë mbajtur nga 03.02.2024 deri më 07.02.2024, 35 ekipe policore të shteteve të ndryshme kanë marrë më shumë pikë dhe janë renditur më lartë se “Renea” e Policisë së Shtetit të Shqipërisë. Në vendin e parë është renditur “Policia A” e Dubait, në vendin e dytë “Policia B” e Dubait ndërsa në vendin e tretë ka dalë Policia e Kazakistanit.
Sipas të dhënave të “UAE SWAT Challenge, njësia “Renea” është renditur në vendin e 36-të me gjithsej 173 pikë (Arkivi). Pas “Reneas” janë renditur 37 njësi të tjera të policive të vendeve që kanë marrë pjesë në këtë garë.
Krypometri po ashtu ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Gent Mullai, i cili ka treguar se cili ka qenë rezultati i forcave speciale të Policisë së Shqipërisë në garat “UAE SWAT Challenge”.
Ai tha se në tërësi “Renea” ishte shumë mirë.
“‘Renea’ ka marrë cerfitikatën për paraqitje dinjitoze taktikisht dhe po ashtu ftesë për pjesëmarrje që tani për vitin tjetër”- tha Mullai.
“UEA SWAT Challenge” është mbajtur në Dubai dhe mikpritës ka qenë Policia e Dubait. Sipas të dhënave, objektivi i kësaj gare është që të nxisë një shkëmbim të teknikave dhe aftësive taktike midis ekipeve ndërkombëtare të garës SWAT, duke theksuar mprehtësinë mendore dhe qëndrueshmërinë fizike.
Gara përbëhet nga pesë kategori, duke testuar ekipet globale në skenarë të ndryshëm taktik brenda mjedisit të klasit botëror të objektit të trajnimit Dubai SWAT.
Gara ofron një platformë unike për shfaqjen e aftësive të profesionistëve elitë të policisë dhe inkurajon bashkëpunimin, shkëmbimin e ideve dhe respektin e ndërsjellë në komunitetin e zbatimit të ligjit.
Sfida SWAT synon të përmirësojë praktikat globale të zbatimit të ligjit duke promovuar bashkëpunimin dhe ndarjen e praktikave më të mira midis ekipeve SWAT në mbarë botën.
|