schema:text
| - Video e vjetër e Mimoza Kusari- Lilës publikohet me përshkrim të rremë
Deklarata
Pas bisedava dhe sms Mimoza Kusari dhe Simiq tregon edhe per takimin ne Kopaunik
Vlerësimi
Me kos
Video në të cilën shihet kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, e publikuar me mbishkrimin “Pas bisedava dhe sms Mimoza Kusari dhe Simiq tregon edhe per takimin ne Kopaunik😅- është e manipuluar. Video është shkëputur nga një emision veror i transmetuar në Radio Televizionin e Kosovës, në të cilin nuk është folur për Kopaonikun apo bisedën me ish-shefin e Grupit Parlamentari të Listës Serbe, Sllavko Simiq. Kusari- Lila ka thënë se video është manipuluar me efekt për t’i dhënë konotacion të papërshtatshëm për publikun.
Artikulli
Më 16.10.2024 faqja në Facebook Prishtina (arkiva) ka publikuar një video pa zë të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Mimoza Kusari- Lila, me titull “Pas bisedava dhe sms Mimoza Kusari dhe Simiq tregon edhe per takimin ne Kopaunik😅”.
Në videon e publikuar nga faqja Prishtina (arkiva) shihet llogo e Radio Televizionit të Kosovës, prandaj Krypometër ka kërkuar emisionet në të cilat ka marrë pjesë Mimoza Kusari- Lila dhe ka gjetur videon e plotë që ishte publikuar më 08.07.2019 dhe ishte emisioni ‘Vera RTK’
Në këtë emision kishte biseda të ndryshme e lojëra por aty nuk ishte folur asgjë për bisedat me e Kusari- Lilës me zyrtarët e partisë Lista Serbe. Madje, kjo video ishte realizuar në vitin 2019, tri vjet para se të zhvillohet biseda në mes të kryetares së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila dhe kryetarit të Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Përveç kësaj, Krypometër ka kontaktuar edhe me shefen e GP të LVV-së, Mimoza Kusari- Lila, e cila ka thënë se kjo video është e manipuluar.
“Kjo video është e para disa viteve e emisionit veror në RTK, ndërsa veprimi im është i montuar, pasi loja ka qenë me zare dhe para hedhjes unë i përziej zaret. Video është manipuluar me efekt për t’i jap konotacion të papërshtatshëm për publikun”- ka thënë Kusari- Lila.
Kjo video është publikuar pas publikimit të disa bisedave që Kusari-Lila pretendohet se kishte bërë me shefin e Grupit Parlamentar të Listës Serbe, Sllavko Simiq.
Në këto biseda që pretendohet se janë bërë përmes mesazheve në WhatsApp përmendet edhe qendra turistike në Kopaonik.
Ajo ka thënë se këto biseda nuk janë të plota, mirëpo nuk ka konstatuar se nga kush janë bërë këto ndërhyrje, Simiqi apo media që e ka publikuar.
Kusari- Lila ka thënë se edhe këtë rast e ka dërguar në organet e rendit duke thënë se i ka të ruajtura të gjitha mesazhet e shkëmbyera me Simiqin.
Në emisionin Konfront në KTV më 15.10.2024, Kusari- Lila ka thënë se vitin e kaluar (2023) nuk e ka kontestuar vërtetësinë e materialit që është plasuar në media rreth bisedës së saj me Simiqin, por sipas saj ka pasur ndërprerje të shumta në atë bisedë.
“Vitin e kaluar nuk e kam kontestuar vërtetësinë në kuptimin e materialit që është publikuar por ka qenë evidente që nuk ka qenë një bisedë e tërë, ka pasur shumë ndërprerje dhe janë vënë tituj të temave të bisedave sipas vullnetit, dëshirës apo edhe qëllimit të synimit të autorit. Në zyrë ka ndodhur biseda e plotë”- ka thënë Kusari- Lila.
|