schema:text
| - Lajmi i vjetër për udhëtimin e Kurtit në SHBA publikohet si aktual
Deklarata
“Aktuale: Kryeministri Kurti nderohet me medalje në Amerikë: Në moshën 22 vjeçare udhëhoqi rezistencën kundër regjimit të Millosheviqit”
Vlerësimi
Me kos
Është i rremë mbishkrimi “Aktuale: Kryeministri Kurti nderohet me medalje në Amerikë: Në moshën 22 vjeçare udhëhoqi rezistencën kundër regjimit të Millosheviqit”, i publikuar së bashku me fotografinë e kryeministrit Kurti duke e pranuar një mirënjohje në SHBA. Kjo fotografi është realizuar në vitin 2022, kur në shtetin Iowa i ishte ndarë një medalje. Kurti nuk ka pranuar ndonjë medalje në SHBA pas Zgjedhjeve të mbajtura më 09.02.2025.
Artikulli
Më 23.02.2025, faqja në rrjetin social Threads tvsupersky (arkiva) ka publikuar një fotografi në të cilën shihet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Fotografia mbanë mbishkrimet “E rëndë kejo për disa “analista” dhe PLAN-ista!” dhe “Aktuale: Kryeministri Kurti nderohet me medalje në Amerikë: Në moshën 22 vjeçare udhëhoqi rezistencën kundër regjimit të Millosheviqit”.
E njëjta është publikuar edhe në faqen në Facebook Diaspora me Albin Kurtin (arkiva).
Në faqen e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës dhe në profilin e Albin Kurtit në Facebook, gjatë muajit shkurt 2025, nuk është publikuar ndonjë njoftim për udhëtim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, apo për pranim të ndonjë medalje nga ky shtet.
Pas kërkimit në internet me fjalët kyçe Kurti dekorohet me medalje, Krypometër ka gjetur se bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur në vitin 2022 dhe nuk ndërlidhet me aktualitet, si pretendohet në fotografi.
Gjatë një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Kurti, më 13.05.2022, ishte nderuar me një medalje nga Senati i Iowa. Në një ceremoni të organizuar atje, ai u dekorua me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowa.
“Nga senatori Zach Nunn, ai pranoi medaljen me këtë motivacion: Me kërkesë të senatorit nga Qarku Polk, Zach Nunn, Senati njeh dhe dekoron kryeministrin Albin Kurti me medaljen e Shërbimit të Jashtëm të Shquar të Iowa. Kjo dekoratë, e projektuar nga senatori Zach Nunn, është një kryq maltez për qëndrueshmërinë e karakterit, e zbukuruar me stemën e shtetit të Iowa dhe e shenjuar me pikën referuese të Iowa, Kapitolin, që simbolizon përkushtimin ndaj Shërbimit.”- thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
“Albin Kurti në moshën 22 vjeçare udhëhoqi rezistencën kundër regjimit të Millosheviqit dhe kontribuoi në arritjen e lirisë së popullit të Kosovës. Kur filloi lufta në Kosovë, Kurti u angazhua për integritetin territorial me NATO, për t’iu rezistuar sulmeve të Serbisë, si dhe ndihmoi shpëtimin e shumë familjeve shqiptare brenda Kosovës.”- thuhet tutje në Kumtesë.
Kjo vizitë e Kurtit në SHBA ishte në kohën kur President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ishte Joe Biden, ndërsa tash President është Donald Trump.
Albin Kurti është aktualisht Kryeministër i Kosovës. Ai ka kandiduar për Kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje për një mandat të ri, në Zgjedhjet që u mbajtën më 09.02.2025.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar numërimin e votave në të gjitha vendvotimet më 21.02.2025. Njëherësh është kryer verifikimi i votave të subjekteve politike dhe numërimi i votave të kandidatëve për Deputet. Tani ka mbetur numërimi i votave me kusht, votave nga jashtë dhe votave të personave me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të bëhet çertifikimi i rezultatit zgjedhor dhe të dihet saktë se nga sa deputetë do t’i marrin partitë që kanë kaluar pragun zgjedhor e partitë e komuniteteve pakicë në vend.
Sipas rezultateve të tanishme, Lëvizja Vetëvendosje ka 47 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 25, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, koalicioni AAK- NISMA 8, ndërkaq 10 mandate kanë komunitetet joserbe dhe 10 të tjera komuniteti serb, prej të cilave 9 mandate Lista Serbe dhe 1 mandat Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë që udhëhiqet nga ministri aktual për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.
|