schema:text
| - Përshkrimi i rremë i infografikës që tregon shpenzimet për mbrojtjen e ish-udhëheqësit e UÇK-së
Deklarata
23 milion €uro per keta mykqa e hajna
Vlerësimi
Me kos
Përshkrimi i infografikës “23 milion €uro per keta mykqa e hajna” është i rremë. Në infografikën e prodhuar nga KALLXO dhe rishpërndarë nga faqja ‘Lajme te verteta’, (arkiva) janë paraqitur shpenzimet që ka bërë ministria e Drejtësisë për pagesën e mbrojtjes për ish-krerët dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që janë duke u përballë më akuzat nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Pagesat nga ana e ministrisë së Drejtësisë bëhen bazuar në Ligji për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar. Personat e akuzuar nga Haga nuk kanë akuza për vjedhje ose hajni. Kjo mund të kontrollohet në aktakuzën publike.
Artikulli
Më 31.01.2024, faqja në Facebook ‘Lajme te verteta’, (arkiva) ka postuar një grafikë në të cilën është shuma e shpenzuar për avokatët e ish luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kjo infografikë është shpërndarë me mbishkrimin “23 milion €uro per keta mykqa e hajna”.
Krypometër ka gjetur se infografika e shpërndarë nga faqja ‘Lajme te verteta’, (arkiva) fillimisht është publikuar në Kallxo.
Në infografikë janë paraqitur të dhënat e siguruara nga ministria e Drejtësisë për shpenzimet e bëra për avokatët e 8 ish-luftëtarëve të UÇK-së, të cilët në Gjykatën Speciale në Hagë po përballen me akuza për krime lufte.
Këto mjete, ministria e Drejtësisë i ka ndarë bazuar në ‘ligjin për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencial në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara’.
Në këtë ligj thuhet se çdo i akuzuar potencial nga Dhomat e Specializuara ka të drejtën për ndihmë financiare dhe mbulim të shpenzimeve të mbrojtjes.
Dhomat e Specializuara kanë mandat që buron nga Ligji për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar për të trajtuar krimet e supozuara të kryera nga individë gjatë luftës në Kosovë gjatë periudhës 01.01.1998 deri më 31.12.2000.
“Dhomat e specializuara kanë juridiksion mbi veprat penale në kuadër të juridiksionit lëndor të tyre të cilat janë kryer mes periudhës 1 janar 1998 dhe 31 dhjetor 2000”- thuhet në nenin 7 të këtij ligji.
Bazuar në kompetencat që burojnë nga ky ligj, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka ngritur aktakuzë për 4 ish krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë konfirmuar më 4 dhe 5 nëntor të vitit 2020.
Ministria e Drejtësisë, në përgjigjen e tyre, kanë thënë se këto mjete janë shpenzuar për të mbrojtur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, më së shumti janë shpenzuar për mbrojtjen e Jakup Krasniqit– gjithsej 3,697,250.00 euro. Pastaj për avokatët mbrojtës të Rexhep Selimit– gjithsej 3,629,700.00 euro. Pas tyre vjen Hashim Thaçi, sipas përgjigjes së Ministrisë së Drejtësisë për mbrojtjen e tij janë shpenzuar 3,483,301.02 euro.
Për mbrojtjen e Kadri Veselit janë shpenzuar 3,359,724.91 euro. Për avokatët mbrojtës të Hysni Gucatit, Ministria e Drejtësisë thotë se ka paguar 2,367,759.00 euro. Pastaj, 2,272,672.14 euro janë shpenzuar për ekipin mbrojtës të Salih Mustafës.
Personat e akuzuar nga Haga nuk kanë akuza për vjedhje ose hajni. Kjo mund të kontrollohet në aktakuzën publike.
Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryesues i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambuje, nga 6 deri më 22 shkurt 1999. Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, pozitë që e mbajti deri në vitin 2014. Më 26.02.2016, Hashim Thaçi ishte zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Ai nuk arriti të çojë deri në fund mandatin e presidentit, pasi më 05.11.2020 u transferua në Hagë, me urdhër të Gjykatës Speciale pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, ku ende është duke vazhduar procesi gjyqësor.
Kadri Veseli ishte një nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Kosovës në dhjetor të vitit 2014 dhe Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në maj të vitit 2016.
Ndërsa, Jakup Krasniqi gjatë viteve 1998–1999 ishte zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Krasniqi ishte anëtar i LDK-së, pastaj i PDK-së, në janar 2008, është zgjedhur Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës në shtator 2010 deri më Shkurt 2011 është zgjedhur Ushtrues i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, ndërsa në shkurt 2011, është rizgjedhur Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, edhe Rexhep Selimit më 4 nëntor 2020, i është konfirmuar aktakuza nga Gjykata Speciale. Më herët ai ishte deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje. Selimi është ish komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 3 prill ka filluar gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ish-presidenti i Kosovës, Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, janë deklaruar të pafajshëm për katër akuza për krime lufte dhe gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit.
|