schema:text
| - Rrena se Policia arrestoi priftin serb që financoi “Grupin e Deçanit”
Deklarata
Policia e Kosovës nuk ndalet, arrestoi priftin serb që financoi “Grupin e Deçanit
Vlerësimi
Rrenë
Raportimet me tituj si “Policia e Kosovës nuk ndalet, arrestoi priftin serb që financoi “Grupin e Deçanit” janë të rreme. Policia e Kosovës nuk e ka arrestuar shtetasin nga Maqedonia e Veriut, mirëpo i njëjti është deportuar nga Kosova, pasi i ishte refuzuar paraprakisht kërkesa për vazhdim të lejeqëndrimit. Policia e Kosovës ka thënë se nuk ka asnjë informacion se i njëjti dyshohet të jetë financues i një grupi të qytetarëve që kanë formuar një lëvizje për braktisje të fesë. Edhe kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka thënë se personi në fjalë nuk është arrestuar.
Artikulli
Më datë 25/10/2023 faqja lideri.mk (Arkiva) ka publikuar një artikull me titull “Policia e Kosovës nuk ndalet, arrestoi priftin serb që financoi “Grupin e Deçanit”.
Artikulli është shpërndarë edhe në faqet e Facebook, Insajder.mk (Arkiva), Lider.tv (Arkiva), Radio Perëndimi (Arkiva), Gezim Selimaj (Arkiva), Prishtina (Arkiva), Ahmed Kalaja (Arkiva).
Në këtë artikull thuhet se Policia e Kosovës ka arrestuar një person “që ka vepruar i maskuar si prift i kishës serbe përmes të cilit është financuar e ashtuquajtura ’Lëvizje Vullnetare për braktisjen e Fesë Islame” ose “Grup i Deçanit”.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometri me datë 24/10/2023 ka kontaktuar me zëdhënësin e Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili ka thënë se personi në fjalë nuk është arrestuar nga Policia e Kosovës. Po ashtu, ai ka thënë se nuk ka informacione se i njëjti ka qenë i dyshuar si i ndërlidhur me rastin e Deçanit.
Ai ka thënë se shtetasi nga Maqedonia e Veriut është deportuar nga Kosova.
“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, Policia e Kosovës, në këtë rast Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migrim, shtetasit A.K, nga Maqedonia e Veriut i ka refuzuar kërkesën për vazhdim të lejeqëndrimit në RKS, sipas ligjit për të huaj 04/L-219.I njëjti me datë 20.10.2023, është deportuar nga Kosova për në shtetin e origjinës, përmes PKK-Hani i Elezit, pasi sipas ligjit për të huaj 04/L-219, personi paraqet rrezik për rendin dhe sigurinë publike të Republikës së Kosovës, mirëpo deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për shkrimet e publikuara në disa media maqedonase, përfshirë ato për kinse ndërlidhje apo financime të grupeve të ndryshme në Deçan etj.”- ka thënë ai.
Krypometri më datë 24/10/2023 ka kontaktuar me kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, për pretendimet e mediave se personi në fjalë është arrestuar si i dyshuar për financim të personave që kanë formuar një lëvizje për braktisje të fesë.
“Ne nuk kemi informacione për një arrestim të tillë”- ka thënë Isufaj.
Mediat raportuan se javën e kaluar në Komunën e Deçanit është formuar këshilli iniciues për formimin e të ashtuquajturës “Lëvizja për braktisjen vullnetare të fesë islame”, me moton “Të jemi vetëm shqiptar”.
|