schema:text
| - Faqet e dyshimta publikojnë një konkurs të rremë për pastrues
Deklarata
Kemi nevojë për pastrues! Nuk ka kufizime në moshë apo përvojë!
Vlerësimi
Rrenë
Postimi që thotë se “Kemi nevojë për pastrues! Nuk ka kufizime në moshë apo përvojë!”- është i rremë. Në këtë postim nuk është dhënë asnjë informacion rreth punëdhënësit, adresës së tij dhe mënyrës së aplikimit për këtë vend pune. Në postim nuk është treguar as lokacioni i vendit të punës. Sipas të dhënave të Facebook-ut, faqja që e ka publikuar këtë informacion menaxhohet nga Hong Kongu. I njëjti konkurs nuk është publikuar në asnjë prej faqeve kredibile në Kosovë që publikojnë konkurse për vende të lira të punës. Ekspertët thonë se konkurset që publikohen por që nuk i kanë disa të dhëna bazike për punëdhënësin, si: adresën, mënyrën e aplikimit për punë dhe kriteret e konkursit, janë mashtrime.
Artikulli
Më 10.10.2024 faqja në Facebook “Next Step Careers” (arkiva) ka publikuar një ofertë për punë me titull “🔔🔔Kemi nevojë për pastrues! Nuk ka kufizime në moshë apo përvojë! 👇👇👇”.
Në këtë postim është treguar orari i punës, mirëpo nuk është treguar as emri i punëdhënësit e as lokacioni i vendit të punës.
“Rekrutim urgjent! Nuk kërkohet përvojë; 18-65 vjeç, sigurim + pension; Ofroni trajnime; Orari i punës: 08:00-14:00”- shkruan në infografikën e publikuar.
Ky postim ka mbi 60 komente të personave të interesuar për punë.
Kur klikon mbi këtë njoftim, linku të dërgon te faqja e internetit ‘cleaningservices11.buzz’ (arkiva), në të cilën nuk ka të dhëna për punëdhënësin, vendin e punës, adresën, mënyrën e aplikimit apo kriteret e konkursit. Në këtë faqe të internetit janë dhënë vetëm disa opsione për t’u klikuar, e të cilat nuk kanë të bëjnë fare me mundësinë e punësimit të publikuar në postimin në Facebook.
Krypometër e ka kontrolluar faqen cleaningservices11.buzz’ (arkiva) në Whois.com dhe rezulton se e njëjta është hapur më 25.04.2024, ndërsa është fshehur emri i pronarit të këtij domeni.
Tutje, Krypometër ka kontrolluar postimet e bëra nga faqja në Facebook Next Step Careers dhe rezulton se e njëjta ka të publikuar edhe tetë postime të tjera të sponsorizuara, disa prej të cilave janë edhe në gjuhë të tjera.
Next Step Careers (arkiva) është hapur më 20.07.2024, ndërsa faqja është menaxhuar nga Hong Kongu.
Krypometër ka kontrolluar edhe në regjistrin e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK), por nuk figuron asnjë biznes lidhur me faqen Next Step Careers.
Në këtë postim mungojnë elementet bazike të një konkursi, si: lokacioni i vendit të punës, numri kontaktues apo adresa, si dhe forma dhe mënyra e dërgimit të CV-së.
Krypometër ka kërkuar nëpër faqet kryesore që publikojnë njoftime për vende të reja të punës në Kosovë.
Krypometër ka kontrolluar në faqen PortalPune. Aty janë publikuar disa konkurse për pastrues mirëpo asnjë prej tyre nuk ka përshkrimin si të faqes në Facebook, Next Step Careers (arkiva).
Ardit Krasniqi nga “PortalPune” ka thënë se secili konkurs duhet të ketë të paktën informatat bazike, si: adresën dhe kontaktin, lokacionin e vendit të punës që është shpallur konkursi, etj.
“Ne e kërkojmë atë numër identifikues (pra, numrin unik të biznesit) në mënyrë që ta dimë kush po shpallë punë, ku është adresa e shpallësit dhe kush është pronari, në mënyrë që të mos manipulohet me punëkërkuesit”- ka thënë ai.
As në faqen KosovaJob nuk është publikuar një konkurs i tillë.
Krypometër ka biseduar me Shkamb Kërleshin nga ky portal, i cili ka renditur disa hapa të verifikimit të një biznesi për të shpallur konkurs pune, duke përfshirë adresën e punëdhënësit, emailin si dhe certifikatën e biznesit.
|