schema:text
| - Postimi i rremë në emër të Hashim Thaçit
Deklarata
Më thojke Albini mos e voto se ngulesh po si besojsha
Vlerësimi
Rrenë
Postimi në Facebook me citatin që i mveshet ish-Presidentit Hashim Thaçi që gjoja thot “Më thojke Albini mos e voto se ngulesh po si besojsha” është i rremë. Ekipi mbrojtës i ish-Presidentit Hashim Thaçi ka thënë se përmbajtja e këtij postimi është e rremë. Fotografia e përdorur në këtë postim është e fabrikuar.
Artikulli
Më 11.02.2024 faqja Me Albinin (arkive) në rrjetin Facebook pubikoi një foto të ish presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi prapa grilave me përshkrim “Më thojke Albini mos e voto se ngulesh po si besojsha”.
Krypometër, përmes “TinEye” ka gjetur fotografinë reale, e cila është realizuar për të ilustruar të burgosurin.
Në fotografin reale shihen vetëm durët e një personi prapa grilave, ndërsa në fotografinë e publikuar në faqen “Me Albinin” është montuar fytyra e ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
E njëjta fotografi e fabrikuar ishte shpërndarë edhe më 08.01.2024 në një profil në rrjetin TikTok.
Në një deklarim për Krypometër, nga ekipi i mbrojtjes së Hashim Thaçit kanë thënë se përmbajtja e postimit është e rreme.
“Janë postime të rreme, propagandë politike, të cilat nuk i komentojmë”- kanë thënë për Krypometër nga ekipi mbrojtës i Thaçit.
Hashim Thaçi ishte udhëheqës i Drejtorisë Politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kryesues i delegacionit të Kosovës në Konferencën Ndërkombëtare të mbajtur në Rambuje, nga 6 deri më 22 shkurt 1999. Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, pozitë që e mbajti deri në vitin 2014.
Më 26.02.2016, Hashim Thaçi ishte zgjedhur President i Republikës së Kosovës. Ai nuk arriti të çojë deri në fund mandatin e presidentit, pasi më 05.11.2020 u transferua në Hagë, me urdhër të Gjykatës Speciale pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij, ku ende është duke vazhduar procesi gjyqësor.
Më 3 prill 2023 ka filluar gjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe tre ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Themelimi i këtij institucioni u bë më pas nga Kuvendi i Kosovës në gusht të vitit 2015, ndërsa aktakuzat e para u konfirmuan në pjesën e dytë të vitit 2020.
Rregullat e Gjykatës
Në statutin e dhomave të specializuara bëhet e ditur se në parim proceset janë publike përveçse kur nevojitet të kryhen në seancë private ose të mbyllur për arsye të mbrojtjes së dëshmitarëve, viktimave ose informacionit konfidencial.
Për faktin se seancat janë publike, pamje e të akuzuave mund të merren dhe të përdoren më pas për ilustrim të shkrimeve të ndryshme.
Selia e Gjykatës Speciale u vendos në Hagë në mënyrë specifike për shkak të drojës nga frikësimi i dëshmitarëve, “marrë parasysh që bëhet fjalë për çështje të ndjeshme dhe për shkak se të dyshuarit e mundshëm, nga pjesë të caktuara të shoqërisë së Kosovës mund të konsiderohen si luftëtarë të lirisë”, kishte deklaruar Qeveria e Holandës qysh në vitin 2016, kur mori vendimin e saj për ta vendosur këtë gjykatë në këtë shtet.
Në nëntor 2023 u bë e ditur se Gjykata kishte vendosur të kufizojë përkohësisht komunikimet dhe vizitat me të akuzuarit për të shmanguar ‘dëmtimin e procesit’, me përjashtim të ekipit mbrojtës.
“Regjistrimet tregojnë se Thaçi ka abuzuar vazhdimisht me vizita jo të privilegjuara, ka dhënë udhëzime se si dëshmitarët duhet të dëshmojnë dhe i ka udhëzuar vizitorët të kontaktojnë me dëshmitarët në emër të tij”- shtohet në parashtrimin e prokurorisë.
Gjykata kërkoi pezullim të komunikimeve jo të privilegjuara, përfshirë vizitat [personalisht apo me zoom], telefonatat, komunikimet me shkrim, si dhe kërkoi monitorim aktiv të të gjitha komunikimeve që mund t’i bëjnë të akuzuarit.
|