schema:text
| - Ilustrim
Rrena se shtetasi rus i shpallur non-grata po shëtiste nëpër Prishtinë
Deklarata
Shtetasi rus është parë në Prishtinë, ndonëse ishte shpallur person non-grata nga institucionet e Kosovës
Vlerësimi
Rrenë
Policia e Kosovës ka thënë se lajmi është i pavërtetë. Sipas tyre Dy shtetasit rus që janë shpallur non-grata e kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës. Personi i cili është publikuar dhe shfaqur në media përmes fotografive dhe videos, është punonjës në zyrën ruse në Kosovë.
Artikulli
Lajmi se një shtetas rus është parë në Prishtinë, ndonëse ishte shpallur person non-grata nga institucionet e Kosovës ishte publikuar nëpër disa media online në Kosovë.
Mediat si “Kosova.info” dhe “Botasot.info”, raportuan se “Rusi i shpallur person non-grata është parë në qendër të Prishtinës, afër Qeverisë dhe Presidencës”.
Këto raportime i ka mohuar Policia e Kosovës dhe Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Policia në një sqarim për media ka theksuar se informacionet janë të pavërteta.
“Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimet dhe publikimet e bëra në disa media televizive dhe të shkruara në Kosovë dhe Shqipëri, të cilat shfaqin tituj dhe video ekskluzive: ‘Rusi i shpallur non-grata nga Kosova shfaqet mes Prishtinës’”.
“Këto informacione janë të pavërteta dhe Policia sqaron se: Dy personat Alexey Krivosheev dhe Denis Vengerskii shtetas rus, janë shpallur non-grata nga institucionet shtetërore të Kosovës me datë 22.10.2021, dhe bazuar në informacionet zyrtare të Policisë së Kosovës të evidentuara në sistemin kufitar, të njëjtit me datë 23.10.2021 (në ora 14:46 dhe 14:50), përmes pikës kufitare në Merdare kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në sqarimin e Policisë më datë 2 nëntor 2021.
PK-ja tutje ka shtuar se personat në fjalë nga data 23 tetor 2021, nuk kanë hyrë në Republikën e Kosovës, “ndërsa personi i cili është publikuar dhe shfaqur në media përmes fotografive dhe videos, është person tjetër (V.L.) i njohur për institucionet e sigurisë në Kosovë, si punonjës në zyrën ruse në Kosovë”.
Në anë tjetër, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) të martën në Facebook ka shkruar se lajmi që po qarkullon në disa media online lidhur me zyrtarin rus të shpallur person non-grata që kinse është parë në Prishtinë, është i pavërtetë.
Sipas MPJD-së, personi që është ekspozuar në media nuk është asnjëri nga zyrtarët e Zyrës Ndërlidhëse të Federatës Ruse në Kosovë, të cilët u shpallën persona non-grata ditë më parë nga MPJD-ja.
“MPJD, është në favor të informimit të drejt dhe të saktë dhe është e përkushtuar për të shmangur keqinformimin e audiencës”, thuhet në reagimin e tyre.
|