schema:text
| - Përdorimi i fotografisë së Vjosa Osmanit për prodhim të informacioneve të rreme
Deklarata
Pensionet e Kosovës do të rriten ndjeshëm në vitin 2024!
Vlerësimi
Rrenë
Postimi me fotografinë e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe me mbishkrimin: “Pensionet e Kosovës do të rriten ndjeshëm në vitin 2024!”- janë të rreme. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bazuar në kompetencat që janë përcaktuar në Kushtetuten e Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca për rritje të pensioneve. Ajo i shpall ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, por gjatë vitit 2024 nuk është miratuar ndonjë ndryshim ligjor që parasheh rritjen e pensioneve. Edhe Qeveria e Kosovës ka njoftuar se nuk ka marrë ndonjë vendim që parasheh rritje të pensioneve.
Artikulli
Më 03.08.2024 faqja në Facebook Chirstest2-service (arkiva) ka publikuar një infografikë për rritje të pensioneve, duke përdorur fotografinë e presidentes Vjosa Osmani.
“Pensionet e Kosovës do të rriten ndjeshëm në vitin 2024!”, – shkruan në titullin e kësaj infografike, duke i listuar edhe vitet e lindjes nga 1940 deri më 1980.
Kur klikon mbi këtë lajm të dërgon te një ueb faqe (arkiva) e cila s’ka ndonjë informacion siç paralajmëron faqja në Facebook.
Krypometër ka kontrolluar faqen zyrtare të Presidencës së Kosovës mirëpo aty nuk është publikuar asnjë njoftim për rritje të pensioneve. Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, presidenti i Kosovës nuk ka kompetenca (neni 84) në përcaktimin e lartësisë së pensioneve. Presidentja e Kosovës i shpall ligjet që miratohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, prandaj Krypometër ka kontrolluar ligjet e publikuara në Gazetën Zyrtare dhe rezulton se gjatë vitit 2024 nuk është miratuar ndonjë ndryshim ligjor apo ndonjë ligj i ri që parasheh rritjen e pensioneve.
Për të verifikuar postimin, Krypometër ka kontaktuar me kabinetin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani. Egnesa Vitia, këshilltare e presidentes, ka thënë se nuk është marrë asnjë vendim për rritje të pensioneve.
“Postimi për rrijtjen e pensioneve i cili po publikohet në disa faqe në Facebook është totalisht i pa saktë” – ka thënë Egnesa Vitia për Krypometër.
Krypometër ka kontaktuar edhe më zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili e ka mohuar të jetë marrë ndonjë vendim për rritje të pensioneve.
Pensionet në Kosovë
Pensionistët e Kosovës që kishin punuar para vitit 1999 kanë paguar kontributet pensionale, megjithatë pas luftës ata nuk i kanë marrë pensionet bazuar në kontributet pensionale që kishin paguar ndër vite. Serbia nuk e kishte kthyer në Kosovë sasinë e parave që pensionistët nga Kosova kishin kontribuar në Fondin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor të Republikës së Jugosllavisë.
Për pasojë, pensionistët e Kosovës për vite të tëra janë paguar vetëm nga buxheti i Republikës së Kosovës për pensionet bazike të pleqërisë. Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës në muajin korrik të vitit 2024 ishin 149,504 pensionistë që kishin marrë vetëm pensione bazike të moshës që është 100 euro në muaj. Kurse janë 48,314 pensionistë që marrin nga 198 euro e deri në 260 euro pensione kontributdhënëse, në varësi të shkollimit që kanë.
Përveç këtyre, pensionistët që kanë punuar pas vitit 2002 dhe që kanë kontribute në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK), i marrin edhe mjetet që ata i kanë kurser gjatë kësaj kohe.
FKPK, ose siç njihet ndryshe Trusti, është krijuar bazuar në ligj dhe sipas modelit të kontributeve pensionale të definuara, që nënkupton se secili kontribues kursen për pension në një llogari personale. FKPK-ja është themeluar në dhjetor të vitit 2001 dhe ka filluar aktivitetin në gusht të vitit 2002 për të administruar dhe menaxhuar kontributet e obligueshme pensionale (dhe vullnetare) të të punësuarve në Kosovë.
Aktivitetin e përgjithshëm të FKPK-së e rregullon Kuvendi i Kosovës, ndërsa e mbikëqyr Banka Qendrore e Kosovës (BQK) dhe aktivitet kryesor ka mbajtjen dhe investimin e kontributeve pensionale të kursyera nga qytetarët e Kosovës gjatë marrëdhënies së punës. Fondi i Kursimeve mbushet nga pagesat e obligueshme pensionale që janë 10% e pagës së të punësuarit, prej të cilave 5% paguhen nga punëdhënësi e 5% nga punëtori.
|