schema:text
| - Postimi i rremë për kredi deri në 30 mijë euro duke keqpërdorë kampanjën e Bankës Ekonomike
Deklarata
Kredi individuale deri në 30,000 €
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Kredi individuale deri në 30,000 €”- është i rremë. Faqja që e ka publikuar këtë kampanjë për kredi nuk është e licensuar si institucion financiar në Republikën e Kosovës. Vetëm institucionet e licensuara nga Banka Qendrore e Kosovës kanë të drejtë të ofrojnë kredi në Kosovë. Faqja ‘kredi_esigurt’ e ka keqpërdorë kampanjën e Bankës Ekonomike për kredi personale të vitit 2015. Banka Ekonomike ka konfirmuar për Krypometër se materiali që i përket një kampanje të mëparshme të Bankës Ekonomike, është përdorur pa lejen dhe aprovimin e tyre.
Artikulli
Më 03.11.2024, faqja në rrjetin social Instagram ‘kredi_esigurt’ (arkiva) ka publikuar një ofertë për kredi deri në 30 mijë euro.
“Kredi individuale deri në 30,000 €”- shkruan në infografikën e publikuar nga kjo faqe.
Për të verfikuar këtë postim, Krypometër përmes kërkimit të thjeshtë në internet të fjalisë “kredi individuale deri në 30 mijë euro” ka gjetur se kjo infografikë është marrë nga kampanja e Bankës Ekonomike në Kosovë.
“Kredi individuale deri në 30,000 EUR, pa hipotekë, afati i kredisë deri në 10 vjet”- shkruan në kampanjën e vendosur nga Banka Ekonomike, të publikuar në vitin 2015.
Bazuar në Ligjin për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet financiare jo-bankare, të gjitha institucionet që merren me dhënie të kredive, duhet të licensohen paraprakisht nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK). Për licensim nga BQK-ja, institucioneve iu kërkohen të plotësojnë një varg obligimesh që i kërkon Ligji.
Krypometri ka kontrolluar edhe uebfaqen e BQK-së, përkatësisht listën e institucioneve financiare të licensuara/ regjistruara në vend dhe aty nuk figuron asnjë institucion me emrin “Kredi e Sigurt”.
Në një përgjigje me shkrim, BQK ka lutur qytetarët që të mos bien pre e këtyre postimeve që mund të jenë të rrezikshme.
“Postimet e tilla krijojnë paqartësi dhe rrezik për qytetarët dhe me këtë ju inkurajojmë që t’i shfrytëzoni të gjithat mënyrat që i keni në dispozicion për t’i larguar këto njoftime.”- thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Faqja “kredi_esigurt” pretendon se ofron kredi me normë të interesit prej vetëm 3%.
Krypometër ka kontrolluar publikimet e bëra nga Banka Qendrore e Kosovës dhe ka gjetur raportin me informacionet për sistemin financiar për muajin shtator 2024. Në këtë raport thuhet se norma mesatare e interesit për kreditë e lëshuara nga Bankat Komerciale ishte 6.1%.
Banka Ekonomike ka konfirmuar për Krypometër se materiali që i përket një kampanje të mëparshme të Bankës Ekonomike, është përdorur pa lejen dhe aprovimin e tyre.
“Logoja jonë është hequr nga materiali origjinal dhe nuk ka pasur asnjë kërkesë paraprake apo autorizim për përdorimin e këtij materiali. Për më tepër, publikimi në fjalë nuk ka asnjë lidhje me Bankën Ekonomike apo aktivitetet tona zyrtare. Banka Ekonomike mbetet e përkushtuar ndaj mbrojtjes së imazhit dhe reputacionit të saj dhe gjithmonë ndjek procedurat për të siguruar që materiali i saj publik të përdoret në mënyrë të drejtë dhe të autorizuar. Vlerësojmë bashkëpunimin tuaj për këtë verifikim dhe ju inkurajojmë të na kontaktoni për çdo pyetje apo sqarim shtesë”, – thuhet në përgjigjen e Bankës Ekonomike.
|