schema:text
| - Pensionet nuk janë rritur nga data 05.08.2024
Deklarata
Nga 5 gushti 2024 rriten pensionet në mbarë Kosovë
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Nga 5 gushti 2024 rriten pensionet në mbarë Kosovë” është i rremë. Pensionet nuk janë rritur nga data 05.08.2024, siç pretendohet në këtë postim. Ministria e Financave dhe Qeveria e Kosovës kanë thënë se nuk kanë marrë ndonjë vendim për rritje të pensioneve. Në fillim të muajit gusht 2024, Qeveria e Kosovës nuk ka marrë asnjë vendim për rritje të pensioneve. Shoqata e Pensionistëve të Kosovës tash e një kohë ka bërë kërkesë për rritje të pensioneve, mirëpo kërkesa e tyre ende nuk është marrë parasysh nga Qeveria e Kosovës.
Artikulli
Më 05.08.2024 faqja në Facebook “Great jobs” (arkiva) ka publikuar një infografikë me titull “Nga 5 gushti 2024 rriten pensionet në mbarë Kosovë”.
Në këtë infografikë janë të shfaqura edhe grupmoshat nga 35 deri në 85 vjeç plus, që pretendohet se do të përfitojnë nga rritja e pensioneve.
E njëjta faqe i ka bërë edhe tri postime të tjera në të njëjtën kohë (më 04.08.2024 në ora 21:58h) dhe me përmbajtje të ngjashme por me dizajn ndryshe: postimi i parë (arkiva), postimi i dytë (arkiva) dhe postimi i tretë (arkiva). Të gjitha këto postime kanë përshkrimin e njëjtë “Nga 5 gushti 2024 rriten pensionet në mbarë Kosovë”.
Faqja në Facebook “Great jobs” që i ka bërë këto katër postime për rritje të pensioneve në Kosovë është hapur më 25.07.2024. Kjo faqe në Facebook e ka dhënë adresën në Kinë, ndërsa si kontakt ka dhënë adresa elektronike që janë adresa zyrtare të Google.
Kur klikon mbi lajmin, linku të dërgon te faqja e internetit retirementinvestments.info (arkiva), që nuk ka ndonjë informacion lidhur me rritjen e pensioneve apo diçka rreth kësaj.
Për këtë, Krypometri ka kontaktuar me zyrtarë të Ministrisë së Finacave.
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, ka thënë se nuk është marrë asnjë vendim i ri për pensione dhe se pensionet nuk do të ndryshohen nga data 05.08.2029.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe të shmangin informatat dhe shërbimet e tjera jozyrtare pasi që kanë për qëllim”- thuhet në përgjigjen e këtij dikasteri të datës 06.08.2024.
Krypometër ka kontaktuar me zëdhënësin e Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se postimi është i rremë pasi nuk është marrë ndonjë vendim rreth rritjes së pensioneve.
“Kjo është vazhdimësi e një fushate dezinformuese. Thirrje të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, e të cilat i kemi demantuar”- tha Kryeziu për Krypometër.
Pensionet në Kosovë
Pensionistët e Kosovës që kishin punuar para vitit 1999 kanë paguar kontributet pensionale, megjithatë pas luftës ata nuk i kanë marrë pensionet bazuar në kontributet pensionale që kishin paguar ndër vite. Serbia nuk e kishte kthyer në Kosovë sasinë e parave që pensionistët nga Kosova kishin kontribuar në Fondin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor i Republikës së Jugosllavisë.
Për pasojë, pensionistët e Kosovës për vite të tëra janë paguar vetëm nga buxheti i Republikës së Kosovës për pensionet bazike të pleqërisë. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në muajin korrik të vitit 2024 ishin 149,504 pensionistë që kishin marrë vetëm pensione bazike të moshës, që është 100 euro në muaj. Kurse janë 48,314 pensionistë që marrin nga 198 euro e deri në 260 euro pensione kontributdhënëse, në varësi të shkollimit që kanë.
Përveç këtyre, pensionistët që kanë punuar pas vitit 2002 dhe që kanë kontribute në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), i marrin edhe mjetet që ata i kanë kursyer gjatë kësaj kohe.
FKPK ose siç njihet ndryshe si Trusti është krijuar bazuar në ligj dhe sipas modelit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribues kursen për pension në një llogari personale. FKPK-ja është themeluar në dhjetor të vitit 2001 dhe ka filluar aktivitetin në gusht të vitit 2002 për të administruar dhe menaxhuar kontributet e obligueshme pensionale (dhe vullnetare) të të punësuarve në Kosovë.
Aktivitetin e përgjithshëm të FKPK-së e rregullon Kuvendi i Kosovës, ndërsa e mbikëqyrë Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe aktivitet kryesor ka mbajtjen dhe investimin e kontributeve pensionale të kursyera nga qytetarët e Kosovës gjatë marrëdhënies së punës. Fondi i Kursimeve mbushet nga pagesat e obligueshme pensionale që janë 10% e pagës së të punësuarit, prej të cilave 5% paguhen nga punëdhënësi e 5% nga punëtori.
Krypometër ka biseduar me kryetarin e Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës, Nijazi Gashi. Ai ka thënë se deri më tash kërkesat e tyre për rritje të pensioneve nuk janë marrë parasysh nga Qeveria e Kosovës.
Ai ka thënë se tash e një kohë të gjatë kanë bërë kërkesa për rritje të pensioneve, pasi në vitet e fundi ka pasur një shkallë të lartë të inflacionit/rritjes së çmimeve, që e ka cenuar direkt jetën e pensionistëve.
“Ne kemi kërkuar shumë herë rritje të pensioneve, por nuk na kanë kthyer asnjëherë përgjigje. Kemi kërkuar përmes mediave, kemi dërguar emailave zyrtarëve të shtetit duke përfshirë presidenten, kryeministrin, ministrin e Financave, por deri më tash na kanë injoruar. Vetëm një takim e kemi pasur me Emilija Rexhepin, të cilës ia kemi parashtru kërkesën për rritje të pensioneve. Na është premtuar, por asnjëherë s’ka ndërmarrë asgjë kjo Qeveri, thjeshtë ata nuk merren me çështjen e pensionistëve, thjeshtë na injorojnë”- ka thënë Gashi për Krypometër.
|