Titulli i rremë se 9 persona janë vrarë në natën finale të Big Brother në Shqipëri
Deklarata
“Fitues u shpall Luiz Ejlli mirëpo kjo ngjarje sapo ndodhi, 9 persona sapo jan vrarë në..”
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “Fitues u shpall Luiz Ejlli mirëpo kjo ngjarje sapo ndodhi, 9 persona sapo jan vrarë në..” ka përmbajtje të rreme. Nata finale e programit Big Brother Albania nuk ka asnjë ndërlidhje me vrasjen e 9 personave në Serbi. Në artikull nuk ka asnjë informacion për natën finale në Big Brother Albania. Në fotografinë e përdorur për të ilustruar artikullin, shihet një veturë e Policisë së Kosovës, gjë e cila i lë lexuesit të nënkuptojnë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë.
Artikulli
Më 6 maj 2023 faqja e internetit “mërgimtari.net” ka publikuar një artikull me titull “Fitues u shpall Luiz Ejlli mirëpo kjo ngjarje sapo ndodhi, 9 persona sapo jan vrarë në..”.
E njëjta përmbajtje është publikuar edhe në faqet e Facebook: “Shqiptarët në Diasporë” dhe “Dardania Press”.
Edhe pse në titull përmendet nata finale e programit Big Brother Albania, në artikull nuk ka asnjë të dhënë për ngjarje me 9 presona të vrarë. Madje, në artikull nuk është argumentuar fakti që nata finale e BigBrother Albania është në çfarëdo forme e ndërlidhur me vrasjen e 9 personave.
Përmbajtja e artikullit ka të bëjë me vrasjen e nëntë personave në Beograd të cilët mbeten të vdekur më datë 3 maj pas disa të shtënave me armë zjarri që ndodhën në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar”.
Edhe pse vrasja kishte ndodhur 3 ditë para publikimit të lajmit e njëjta është paraqitur si lajm i fundit.
Show televiziv në Shqipëri nuk ka ndërlidhje me ngjarjen ne Serbi. Në fotografinë e përdorur për të ilustruar artikullin, shihet një veturë e Policisë së Kosovës, gjë e cila i lë lexuesit të nënkuptojnë se ngjarja ka ndodhur në Kosovë.
Faqja “Shqiptarët në Diasporë” ka 13 mijë ndjekës në Facebook ndërsa faqja “Dardania Press” ka 73 mijë ndjekës në Facebook.