Publikimi i rremë për Ganimete Musliun
Deklarata
Kur ishim ne lulëzonte Kosova
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi me përmbajtjen “Kur ishim ne lulëzonte Kosova” i cili i atribuohet deputetes Ganimete Musliu është i rremë. Krypometër ka verifikuar se deputetja nuk e ka thënë një deklaratë të tillë.
Artikulli
Faqja në rrjetin social Facebook, ‘ Kosova Sot’ (arkiva) më 16 nëntor 2023 ka shpërndarë një lajm me titull “Ankohet Ganimete Musliu: Qytetarët e Kosovës për tri vjet rresht u keqtrajtuan nga Qeveria e Albin Kurtit” ( arkiva) .
Lajmi i shpërndarë është shoqëruar me një grafikë me fotografinë e deputetës së Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu.
Përshkrimi thotë se “Ganimete Musliu – Ganja: Qytetarët e Kosovës për tri vjet rresht u keqtrajtuan nga Qeveria e Albin Kurtit/”Kur ishim ne lulëzonte Kosova”.
Krypometër ka verifikuar nëse një deklaratë e tillë është thënë nga deputetja Ganimete Musliu.
Për të verifikuar këtë informacion Krypometri ka pyetur deputeten Musliu.
Në komunikim me Krypometrin me datë 19/11/2023 deputetja Musliu ka mohuar të ketë thënë këtë deklaratë, ndërsa ka referuar që për të verifikuar këtë deklaratë të dëgjohet fjalimi i plotë i saj në Kuvendin e Kosovës.
Deputetja e ka dërguar edhe fjalimin 9 minutësh të dhënë nga ajo në seancën e Kuvendit të Kosovës të mbajtur më 16 nëntor 2023.
Krypometër ka dëgjuar në plotni këtë material dhe është konstatuar se në të nuk është thënë deklarata “Kur ishim ne lulëzonte Kosova”.
Deputetja në këtë fjalim flet për buxhetin e ndarë nga qeveria për komunat e udhëhequra nga partia në pushtet, krahasuar me partitë që udhëheqen nga PDK.
Deputetja Musliu gjithashtu flet për kushtet në Policinë e Kosovës, FSK-në e Ministrinë e Bujqësisë.
Por, ajo nuk dëgjohet në këtë fjalim duke thënë “Kur ishim ne, lulëzonte Kosova”.