schema:text
| - Përdorimi i fotografisë së kryeministrit Albin Kurti për postime të rreme rreth pensioneve
Deklarata
Pensionet e Kosovës do të rriten ndjeshëm
Vlerësimi
Rrenë
Postimet me mbishkrimin “Pensionet e Kosovës do të rriten ndjeshëm në vitin 2024” janë të rreme. Në këto postime është përdorur fotografia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mirëpo Qeveria e udhëhequr nga Kurti nuk ka marrë ndonjë vendim për rritje të pensioneve. Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se postimet janë të rreme dhe po bëhen me qëllim të mashtrimit të qytetarëve. Pensionet në Kosovë vazhdojnë të jenë të njëjta.
Artikulli
Më 03.08.2024 faqja në Facebook ‘Chirstest2-service’ (arkiva) ka publikuar një fotografi të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, së bashku me një informacion se gjoja do të rriten pensionet duke filluar nga muaji gusht i vitit 2024.
Së bashku me informacionin është publikuar edhe një infografikë në të cilën shkruan se “Pensionet e Kosovës do të rriten ndjeshëm në vitin 2024”.
E njëjta faqe, në katër postime të ndryshme, e ka përdorur fotografinë e kryeministrit Kurti dhe në këto postime pretendohet se do të ketë rritje të pensioneve.
Postimet janë të ngjashme, por ndryshon vetëm fotografia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti (postimi i parë, postimi i dytë, postimi i tretë, postimi i katërt).
Kur klikon mbi lajmin të dërgon te një faqe e internetit ‘retirement-savingsplan.online’ (arkiva), në të cilën nuk ka asnjë informacion lidhur me pensionet në Kosovë.
Për të verifikuar këto postime, Krypometër ka kontrolluar vendimet që i ka marrë Qeveria e Kosovës që nga data 01.07.2024 e deri më 07.08.2024, por në vendimet e publikuara nuk është asnjë vendim për rritje të pensioneve.
Krypometër ka kontaktuar edhe më zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se postimet janë të rreme dhe të njëjtat po bëhen me qëllim të mashtrimit të qytetarëve.
“Kjo është vazhdimësi e një fushate dezinformuese. Thirrje të tilla ka pasur edhe në të kaluarën, e të cilat i kemi demantuar”- ka thënë Kryeziu për Krypometër.
Krypometër ka kontaktuar edhe më zëdhënësin e Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini. Ai ka thënë se postimet janë të rreme pasi nuk është marrë asnjë vendim i ri për ndryshim të pensioneve.
“Çdo vendim i ri për ndryshimet në skemat pensionale publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, Punëve dhe Transfereve”- ka thënë Shahini në një përgjigje dhënë për Krypometër më 06.08.2024.
Pensionet në Kosovë
Pensionistët e Kosovës që kishin punuar para vitit 1999 kanë paguar kontributet pensionale, megjithatë pas luftës ata nuk i kanë marrë pensionet bazuar në kontributet pensionale që kishin paguar ndër vite. Serbia nuk e kishte kthyer në Kosovë sasinë e parave që pensionistët nga Kosova kishin kontribuar në Fondin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor të Republikës së Jugosllavisë.
Për pasojë, pensionistët e Kosovës për vite të tëra janë paguar vetëm nga buxheti i Republikës së Kosovës për pensionet bazike të pleqërisë. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës në muajin korrik të vitit 2024 ishin 149,504 pensionistë që kishin marrë vetëm pensione bazike të moshës, që aktualisht është 100 euro në muaj. Kurse janë 48,314 pensionistë që marrin nga 198 euro e deri në 260 euro pensione kontributdhënëse, në varësi të shkollimit që kanë.
Përveç këtyre, pensionistët që kanë punuar pas vitit 2002 dhe që kanë kontribute në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), i marrin edhe mjetet që ata i kanë kurser gjatë kësaj kohe.
FKPK, ose siç njihet ndryshe Trusti, është krijuar bazuar në ligj dhe sipas modelit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribues kursen për pension në një llogari personale. FKPK-ja është themeluar në dhjetor të vitit 2001 dhe ka filluar aktivitetin në gusht të vitit 2002 për të administruar dhe menaxhuar kontributet e obligueshme pensionale (dhe vullnetare) të të punësuarve në Kosovë.
Aktivitetin e përgjithshëm të FKPK-së e rregullon Kuvendi i Kosovës, ndërsa e mbikëqyr Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe aktivitet kryesor ka mbajtjen dhe investimin e kontributeve pensionale të kursyera nga qytetarët e Kosovës gjatë marrëdhënies së punës. Fondi i Kursimeve mbushet nga pagesat e obligueshme pensionale që janë 10% e pagës së të punësuarit, prej të cilave 5% paguhen nga punëdhënësi e 5% nga punëtori.
|