schema:text
| - Promovimi i ilaçeve për nyje përmes përmes mediave fiktive
Deklarata
Ky ilaç do të ndihmojë në rivendosjen e nyjeve në shtëpi, pa operacion ose mjek! Një produkt i quajtur…
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “Ky ilaç do të ndihmojë në rivendosjen e nyjeve në shtëpi, pa operacion ose mjek! Një produkt i quajtur…” është i rremë. Faqja që e ka publikuar këtë artikull nuk është media edhe pse paraqitet si e tillë. Në këtë faqe është i publikuar vetëm një artikull, ndërsa artikujt e tjerë dhe rubrikat nuk janë funksionale. Produkti që promovohet nuk ka Autorizim të Marketingut, pra nuk lejohet të shitet si ilaç në Kosovë. Reumatologu Besim Demolli thotë se një suplement nuk mund të shërojë problemet me nyje, si pretendohet në këtë artikull. Ai ka thënë se disa prej sëmundjeve që kanë të bëjnë më nyje janë të pashërueshme dhe është e domosdoshme që pacientët të konsultohen me profesionistët shëndetësor.
Artikulli
Më 12.06.2024 faqja në Facebook, ‘Simmons Venus’ (arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Ky ilaç do të ndihmojë në rivendosjen e nyjeve në shtëpi, pa operacion ose mjek! Një produkt i quajtur…”.
I njëjti artikull është shpërndarë edhe në ueb faqen ‘cashkoval.com’(arkiva) me titull “Kur nyjet ju pengojnë të bëni një jetë normale, ju shpresoni vetëm për një mrekulli!- historia ime personale”.
Artikulli promovon suplementin ‘Flexiwell’ që pretendohet se rikthen shëndetin e nyjeve.
Faqja e internetit që e ka publikuar këtë lajm ka dizajnin e një portali të quajtur “Lajme Sot” që ka disa rubrika si: Lajme, Politikë, Ekonomi, Bota, etj. Krypometër ka verifikuar se kjo faqe nuk është portal apo agjenci lajmesh pasi asnjë prej rubrikave të tij nuk është funksionale. Në secilën prej rubrikave që klikohet të dërgon të dritarja për porosi të ilaçit.
Edhe artikuj e tjerë që gjoja janë publikuar më parë në këtë faqe nuk janë të qasshëm, siç është rasti me artikullin me titull “Lajmet e ditës! Gjendet ilaci që do t’ju ndihmojë të hiqni qfe të gjitha problemet me kyçet” që kur klikohet të dërgon tek dritarja për të porositur ilaçin që këta e promovojmë.
Në listën e produkteve që kanë autorizim marketingu që është e publikuar në faqen e Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale, nuk figuron asnjë ilaç me emrin ‘Flexiëell’.
Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale është institucion i cili rregullon shitjen dhe importin e ilaçeve në Kosovë. Neni 16 i Ligjit për Produkte dhe Pajisje Medicinale thotë se “produkti medicinal mund të plasohet në Republikën e Kosovës vetëm pas marrjes së Autorizimit për Marketing nga AKPPM”.
Reumatologu, Besim Demolli, ka thënë për Krypometër se Osteoartriti, osteoporoza dhe frakturat osteoporotike janë sëmundje kronike të pashërueshme.
“Trajtimi për këto sëmundje fokusohet në menaxhimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës. Kjo përfshin terapinë fizike për përmirësimin e forcës dhe fleksibilitetit, modifikimet në stilin e jetës, për menaxhimin e peshës dhe reduktimin e barrës në nyje, medikamentet për lehtësimin e dhimbjes dhe inflamacionit, si dhe ndërhyrjet kirurgjikale në raste të rënda. Është e rëndësishme të shmangen suplementet e paprovuara dhe të panevojshme që nuk rekomandohen nga organizata të respektuara si ACR dhe EULAR, pasi ato mund të jenë jo vetëm të panevojshme, por edhe potencialisht të dëmshme”– tha Demolli për Krypometër.
Demolli, ka thënë se këto sëmundje nuk mund të shërohen me suplemente. Ai ka thënë se personat që kanë sëmundje të tilla duhet të konsultohen me profesionistë.
“Suplementet, veçanërisht ato të reklamuara si kurative ose si zgjidhje mrekullibërëse, shpesh mund të jenë objekt i marketingut të tepruar dhe mund të japin premtime të pasigurta. Nëse suplementet sugjerohen si pjesë e një plani të trajtimit, këto sugjerime duhet të jenë të mbështetura nga një profesionist shëndetësor dhe të bazohen në një vlerësim të plotë dhe të saktë të nevojave të pacientit”- tha tutje reumatologu Demolli për Krypometër.
|