schema:text
| - Informacioni i rremë për kohën e themelimit të 10 komunave me shumicë serbe
Deklarata
Në vitin 2006 me ket anglishte u formuan 10 komuna serbe
Vlerësimi
Me kos
Është i rremë mbishkrimi “Në vitin 2006 me ket anglishte u formuan 10 komuna serbe“ që është vendosur në videon në të cilën shihet duke folur ish-udhëheqësi i negociatave për decentralizim, Lutfi Haziri. Nuk janë themeluar 10 komuna me shumicë serbe pas vitit 2006. Në Ligjin për Kufinjtë Administrativ të Komunave, i cili ishte miratuar në vitin 2008, ishte paraparë formimi i 10 komunave të reja, mirëpo katër prej të cilave ishin me shumicë shqiptare. Bazuar në Ligjin për Kufinjtë Administrativ të Komunave dhe Pakon e Ahtisaarit, pas vitit 2008 janë themeluar gjashtë komuna me shumicë serbe: Graçanica, Novobërda, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti dhe Mitrovica e Veriut. Edhe pse në Ligjin për Kufinjtë Administrativ të Komunave dhe në Planin e Ahtisaarit është paraparë formimi i Komunës së Novobërdës, Krypometër ka gjetur se kjo komunë ka qenë funksionale edhe më herët, pasi në vitin 2000 në zgjedhjet e para lokale ishte votuar edhe për zgjedhjet e Asamblesë së kësaj komune.
Artikulli
Më 30.08.2024, një profil në Facebook ka publikuar një video (arkiva 1 dhe 2) në të cilën shihet nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri duke folur në gjuhën angleze.
Kjo video është publikuar me mbishkrimin “Në vitin 2006 me ket anglishte u formuan 10 komuna serbe“.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër fillimisht ka shfletuar ligjin për kufinjtë Administrativ të Komunave, Pakon e Ahtisaarit si dhe statutet e komunave të reja që janë formuar pas vitit 2006.
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe rezultatet e zgjedhjeve të fundit lokale, janë gjithsej dhjetë komuna në Kosovë që janë të banuara me shumicë serbe.
Gjashtë prej tyre ndodhen në jug të lumit Ibër – Graçanica, Novobërda, Shtërpca, Ranillugu, Kllokoti dhe Parteshi: përderisa katër të tjera ndodhen në veri të vendit: Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.
Kur janë formuar komunat me shumicë serbe?
Me qëllim të integrimit të komuniteteve jo shumicë e posaçërisht komunitetit serb në Republikën e Kosovës në shoqërinë kosovare, krijimit të një shteti funksional në tërë territorin dhe krijimin e një sistemi të qëndrueshëm të vetëqeverisjes lokale që do të përmirësojë efikasitetin e shërbimeve publike, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për Kufinjtë Administrativ të Komunave.
Në nenin 5 të ketij ligji thuhet se 28 komuna vazhdonin të ekzistojnë, përderisa 10 të tjera do të themeloheshin; komuna e Novobërdës, Mitrovica e Veriut, Mitrovica e Jugut, Juniku, Hani i Elezit, Mamusha, Graçanica, Ranillugu, Parteshi dhe Kllokoti.
Nga 10 komunat e reja që janë formuar në vitin 2008, tri komuna janë me shumicë të qytetarëve shqiptarë, një është me shumicë të qytetarëve nga komuniteti turk, si dhe gjashtë të tjera janë me shumicë serbe.
Ky ligj buroi nga Plani i propozuar nga ish-presidenti finlandez Marti Ahtisaari, i cili ishte ndërmjetësues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës.
Më 2007, ish-presidenti finlandez, Marti Ahtisaari përpiloi një dokument, i njohur më shumë në publik si Plani i Ahtisaarit, i cili i dha garanci të forta komunitetit serb.
Ky plan rregullon një varg çështjesh, nga ato të kulturës, gjuhës, fesë, traditës, por edhe të arsimit, shëndetësisë, ekonomisë dhe pronës, e deri te formimi i komunave me shumicë serbe, nëpërmjet procesit të decentralizimit.
Në këtë plan ishte paraparë që të formoheshin gjashtë komuna me shumicë serbe: Graçanica, Novobërda, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti dhe Mitrovica e Veriut.
Serbët në jug të Ibrit e kanë pranuar Planin e Ahtisaarit, i cili i hapi rrugën integrimit të tyre brenda institucioneve dhe shoqërisë së Kosovës, përderisa ata në veri të lumit e refuzuan atë deri më 2013, kur u arrit Marrëveshja e parë e Brukselit, e cila parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Edhe pse në Ligjin për Kufinjtë Administrativ të Komunave dhe në Planin e Ahtisarit është paraparë formimi i Komunës së Novobërdës, Krypometër ka gjetur se kjo komunë ka qenë funksionale edhe më herët, pasi në vitin 2000 në zgjedhjet e para lokale ishte votuar edhe për zgjedhjet e Asamblesë së kësaj komune.
Decentralizimi
Lutfi Haziri i kishte udhëhequr negociatat në vitin 2006, që në atë kohë thuhej se ishin për decentralizimin e komunave. Prandaj Krypometër ka kontaktuar me Hazirin për të verifikuar informacionin lidhur kohën e themelimit të ketyre komunave bazuar në ato negociata.
Haziri ka deklaruar se informacioni është i rrejshëm, duke treguar kohën e formimit të komunave të reja bazuar në negociatat e bëra para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
“Informacioni dhe lajmi është i rrejshëm, është i montuar sepse Kosova historikisht Kosova ka pasur 28 komuna para luftës së fundit, respektivisht 29 sepse Zveçani në vitin 1985 së bashku me Novobërdën janë bërë komuna me shumicë serbe në kuadër të KSAK“- është shprehur Haziri.
Ai shpjegoi se në vitin 2006 është formuar komuna e Hanit të Elezit dhe Junikut me shumicë shqiptare dhe ajo e Mamushës, me shumicë turke.
“Praktikisht, UNMIK-u i ka themeluar komunat e Kosovës apo pushtetin lokal me 30 komuna, prej të cilave pesë kanë qenë më shumicë serbe, ku hyn Novobërda, Shtërpca, Zveçani, Zubin Potoku e Leposaviqi. Ndërkaq, në vitin 2006 është formuar komuna e Hanit të Elezit, Junikut me shumicë shqiptare dhe ajo e Mamushës me shumicë turke“- sqaroi Haziri.
Nënkryetari i LDK-së theksoi se serbët kishin refuzuar që të bashkëpunonin për themelimin e komunave me shumicë serbe.
“Serbët kanë refuzuar që të kooperojnë për themelimin e komunave me shumicë serbe sepse ka qenë propozim i vetëm që Graçanica të bëhet komunë me shumicë serbe“- ka thënë ai për Krypometër.
Tutje, Haziri ka thënë se në vitet 2008-2009 është implementuar aneksi 3 i Pakos së Ahtisaarit, i cili ka paraparë formimin e komunave të reja me shumicë serbe.
“Në vitin 2008-2009 është implementuar aneksi 3 i Pakos së Ahtisaarit, i cili ka paraparë që Graçanica, Kllokoti, Parteshi e Ranillugu për formimin e komunave me shumicë serbe, ndërkaq Mitrovica e Veriut në parimin dy komuna e një qytet, që të themelohet si komunë me shumicë serbe në kuadër të Mitrovicës si organizim historik“- ka shpjeguar tutje Haziri.
“Këtu përfundon krejt tregimi dhe video është edhe manipulative, tendencioze e edhe lajm i rrejshëm“- ka përfunduar ai.
|