schema:text
| - Rrena për Xhaminë Qendrore të Pristhinës
Deklarata
Xhamia që u nis të ndërtohet nga Lavdërim Muhaxheri do të quhet “XHAMIA ÇUBRILOVIÇ”
Vlerësimi
Rrenë
Postimi “Xhamia që u nis të ndërtohet nga Lavdërim Muhaxheri do të quhet “XHAMIA ÇUBRILOVIÇ” është i rremë. Gurthemeli i Xhamisë Qendrore është vënë nga krerët e Bashkësisë Islame dhe ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaaga. Kjo Xhami nuk e ka emrin “Xhamia Çubriloviç”, por aktualisht quhet “Xhamia Qendrore”. Lavdrim Muhaxheri, ka qenë pjesë e luftës në Siri dhe Irakë, ndërsa është raportuar se i njëjti është vrarë në vitin 2015.
Artikulli
Më 15/02/2024 në faqen në Facebook “𝕲𝖏𝖊𝖗𝖌𝖏 𝕶𝖆𝖘𝖙𝖗𝖎𝖔𝖙𝖎” (Arkivi) është shpërndarë një fotografi thuhet se “Xhamia që u nis të ndërtohet nga Lavdërim Muhaxheri do të quhet “XHAMIA ÇUBRILOVIÇ”, për nder të ideatorit fillestar të saj”.
Në fotografinë e shpërndarë shihen themelet e Xhamisë Qendrore në Prishtinës dhe një mbishkrim “Xhamia Çubriloviç”.
Për të parë nëse ndërtimi i Xhamisë Qendrore të Pristhinës është nisur nga Lavdërim Muhaxheri, Krypometër ka kontrolluar ditën e vënies së gurthemelit të saj.
Në faqen zyrtare të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) thuhet se gurthemeli i Xhamisë Qendrore është bërë më 08.10.2012.
“Me një ceremoni madhështore, në të cilën merrnin pjesë udhëheqësit më të lartë të vendit, presidentja znj. Atifete Jahjaga, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, kryeministri i Kosovës , Hashim Thaçi, pastaj përfaqësuesit e bashkësive fetare, ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, peshkopi i kishës ortodokse serbe për Kosovë, Teodosije, prijësit e bashkësive islame nga Shqipëria e Maqedonia, haxhi Selim Muça dhe Sulejman Rexhepi, ministra, ambasadorë, përfaqësues të spektrit politik e jopolitik, si dhe shumë besimtarë nga të gjitha rrethet e vendit, u bë hedhja e gurthemelit për xhaminë Qendrore në Prishtinë”- thuhet në njoftimin e BIK për fillimin e ndërtimit të kësaj Xhamie.
Për të verifikuar pretendimet e ngritura në këtë postim, Krypometër ka kontaktuar me Bashkësinë Islame të Kosovës.
Drejtori i Zyrës për Informim në Bashkësinë Islame të Kosovës, Ramadan Shkodra ka thënë se nismëtar dhe pronar i xhamisë është vet BIK-u.
“Xhamia është projektuar, është kërkesë e besimtarëve që herët, kërkesën e ka iniciuar Bashkësia Islame ndërsa gurthemelin e saj e ka vënë presidentja e Kosovës, zonja Jahjaga, kryeministri, myftiu dhe të gjithë elita shtetërore dhe e BIK në pikë të ditës në Prishtinë në transmetim të drejtpërdrejtë (Arkivi) të telvizionit të Kosovës. Kur ka nisur Lavdrim Muhaxheri xhami nuk e di, por ai s’ka të bëjë me këtë fare. Për tu nisur xhamia organet e komunës duhet të japin truall, gjë që e ka bërë Komuna e Prishtinës”- u shpreh Shkodra.
Ai ka thënë se Xhamia nuk do të quhet “Xhamia Çubriloviç”, si pretendohet në këtë faqe.
“Xhamia për momentin e ka emrin Xhamia Qendrore e Kosovës. Ku është dëgjuar në botë që një tempull mysliman të mbajë emrin e një njeriu të huaj, një armikut të popullit shqiptar e myslimanëve dhe një jo-myslimani. Pallavra të islamofobëve”- tha Shkodra për Krypometër.
Tutje ai tha se emri aktualisht do të mbesë i njëjtë, por nëse ndryshohet do të bëhet nga vet BIK.
Gurthemeli i Xhamisë Qendrore është vendosur më 08.10.2012, ndërsa ndërtimi i saj ka filluar më 15/07/2020 (Arkivi).
Një javë më vonë, më 22/07/2020 (Arkivi) një grup qytetarësh kishin protestuar para vendpunishtes, përderisa një grup tjetër kishin dalë aty për ta mbështetur ndërtimin e saj.
Ndërtimet kishin filluar, mirëpo leja për ndërtimin e kësaj xhamie ishte lëshuar më 13/06/2022 (Arkivi).
Një gurthemel në rrugë jo-zrytare e në formë të protestës për një Xhami ishte vënë edhe në Kampusin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” (Arkivi), nga Lavdrim Muhaxheri (Arkivi), i cili është raportuar se është vrarë në luftën Siri dhe Irak.
|