schema:text
| - Lajmi i rremë për tërmet të ri në Nepal
Deklarata
Të paktën 128 njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga tërmeti i fuqishëm që goditi rajonin Jajarkot të Nepalit perëndimor të premten, thanë zyrtarët sot
Vlerësimi
Me kos
Lajmi i publikuar më 10.03.2024 se “të paktën 128 njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga tërmeti i fuqishëm që goditi rajonin Jajarkot të Nepalit perëndimor të premten, thanë zyrtarët sot” është i rremë. Në mars të vitit 2024 nuk ka pasur tërmet me mbi 100 persona të vdekur në Nepal, si është raportuar nga disa faqe në Facebook. Në Nepal, më 08.11.2023 është regjistruar një tërmet 6.4 shkallësh. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nga tërmeti i datës 08.11.2023 në Nepal, 150 persona kishin vdekur dhe mbi 300 të tjerë ishin lënduar.
Artikulli
Më 10.03.2024 faqja e internetit ‘Live News’ (arkive) ka publikuar një lajm me titull “Tërmet i fortë mbi 100 viktima dhe dhjetra të plagosur” (arkiva). Ky postim në Facebook është parë nga 94,600 persona.
I njëjti artikull është publikuar edhe në grupe dhe faqe të tjera në Facebook, si: “Lajmet”(arkive), ‘Gazeta Press’, “Ulqini” (arkive), ‘TV7 SHQIP’ (arkiva), ‘Revista Global’ (arkiva), ‘Portal Ditor’ (arkiva).
“Të paktën 128 njerëz u vranë dhe dhjetëra u plagosën nga tërmeti i fuqishëm që goditi rajonin Jajarkot të Nepalit perëndimor të premten, thanë zyrtarët sot”- thuhet në artikullin e publikuar në faqen ‘Live News’ (arkive).
Pas kërkimeve në internet, Krypometër nuk ka gjetur asnjë lajm të publikuar në mediat në Nepal apo mediat e tjera ndërkombëtare për ndonjë tërmet që ka ndodhur të premten, më 08.03.2024, ashtu si është raportuar në faqen ‘Live News’ (arkive).
Përmes kërkimeve në internet, Krypometër ka gjetur se BBC, më 04.11.2023, kishte raportuar se 150 persona humbën jetën në Nepal si pasojë e një tërmeti. Për këtë tërmet në Nepal kishte raportuar edhe Reuters, duke thënë se tërmeti i datës 04.11.2024 ishte me magnitudë 6.4 shkallë.
Ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë kishte raportuar se në termetin e datës 08.11.2023 në Nepal, 150 persona kishin vdekur dhe mbi 300 të tjerë ishin lënduar.
Nepali ndodhet në një zonë të njohur si Rajoni i Himalajeve, zonë e cila është shumë aktive seizmikisht. Pllakat tektonike janë pjesë të sipërfaqes së tokës që lëvizin dhe ndryshojnë pozicionin nën presionin e vazhdueshëm nga tronditjet e brendshme të tokës.
Përveç kësaj, urbanizimi i përshpejtuar dhe infrastruktura e dobët në disa zona të Nepalit rrit rrezikun e dëmeve të mëdha gjatë tërmeteve.
|