schema:text
| - Rrena se gjiza, vaji e farat e lirit shërojnë kancerin
Deklarata
“Kombinimi i farave të lirit, gjizës dhe vajit mund të trajtojë me sukses kancerin dhe sëmundje të tjera”
Vlerësimi
Me kos
Është i rremë konstatimi se “kombinimi i farave të lirit, gjizës dhe vajit mund të trajtojë me sukses kancerin dhe sëmundje të tjera”. Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se i vetemi mjekim për kancerin është mjekimi onkologjik i aprovuar dhe rekomanduar nga protokolet klinike- shkencore për trajtimin e kancerit!. Specialisti i mjekësisë së përgjithshme, Fevzi Sylejmani, ka thënë se kanceri nuk mund të shërohet me një recetë të tillë.
Artikulli
Më 08.10.2024 faqja në Facebook Aktualitete (arkiva) ka publikuar një artikull duke pretenduar se kombinimi i farave të lirit, gjizës dhe vajit mund të shërojnë disa sëmundje, ndër to edhe kancerin.
“Një biokimìste e njohur gjermane, zbulon se një kombìnìm ì farave të lìrit, gjizës dhe vajìt mund të trajtojë me sukses. Lajmi i plote ne koment”- është titulli i këtij artikulli.
Lajmi i njëjtë është shpërndarë edhe në ueb-faqen news25story.xyz (arkiva) dhe aty është thënë se kjo recetë mund të shërojë edhe kancerin.
“Dr. Budëwig, një biokimiste e njohur gjermane, zbuloi se një kombinim i farave të lirit, gjizës dhe vajit mund të trajtojë me sukses ka nce rin dhe sëm undje të tjera”- thuhet në artikull.
Krypometër ka kërkuar në internet për biokimisten “Dr. Budëwig” mirëpo nuk ka gjetur asnjë të dhënë për një mjek të tillë.
Tutje është thënë se kjo recetë bëhet me disa përbërës, si: vaj, gjizë dhe fara liri.
Onkologia Brunilda Profka Haxhiu ka thënë se nuk ka shumë njohuri për mjekësinë alternative dhe se për çdo gjë i referohet zbulimeve shkencore.
“Për çdo gjë duhet t’i referohen hulumtimeve klinike me bazë shkencore. Ne i referohemi evidencës bazë dhe protokolleve që dalin prej studimeve të randomizuara që janë mbi të gjitha”- ka thënë Profka Haxhiu.
Ndërsa drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se ka vetëm një mjekim për kancerin, ai i rekomanduar shkencërisht.
“I vetmi mjekim për kancerin është mjekimi onkologjik i aprovuar dhe rekomanduar nga protokolet klinike- shkencore për trajtimin e kancerit!”- ka thënë Kurtishi.
Krypometri për këtë pretendim ka biseduar edhe me drejtorin e QKMF-së në Mitrovicë, Fevzi Sylejmani, i cili ka thënë se kjo teori, se me një recetë të tillë shërohet kanceri, është e rreme.
“Nuk ka shancë, ende nuk është zbuluar ndonjë ilaç për kancerin, ai që e zbulon ndonjë bari për këtë sëmundje është i ‘mbrrim’ prej Perendisë. Kjo është teori konspirative”- ka thënë Sylejmani.
|