schema:text
| - Rrena se aktakuzën për Radoiçiqin po e zvarrisin partitë opozitare
Deklarata
Opozita kosovare nuk po ngre akuza ndaj Milan Radojiciqit, i cili së bashku me terroritët e tij, ndër të tjera vranë policin Afrim Bunjaku. Mendja e shëndoshë të le të kuptosh se ata kanë punuar së bashku gjerësisht dhe për këtë arsye nuk mund të bëjnë asgjë
Vlerësimi
Me kos
Përshkrimi i videos “Opozita kosovare nuk po ngre akuza ndaj Milan Radojiciqit, i cili së bashku me terroritët e tij, ndër të tjera vranë policin Afrim Bunjaku. Mendja e shëndoshë të le të kuptosh se ata kanë punuar së bashku gjerësisht dhe për këtë arsye nuk mund të bëjnë asgjë” është i rrremë. Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Prokurorin e Shtetit, monopolin e ngritjes së aktakuzave e ka vetëm Prokuroria e Shtetit. Partitë opozitare nuk kanë asnjë komentencë në ngritjen e aktakuzave. Kryeministri i Kosovës në fjalën e tij nuk ka folur se “opozita nuk po e ngritë aktakuzën”, por ka folur për Prokurorinë e Shtetit. I kontaktuar nga Krypometër, prokurori i rastit të sulmit në Banjskë, Naim Abazi, ka thënë se ende nuk kanë ngritur aktakuzë për këtë rast pasi është në fazën e hetimeve.
Artikulli
Më 10 janar 2024, në faqen në Facebook “Diaspora Vetëvendosje’ është publikuar një video në të cilën shihet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke folur për rastin e sulmit terrorist të Banjskës që kishte ndodhur më 24 shtator 2023.
Kryeministri Kurti në këtë video flet për mos ngritje të aktakuzës ndaj Radoiçiq duke marrë për bazë faktin që i njëjti e ka pranuar se ka kryer sulmin, por Prokuroria ende nuk ka ngritë aktakuzë.
“Si është e mundur që Milan Radoiçiq e pranon që e ka kryer krimin e nuk ka aktakuzë?”- pyet Kryeministri Kurti.
Kjo video është edituar duke u shtuar fotografitë e liderëve dhe ish-liderët e opozitës së Kosovës si dhe është mbivendosur ky shkrim: “Opozita kosovare nuk po ngre akuza ndaj Milan Radojiciqit, i cili së bashku me terroritët e tij, ndër të tjera vranë policin Afrim Bunjaku. Mendja e shëndoshë të le të kuptosh se ata kanë punuar së bashku gjerësisht dhe për këtë arsye nuk mund të bëjnë asgjë”.
Meqë kryeministri Kurti flet për aktakuzën dhe në tekst thuhet se “Opozita kosovare nuk po ngre akuza ndaj Milan Radoiçiqit”, Krypometër ka analizuar Kushtetutën dhe Ligjet në fuqi për të parë nëse është në kompetencë të opozitës ngritja e aktakuzave.
Kompetencat e deputetëve të Kosovës dhe të Kuvendit në tërësi janë të përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Partitë Politike garojnë në zgjedhje për të marrë pushtetin përmes sigurimit të shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Përfaqësuesit e opozitës në parlamentin e Kosovës, janë të zgjedhur të popullit për përfaqësimin e interesave të tyre dhe nuk është kompetencë e tyre ngritja e aktakuzës për persona të dyshuar në kryerjen e veprave penale.
Është fakt notor që monopoli për ngritje të aktakuzës i përket vetëm dhe vetëm prokurorisë, si specifikohet në legjislacionet e vendit tonë si dhe strukturimin e ndarjes së pushtetit, ku bëjnë pjesë Legjislativi, Ekzekutivi dhe Gjyqësori.
Siç specifikohet në Kushtetutën e Kosovës si akti më i lartë juridik i vendit, Prokurori i Shtetit është autoriteti i vetëm për ndjekjen e personave të akuzuar për ndonjë vepër penale.
“Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale të personave të akuzuar për ndonjë vepër penale ose për ndonjë vepër tjetër, sikurse është rregulluar me ligj”- thotë neni 109 i Kushtetutës së Kosovës.
Se është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit për ngritje të aktakuzës e thotë edhe Ligji për Prokurorin e Shtetit.
