schema:text
| - Rrena se Kamala Harris vendosi kufje gjatë debatit presidencial me Trump
Deklarata
Kufje në formën e vathëve? ‘Shpërthen’ rrjeti – Harris akuzohet për mashtrim në debatin me Trump
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titullin “Kufje në formën e vathëve? ‘Shpërthen’ rrjeti – Harris akuzohet për mashtrim në debatin me Trump”- nuk është i saktë. Pretendimet se kandidatja për presidente të SHBA-së, Kamala Harris kishte kufje “audio NOVA H1” gjatë debatit me kundërkandidatin Donald Trump, janë të rreme. Kompania gjermane “Icebach Sound Solutions”, e cila i prodhon kufjet ‘audio NOVA H1’ e ka mohuar që vathët e kandidates për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, janë prodhim i tyre. “Pas analizimit të plotë të fotografive të Kamala Harris gjatë debatit presidencial, kemi arritur në përfundimin se këto nuk janë vathët tanë të veshit ‘audio NOVA H1’. Në disa nga fotografitë, kjo mund të dallohet qartë pasi kanë dizajn të ndryshëm”- thuhet në deklaratën e publikuar nga kompania gjermane.
Artikulli
Më 11.09.2024 disa mediat kanë publikuar një artikull me titull “Kufje në formën e vathëve? ‘Shpërthen’ rrjeti – Harris akuzohet për mashtrim në debatin me Trump”.
Në artikull pretendohet se zv.presidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, ka përdorur kufje në formë të vathëve, gjatë përballjes së saj në debatin presidencial me kandidatin për president të SHBA-së nga radhët e Republikanëve, Donald Trump.
Artikulli u shprënda në: Insajderi (arkiva), Lexo.al (arkiva), Pamfleti.news (arkiva), Ntv Televizion (arkiva), Pamfleti.net (arkiva), Perputhen (arkiva), Jeta e Shqipëtarëve (arkiva), Elbasanion (arkiva), Prishtina Times (arkiva), UBT News (arkiva), SYRI.net (arkiva), Klina info (arkiva) dhe 1KlikLarg (arkiva).
Krypometër ka gjetur se i njëjti pretendim fillimisht ishte shpërndarë në rrjetin social X (ish-Twitter). Në këtë postim thuhej se “Po qarkullojnë thashetheme se Kamala Harris ka vendosur vathë me audio dhe po i tregonin se çfarë të thotë. A nuk është kjo kundër rregullave të debatit”.
Në raportimet e mediave është përmendur se Harris ka përdorur vathë “audio NOVA H1”, të prodhuara nga kompania gjermane me bazë në Mynih, “Icebach Sound Solutions”.
Pas këtyre raportimeve, më 13.09.2024, kompania gjermane “Icebach Sound Solutions” ka publikuar një deklaratë në të cilën thotë se zv.presidentja Harris nuk ka përdorur perlat e tyre në formë të kufjeve për debatin presidencial më 10.09.2024.
“Pas analizimit të plotë të fotografive të Kamala Harris gjatë debatit presidencial, kemi arritur në përfundimin se këta nuk janë vathët tanë ‘audio NOVA H1’. Në disa nga fotografitë, kjo mund të dallohet qartë pasi kanë dizajn të ndryshëm”- thuhet në deklaratën e publikuar nga kompania gjermane.
Krypometër ka gjetur se postime të ngjashme që pretendojnë se kandidatja për presidente të SHBA-së, Kamala Harris, kishte përdorur dëgjuese në formë të vathëve janë vlerësuar si të rreme nga verifikuesit e ndryshëm të fakteve.
Kontrolluesi i fakteve PolitiFact raportoi se pretendimi që Harris mbante fshehurazi kufje, është i gabuar. Sipas tyre, faqja e “Icebach” ka dy versione të dëgjueseve, një të argjendit dhe një të arit. Të dy versionet kanë një perlë dhe një kapëse që mbërthehet rreth llapës së veshit.
Kontrolluesi i fakteve FactCheck.org thotë se një pretendim i ngjashëm qarkulloi para ose pas debateve në vitet 2016 dhe 2020 me kundërshtarët politikë të kaluar të Trump.
FactCheck.org thotë se faqja e internetit “What Kamala Wore“, e cila mbulon “zgjedhjen e veshjeve dhe stilin” e Harris, tha më 11.09.2024 se zv.presidentja kishte vendosur “vathë perla të detit nga koleksioni Tiffany Hardwear” në debat.
Sipas FactCheck.org, “Icebach Sound Solutions”, lëshoi një deklaratë më 13.09.2024 në lidhje me vathët e vënë nga Harris në debatin e mbajtur më 10.09.2024.
Postimet e ngjashme janë verifikuar edhe nga “Facta.news”, të cilët kanë bërë analiza të dizajnit të vathëve. Sipas tyre, ndonëse është e vërtetë që të dy palë vathët, ata të “Nova H1” dhe ata të vënë nga Harris kanë një perlë, forma e bazës së perlës është e ndryshme. “Në fakt, Nova H1 ka një kapëse të vetme, ndërsa perla e vendosur nga Harris është mbërthyer mes dy vijave paralele”- thuhet në artikullin e publikuar në Facta.news.
Vathët që janë prezantuar të vendosur nga një person tjetër, janë kufjet në formë të vathëve Nova H1, prodhuar nga kompania gjermane “Icebach Sound Solutions”, e njohur si Nova. Këta vathë përbëhen nga një kapëse që ngjitet në vesh dhe një perlë brenda e cila përmban përbërësit e nevojshëm për të lejuar dëgjimin.
Ndërkaq vathët që ka vendosur zv.presidentja Harris, janë të brendit Tiffnay&Co dhe kanë dallime në pamje.
Në mbyllje të Kuvendit Kombëtar Demokrat, zv.presidentja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kamala Harris, më 23.08.2024 pranoi formalisht nominimin si kandidate e partisë së saj për presidente. Në fjalimin e saj, Harris u zotua se do t’i mbështesë Ukrainën dhe aleatët e tjerë të SHBA-së, se do të ngrihet kundër autokratëve dhe se do t’i përfaqësojë të gjithë amerikanët me udhëheqjen e saj.
Më 10.09.2024, Harris dhe Trump morën pjesë në debatin e tyre të parë televiziv, kur sondazhet po tregonin një garë të ngushtë kokë më kokë mes tyre. Debati ishte mundësi që njëri prej tyre ta krijojë një epërsi të qartë vetëm 56 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve.
Harris demokrate dhe Trump republikan, do të përballen në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 05.11.2024 në SHBA. Gara aktualisht është shumë e ngushtë mes dy palëve.
|