schema:text
| - Oferta për Kredi nga faqet fiktive që kërkojnë 70 euro vetëm për të aplikuar për Kredi
Deklarata
Qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë për kredi këtu dhe merrni atë në vetëm disa orë
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi i bërë në faqen ‘Luminor Crédit’ se ‘qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë për kredi këtu dhe merrni atë në vetëm disa orë’– është i rremë. Banka ‘Luminor’ operon në Lituani, Letoni dhe Estoni. Mirëpo, nuk ka degë të saj në Kosovë e, as nuk ofron Kredi për qytetarët e Kosovës. Faqja që e ka publikuar këtë postim është hapur në ditën që e ka bërë postimin. Banka Qendrore e Kosovës ka thënë se nuk ka Institucion Financiar apo Bankar të licensuar me emrin Luminor Crédit. Vetëm institucionet e licensuara nga BQK mund të funksionojnë si Banka në Kosovë.
Artikulli
Më 15.09.2024, faqja në Facebook “Luminor crédit” (arkiva) ka publikuar ofertë për Kredi për qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Qoftë i huaj në Kosovë apo i lindur në Kosovë, ky është shansi juaj. Aplikoni për kredi këtu dhe merrni atë në vetëm disa orë. Faleminderit Përshëndetje të mira”- shkruan në këtë postim.
Në rend të parë, Krypometër ka kontrolluar informacione në Facebook rreth kësaj faqeje.
Faqja “Luminor crédit” është krijuar në të njëjtën datë të publikimit të kësaj Oferte pra, më 15.09.2024. Kjo faqe e ka publikuar vetëm një ofertë për Kredi dhe nuk ka postime tjera e as të dhëna kontaktuese si: uebsajt, numër kontaktues apo adresë.
Krypometër i ka shkruar kësaj faqeje për të parë ofertat e saj për Kredi si dhe, nëse e njëjta është e licensuar për operim si institucion financiar e bankar në Kosovë.
Ata kanë thënë se: ‘Shuma Minimale për Kredi është 5 mijë euro, ndërkaq Norma Vjetore e Interesit është 2%’.
“Shuma e Kredisë: 5000 euro; Kohëzgjatja e Kredisë: 24 muaj; Norma vjetore e Kredisë: 2%; Pagesa mujore e Kredisë: 212,70 euro”- thuhet në përgjigjen e tyre por, duke mos u përgjigjur në pyetjet se a janë të licensuar.
Kjo faqe ka dërguar edhe një Formular në të cilin kërkohen disa informacione, si p.sh.: emri, mbiemri, kodi postar, datëlindja, vendlindja, informacione të Bankës në të cilën është llogaria, etj..
Me plotësimin e Formularit duhet të paguhet edhe një tarifë.
“Nëse plotësoni formularin, duhet të paguani tarifën e Sigurimit për t’u abonuar në drejtimin e sigurimit. Tarifa është 70 euro. Kompania jonë gjendet në Letoni dhe është në kontakt me Menaxhmentin e Sigurimeve VSAA.”- thuhet në përgjigjen e tyre.
Krypometër ka verifikuar fotografinë e profilit (arkiva) të kësaj faqeje përmes Google Images. dhe ka gjetur se kjo Fotografi i takon bankës ‘Luminor’, e cila funksionon në Lituani, Letoni e Estoni.
Krypometër nuk ka gjetur asnjë të dhënë për Kosovën, në faqen zyrtare të bankës ‘Luminor’ e as ndonjë njoftim për mundësinë e kreditimit të qytetarëve të Kosovës.
Për ‘Luminor crédit’, Krypometër ka dërguar pyetje edhe te Banka Qendrore e Kosovës, për të parë nëse i njëjti institucion është i licensuar për dhënie të kredive në Kosovë.
Publikimet e tilla, sikurse këto profile në Facebook, nuk korrespondojnë me ndonjë institucion financiar të licensuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës. Andaj, postimet e tilla krijojnë paqartësi dhe rrezik për qytetarët. Me këtë rast, ju inkurajojmë që t’i shfrytëzoni të gjitha mënyrat që i keni në dispozicion për t’i larguar këto njoftime.”- thuhet në përgjigjen e BQK.
Bazuar në Ligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare, ‘të gjitha institucionet që kanë të drejtë dhënien e kredive duhet të licensohen, paraprakisht nga Banka Qendrore e Kosovës. Për licensim nga BQK, institucioneve u kërkohen të plotësojnë një varg obligimesh që i kërkon Ligji.
|