schema:text
| - Rrena se në Kosovë kërkohet klasifikues mbeturinash- oferta pune nga faqe të dyshimta
Deklarata
Si të gjeni një punë për klasifikimin e mbeturinave? Orari i hapjes 9:00 – 17:00, Nuk ka kufizime për moshën ose përvojen (disa pozicione mund të kenë kërkesa për moshën). Ofrohet trajnim
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Si të gjeni një punë për klasifikimin e mbeturinave? Orari i hapjes 9:00 – 17:00, Nuk ka kufizime për moshën ose përvojen (disa pozicione mund të kenë kërkesa për moshën). Ofrohet trajnim”- është i rremë. Në Kosovë nuk janë hapur shumë vende të punës për klasifikim të mbeturinave, si pretendohet në këtë postim. Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë, e cila i menaxhon deponitë e mbeturinave nuk e bënë klasifikimin e mbeturinave.
Artikulli
Më 10.12.2024, faqja në Facebook Daily Dose of Delight (arkiva) ka publikuar një ofertë pune.
“Si të gjeni një punë për klasifikimin e mbeturinave? Orari i hapjes 9:00 – 17:00, Nuk ka kufizime për moshën ose përvojen (disa pozicione mund të kenë kërkesa për moshën). Ofrohet trajnim”- shkruan në infografikën e publikuar.
Kur klikon mbi këtë njoftim, linku të dërgon tek uebfaqja tesghjfghgkkjt.com, e cila nuk ka asgjë të publikuar rreth klasifikimit të mbeturinave. Domenin tesghjfghgkkjt.com e ka kontrolluar Krypometri përmes platformës Whois. Kjo faqe është regjistruar më 01.07.2024.
Krypometër ka kontrolluar nëse emri i faqes, në Facebook, është i regjistruar si biznes në Kosovë. Në Agjencinë për Regjistrim të Bizneseve (ARBK) nuk është asnjë biznes i regjistruar me emrin Daily Dose of Delight.
Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë është ndërrmarrje publike, e cila i menaxhon deponitë e mbeturinave për të gjithë Kosovën. Në faqen e kësaj ndërmarrjeje nuk ka informacione për ndarjen dhe klasifikimin e mbeturinave, mirëpo në një Raport vjetor të saj flitet vetëm për totalin e mbeturinave të paklasifikuara, që janë grumbulluar brenda një viti.
Në uebfaqen e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë janë publikuar disa Konkurse, kryesisht pozita profesionale.
Krypometri po ashtu ka biseduar edhe me kryeshefin e kompanisë për menaxhimin e deponive, Dardan Velija.
Ai ka konfirmuar se në Kosovë nuk bëhet klasifikimi i mbeturinave as nga kompanitë e pastrimit pos as nga deponitë.
“Në Kosovë njëherë për njëherë nuk bëhet klasifikimi i mbeturinave. Ligji për menaxhimin e integruar të mbeturinave është duke u përgatitur dhe presim të shohim se si do të rregullohet kjo çështje pasi që klasifikimi i mbeturinave do të na letonte edhe neve punën. Ndonëse ne i kemi të caktuara cilat mbeturina mund të pranohet në deponi.”- ka thënë Velija.
Krypometër ka kërkuar po ashtu edhe në faqet e internetit në të cilat publikohen Konkurse pune në Kosovë, si KosovaJob dhe PortalPune, mirëpo aty nuk është hasur ndonjë Konkurs i ngjashëm.
Shkamb Kërleshi, nga portali KosovaJob, ka thënë se për t’u publikuar një Konkurs në faqen KosovaJob i ndjekin disa hapa të verifikimit.
“Fillimisht, e shikojmë nëse kanë uebfaqe të kompanisë, si dhe nëse ka të dhëna që mund të verifikohen si: emri i personit, numri i kontaktit dhe uebfaqja”.
“Në rast se nuk ka të dhëna të kontaktit, e cilësojmë si të dyshimtë.”- ka sqaruar Kërleshi.
Krypometër ka kontaktuar edhe me Ardit Krasniqin, nga PortalPune, i cili ka thënë se Konkurset të cilave iu mungojnë informatat elementare janë mashtruese. Sipas tij, secili Konkurs duhet të ketë disa informata bazike si: adresa elektronike, një numër telefoni etj.
“Ne e kërkojmë atë numër identifikues, në mënyrë që me ditë se kush po shpall punë, edhe ku është adresa e shpallësit, si dhe kush është pronari, në mënyrë që mos me manipulu me punëkërkuesit.”- ka thënë ai.
|