“Prokurori është i autorizuar të iniciojë hetime penale, të paraqesë aktakuzë, të zhvillojë ndjekjen penale apo të kryejë detyra apo funksione të tjera prokuroriale që janë në përputhje me legjislacionin në fuqi”- thotë ligji për Prokurorin e Shtetit duke i dhënë të gjitha të drejtat për ngritje të aktakuzës, hetime penale dhe ndjekje penale vetëm Prokurorisë.
Deri më tani, lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të 24 shtatorit të vitit 2023, janë të dyshuar tre persona të cilët janë në masën e paraburgimit dhe hetimet për këtë rast janë duke ende vazhduar.
Lidhur me këtë rast kemi edhe fletarrest ndërkombëtar nga INTERPOL ndaj Milan Radoiçiq.
Partitë që tash janë në opozitë, PDK, LDK dhe AAK, gjatë qeverisjes së tyre në periudha të ndryshme kanë qenë në koalicionë edhe me partinë Lista Serbe.
Lista Serbe për herë të parë ka garuar në zgjedhjet e vitit 2014. Nga ajo kohë, Lista Serbe ka qenë vazhdimisht pjesë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, edhe në rastet kur votat e deputetëve nuk kanë qenë vendimtare në zgjedhjen e Qeverisë.
Krypometër përmes kërkimeve në internet ka gjetur se të gjitha partitë opozitare e kanë dënuar sulmin në Banjskë, në të cilin dyshohet se ishte i përfshirë Millan Radoiçiq.
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj dy ditë pas sulmit të Banjskës, më 26 shtator 2023, kishte kërkuar hetim ndërkombëtar për sulmin terrorist nga grupi i armatosur serb që ndodhi të dielën në Banjskë të Zveçanit, kur u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku.
“Situata e krijuar si rezultat i përfshirjes së drejtpërdrejt të Serbisë në sulmet e armatosura të grupeve kriminale në veri, kërkon hetim ndërkombëtar”- kishte shkruar Haradinaj në Facebook.
Lidhur me sulmin terrorist në Banjskë, reagim kishte pasur edhe nga Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i cili kishte kërkuar kërkuar nga institucionet e rendit dhe drejtësisë që tē sjellin autorët e këtij krimi sa më parë para drejtësisë.
“Sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës dhe vrasja e një polici në detyrë, janë sulme ndaj Republikës së Kosovës dhe vet rendit Kushtetues. Në emër të LDK-së, shprehi ngushëllimet më të thella familjes së policit të vrarë. Policit të plagosur, Alban Rashiti, ndërsa i uroj shërim të shpejtë” – kishte shkruar në Facebook Lumir Abdixhiku, në mëngjesin e 24 shatorit të vitit 2023.
Reagim kishte pasur edhe nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i cili kishte kërkuar nga Bashkësia Ndërkombëtare hetim urgjent për sulmin në Banjskë.
“Sot i bëjmë thirrje komunitetit ndërkombëtar për hetim emergjent për të hetuar përfshirjen e shtetit serb në këtë sulm. Bashkësia ndërkombëtarë ta njoh agresionin e vazhdueshëm. Konfirmimi i përfshirjes se Radoiçiqit, armatimi, strehimi në Serbi, shpallja e ditës zie tregojnë lidhjen me grupin”- kishte thënë Krasniqi.
Krypometër ka kontaktuar me zëdhënësin e Partisë Demokratike të Kosovës, Valmir Klaiqi rreth konstatimit të bërë në postim “Opozita kosovare nuk po ngre akuza ndaj Milan Radojiciqit, i cili së bashku me terroritët e tij, ndër të tjera vranë policin Afrim Bunjaku. Mendja e shëndoshë të le të kuptosh se ata kanë punuar së bashku gjerësisht dhe për këtë arsye nuk mund të bëjnë asgjë”.
Klaiqi ka thënë se ky është një konstatim i rremë.
“Lajme të rreme sikur ky publikohen dhe sponsorizohen në vazhdimësi prej shumë vitesh kundër PDK-së. Institucionet përgjegjëse duhet të jenë më aktive në veçanti sektori i krimeve kibernetike që t’i zbulojnë autorët e këtyre informacioneve të rrejshme dhe t’i sjellin para drejtësisë”- ka thënë Klaiqi për Krypometër.
Krypometër ka kontaktuar me prokurorin e rastit të sulmit në Banjës, Naim Abazi, e cili ka thënë se ende nuk kanë ngritur aktakuzë për këtë rast pasi është në fazën e hetimeve.
|