Fotografia e manipuluar e Rozeta Hajdarit
Deklarata
I kam vjedh rezervat e shtetit SU BA NAMI
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi me titull: “I kam vjedh rezervat e shtetit SU BA NAMI” dhe “Çka janë 9 ton për marakli” është i rremë. Ministrja Hajdari e ka mohuar të ketë deklaruar diçka të tillë.
Artikulli
Më 4 gusht 2023, në faqen e Facebook-ut “Shekulli.info është publikuar një fotografi në të cilën shihet ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari me një letër në duar me dy mbishkrime “I kam vjedh rezervat e shtetit SU BA NAMI” dhe “Çka janë 9 ton për marakli”.
Krypometri ka kontrolluar postimin origjinal të fotografisë të publikuar në faqen e facebook të Rozeta Hajdari. Postimi i datës 04/08/2023 dokumenton se në formën origjinale të fotografisë ministrja Hajdari në dorë mbanë dosjen e padisë që ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Për të verifikuar nëse ministrja Rozeta Hajdari i ka thënë deklaratat “I kam vjedh rezervat e shtetit SU BA NAMI” dhe “Çka janë 9 ton për marakli” krypometri me datë 04/08/2023 ka kontaktuar ministren Rozeta Hajdari.
Ajo në një përgjigje të shkruar ka thënë: “Këtë deklaratë nuk e kam thënë asnjëherë në asnjë prononcim as publikim timin, prandaj edhe përmbajtja tekstuale edhe fotografia janë të manipuluara dhe nuk kanë të bëjnë me atë që kemi postuar në rrjetet sociale”
Me datë 04/08/2023 Rozeta Hajdari ka njoftuar se ka dorëzuar padi për shpifje ndaj Gazetës Nacionale, gazetarit Berat Buzhala dhe zyrtarit të MINT, Enver Hajrullahu.
Përmes një postimi në Facebook, ajo ka thënë se raportimet e fundit nga ky medium janë bërë për ta cenuar integritetin e saj.
“Tentimet e dështuara për të cenuar integritetin dhe dinjitetin tim, përmes disa audio-incizimeve por edhe duke i dhënë vehtes të drejtën për të shpifur, duke shantazhuar dhe shpërndarë informacione të pavërteta, do të marrin epilog në organet e drejtësisë”– ka shkruar ajo në facebook.