| schema:text
| - Pretendimi i rremë për suspendimin e Vullnet Krasniqit
Deklarata
A po iu mungojnë videot e gazetarit Vullnet Krasniqi, pasi është suspenduar nga puna tash e disa ditë
Vlerësimi
Rrenë
Postimi me përmbajtjen “A po iu mungojnë videot e gazetarit Vullnet Krasniqi, pasi është suspenduar nga puna tash e disa ditë?” është i rremë. Krypometri ka konfirmuar nga vet Krasniqi se ai nuk është i suspenduar por ndodhet në pushim dhe do të rikthehet në punë në shtator.
Artikulli
Më 4 shtator 2023 në faqen e Facebook-ut, “Gazeta Papirus” është shpërndarë një fotografi e gazetarit të medias online “Gazeta Nacionale”, Vullnet Krasniqi.
Në përshkrimin e kësaj fotografie thuhet “A po iu mungojnë videot e gazetarit Vullnet Krasniqi, pasi është suspenduar nga puna tash e disa ditë?”.
Informacioni ka bërë thirrje për komente për gazetarin i cili para disa ditësh është shoqëruar nga Policia për një rast të një substance narkotike.
Krypometri ka verifikuar nëse informacioni për suspendimin e Vullnet Krasniqit nga “Gazeta Nacionale” është i saktë.
Me datë 06/09/2023 Krypometri ka kontaktuar gazetarin Krasniqi për t’i kërkuarvendimin për suspendim nga puna. Krasniqi ka mohuar se në mediumin ku ai punon ka një vendim të till.
“Unë nuk jam suspenduar nga puna. Kam kërkuar që të kem një pushim dy javor, duke mos dashur që lajmet për mua të mos ndikojnë në punë. Kthehem me 10 shator”- ka thënë Krasniqi për Krypometër.
Me datë 08/09/2023 Krypometër ka kontaktuar edhe me Berat Buzhalën eprorin e Krasniqit në “Nacionale”. Buzhala në një komunikim të shkruar ka konfirmuar se Krasniqi nuk ka qenë dhe nuk është i suspenduar.
“Jo, nuk ka suspendim nga puna për Vullnet Krasniqin’ ka thënë Buzhala.
Në fund të muajit gusht 2023, gazetarit Vullnet Krasniqi gjatë një kontrolli nga Policia e Kosovës iu kishte gjetur substancë e dyshimtë narkotike. Pas kësaj Krasniqi kishte njoftuar për pauzën nga media ku ai punon, “ Gazeta Nacionale” deri në momentin e sqarimit të rastit.
As në njoftimin e tij më 26 gusht 2023 ai nuk kishte përmendur suspendimin nga puna.
Suspendimin e gazetarit Krasniqi nuk e kishte cekur as pronari i mediumit “ Gazeta Nacionale”, Berat Buzhala në postimin e tij në rrjetin social facebook më 26 gusht 2023.
“I ka ardhur jashtë zakonisht keq per cfare ka ndodhur dhe vullnetarisht ka kërku që të lirohet nga detyra deri në perfundimin e procesit gjyqesor”- ka shkruar Buzhala në postimin e datës 25 gusht 2023.
Ai tutje kishte paralajmëruar se Krasniqi do të kthehet shum shpejt në punë.
“Unë i siguroj ata, që sapo të përmbyllet procesi gjyqësor, dhe sipas marrëveshjes me Vullen, sapo ai të sjellë në zyre një test që është i pastërt nga çfarëdo narkotiku, ai do të vazhdojë punën me ne”- ka shkruar Buzhala.
Gazetari Krasniqi u bë cak i kritikave dhe sulmeve në muajin e fundit për shkak të raportimeve të tij për protestën e organizuar kundër festivalit DokuFest. Dy persona u arrestuan për sulm ndaj tij gjatë raportimit për protestën para xhamisë së Prizrenit. Bashkë me ta ishte suspenduar edhe një epror i Policisë së Kosovës. Disa ditë pas kësaj ngjarje Krasniqi u përball me procesin penal për drogën.
|