schema:text
| - Haskuka publikon kontratat me bizneset
Deklarata
Haskuka: Pas marrjes së detyrës do të mundohemi të nxjerrim të gjitha dokumentet, të cilat kanë të bëjnë me vendimmarrjen në Komunë, në mënyrë radikale, tre ose gjashtë muajt e parë, më së voni gjashtë muajt e parë, ngase në çdo sektor mundet me na u dashtë një kohë më e madhe
Vlerësimi
E vërtetë
Një ndër prioritetet e Haskukës ishte hapja e Komunës. Krypometri kishte konstatuar se Prizreni ka filluar publikimin e disa dokumenteve të rëndësishme, mirëpo i mungonin edhe kontratat. Tash Prizreni është në mesin e komunave që i ka hapur kontratat, përkundër që nuk ka obligim ligjor për një gjë të tillë. KRPP-ja, në bashkëpunim me USAID-in, e ka marrë iniciativën për hapjen e kontratave nga të gjitha institucionet përmes ndryshimit të akteve nënligjore.
Artikulli
Komuna e Prizrenit i ka publikuar kontratat e lidhura me operatorët ekonomikë. Prizreni bëhet komuna e tetë në Kosovë që ka publikuar kontratat e lidhura me bizneset për kryerjen e punëve dhe ofrim të shërbimeve apo furnizime.
Këtë premtim Mytaher Haskuka e kishte bërë në “DebatPernime” në kohën e zgjedhjeve komunale.
Haskuka kishte thënë se këtë premtim do ta realizonte në gjashtëmujorin e parë të qeverisjes së Prizrenit nga ai. Por, ky realizim ka ndodhur pas tetë muajsh.
“Tre mandate Komuna e Prizrenit ka qenë më së paku transparente, e cila ka pasur më shumë probleme në aspektin e projekteve, të cilat i ka bërë Komuna dhe qytetarët nuk kanë ditë kurrgjë çka po ndodhë me Komunën e Prizrenit. Ne në pikën e parë e kemi pasur “Prizreni komunë e hapur” dhe menjëherë pas marrjes së detyrës do të mundohemi të nxjerrim të gjitha dokumentet, të cilat kanë të bëjnë me vendimmarrjen në Komunë, në mënyrë radikale, tre ose gjashtë muajt e parë, më së voni gjashtë muajt e parë ngase në çdo sektor mundet me na u dashtë një kohë më e madhe”, kishte thënë Haskuka në “DebatPernime”.
Komuna e Prizrenit ka filluar me publikim të kontratave me datën 10 gusht të këtij viti.
|