schema:text
| - Rrena se Banka Raiffeisen dhuron nga 200 euro për klientët e saj
Deklarata
💰Raiffeisen Bank dhuron 200 € për klientët e saj për të plotësuar një anketë të shkurtër
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “💰Raiffeisen Bank dhuron 200 € për klientët e saj për të plotësuar një anketë të shkurtër”- është i rremë. Kjo fushatë është publikuar në një domen që nuk menaxhohet nga Raiffeisen Bank dhe e njëjta është hapur në ditën e publikimit, më 28.10.2024. Në faqen zyrtare të kësaj Banke nuk është publikuar asnjë fushatë e tillë. Nektar Zogiani nga Raiffeisen Bank ka thënë se kjo fushatë nuk është e iniciuar nga Banka, por është publikuar nga faqe të paautorizuara me qëllim të mashtrimit.
Artikulli
Më 28.10.2024 faqja në Facebook Artistic ivc5 (arkiva) ka publikuar një infografikë në të cilën pretendohet se Banka Raiffeisen dhuron nga 200 euro për klientët e saj.
“💰Raiffeisen Bank dhuron 200 € për klientët e saj për të plotësuar një anketë të shkurtër”- shkruan në titullin e saj.
Tutje thuhet se kjo lojë është vetëm për klientët e kësaj banke.
“Merr 200€ nga Raiffeisen Kosova! Vetëm për klientët Raiffeisen!”- shkruan në infografikën e publikuar.
Ndërsa kur klikon mbi këtë infografikë të dërgon tek ueb-faqja plusraiffeisenn-kosovo.in.net (arkiva), e cila nuk ka të publikuar asgjë dhe duket se faqja është mbyllur.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometri fillimisht ka verifikuar domenin plusraiffeisenn-kosovo.in.net dhe bazuar në të dhënat që janë në Whois.com (arkiva) rezulton se e njëjta është regjistruar më 28.10.2024 apo në ditën që është bërë postimi.
Krypometri tutje ka verifikuar se Raiffeisen Bank ka domenin zyrtar: https://www.raiffeisen-kosovo.com/sq/individe.html dhe aty nuk është publikuar asnjë njoftim për një lojë të tillë.
Tutje, Krypometri i ka dërguar pyetje kësaj banke për të verifikuar nëse e njëjta ka hapur një mundësi të tillë për konsumatorët e saj.
Nektar Zogiani nga Raiffeisen Bank, në një përgjigje me shkrim, ka thënë për Krypometër se kjo fushatë nuk është e inicuar nga banka, por është publikuar nga faqe të paautorizuara me qëllim të mashtrimit.
“Faqja që ju përmendët nuk është e lidhur me bankën tonë. Në këtë kontekst, këshillojmë klientët tanë dhe publikun të jenë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e kanaleve jozyrtare që kanë për qëllim mashtrimin”- ka thënë Zogiani.
Banka Raiffeisen në Kosovë është degë e Raiffeisen Bank International AG (RBI).
RBI erdhi në Kosovë në fund të vitit 2002, duke blerë pjesën më të madhe të aksioneve të Bankës Amerikane të Kosovës.
Në qershor të vitit 2003, Banka u riemërua si Banka Raiffeisen në Kosovë.
|