schema:text
| - Në Asamblenë e kryeqytetit, asamblistët e Vetëvendosjes nuk kanë thënë se mësimi tërëditor është për ‘nënat dembele’
Deklarata
Kur ka qenë mësimi gjithëditor, opozita e Vetëvendosjes në Prishtinë ka dalë në foltore të Kuvendit ka thënë: ‘mësimi tërëditor është për nënat Dembele’
Vlerësimi
Rrenë
Është i pasaktë deklarimi i Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku se “Kur ka qenë mësimi gjithëditor, opozita e Vetëvendosjes në Prishtinë ka dalë në foltore të Kuvendit ka thënë: ‘mësimi tërëditor është për nënat Dembele’”. Krypometër i ka kontrolluar videot dhe transkriptet e seancave të Asamblesë së Komunës së Prishtinës që nga muaji prill i vitit 2024 kur për herë të parë drejtoresha e Arsimit, Jehona Lushaku e kishte paralajmëruar mesimin gjithëditor dhe aty nuk figuron asnjë deklarim se ‘mësimi tërëditor është për nënat dembele’. Në këto seanca ka pasë raste kur është diskutuar çështja e mësimit tërëditor, mirëpo nuk është kundërshtuar si proces. Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje e kishin votuar propozimin për t’i ndarë mjete shtesë Ndërmarrjes Lokale ‘Kuzhina Qendrore’ me qëllim që të mund të furnizohen me shujta të nxehta nxënësit e pesë shkollave që kanë filluar mësimin gjithëditor. Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka treguar burimin e informacionit të kryetarit të saj dhe as nuk kanë ofruar dëshmi që e mbështesin deklarimin se: “Opozita e Vetëvendosjes në Prishtinë ka dalë në foltore të Kuvendit ka thënë ‘mësimi tërëditor është për nënat dembele’”. Jehona Lushaku, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se deklarimi i Abdixhikut është i saktë pasi: “Nga fillimi i planifikimit të mësimit tërëditor, grupe në shkolla kanë krijuar rezistencë ndaj ndryshimeve, që janë kërkuar për zbatim të mësimit tërëditor. Persona që kanë udhëhequr, nxitur e organizuar protesta, peticione e bojkotim të mësimit janë anëtarë të partive opozitare në Asamble”.
Artikulli
Më 21.09.2024, Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka dhënë një intervistë të gjatë duke shpjeguar programin qeverisës të kësaj partie që pritet të garojë në zgjedhjet e 09.02.2024.
Në mesin e pikave të programit, Abdixhiku ka folur edhe për vizionin e tij për mësim gjithëditor edhe në shkollat e komunave të tjera, e jo veç në Prishtinë qysh është duke u apliku aktualisht.
Ai ka thënë se LDK-ja që nga shtatori i këtij viti ka filluar me programin mësimor tërëditor për pesë shkollat fillore në kryeqytet, edhe atë në shkollat:“ Xhemail Mustafa”, “Faik Konica”, “Shkolla e Gjelbër”, “Nazim Gafurri” dhe “Qamil Batalli”.
Ai ka thënë se aplikimi i mësimit gjithëditor do të ndikojë që gratë të kenë mundësi të punësohen.
Abdixhiku ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje tentoi të ndërprejë mësimin tërëditor në shkolla të kryeqytetit dhe se, sipas tij, një asamblist në emër të grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje kishte thënë që ‘mësimi tërëditor është për nënat dembelica’.
“Kur ka qenë mësimi gjithëditor, opozita e Vetëvendosjes në Prishtinë ka dalë në foltore të Kuvendit ka thënë ‘mësimi tërëditor është për nënat dembele”- ka thënë Abdixhiku.
Tutje, autorja e emisionit “Kallxo Përnime”, Jeta Xharra e ka pyetur “je duke folur për Asamblenë e Prishtinës? Cili asamblist ka thanë?
“E shikojmë, e shohim se janë xhirimet… në emër të grupit të partisë për me pengu reformën e mësimit gjithëditor ka thënë se mësimi gjithëditor është për nënat dembelica. Merre me mend ti. As konceptin bazik nuk e kanë”- u shpreh Abdixhiku në intervistë më 21.09.2024.
Ai ka thënë se komunat po kanë shumë pengesa nga qeveria qendrore për shumë punë të mira që janë duke i bërë.
Tutje ai ka thënë se mësimi gjithëditor është tentuar të pengohet përmes një rregulloreje.
“Edhe mësimi gjithëditor është diskutuar, për aq sa kemi kuptu, të ndërpritet në Prishtinë nëpërmjet një rregulloreje e udhëzimi të ri, gjoja se s’ka kushte. Pra, ideja është që mos të ndodh diqka e mirë, sepse më pas këta përfitojnë përkrahje e na po dalim keq”- ka thënë Abdixhiku.
Lidhur me këtë deklarim të Abdixhikut, në një postim në Facebook ka reaguar shefi i asamblistëve të Grupit të LVV-së në Asamblenë e Prishtinës, Gëzim Sveçla. duke mohuar të jetë thënë një deklarim të tillë.
Krypometër ka kontaktuar me Sveçlën, i cili ka thënë se asamblistët e LVV-së nuk kanë thënë se mësimi gjithëditor është për ‘nënat dembelica’.
“Në asnjë moment të vetëm, asnjëherë, në asnjë seancë të Kuvendit Komunal e as komitete tjera të Kuvendit, asnjë asamblist i Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk ka deklaruar se ‘mësimi tërëditor është për nëna dembelica’- siç ka thënë z. Abdixhiku në intervistën e tij. Për më tepër, asnjëherë, as nga pushetit komunal as nga opozita, nuk është përmendur asnjë Rregullore që kishte me ndalu mësimin tërëditor”- deklaroi Sveçla.
Madje, sipas tij, ideja dhe koncepti i mësimit tërëditor ka lindur nga Lëvizja Vetëvedosje qysh prej vitit 2016.
“Është e palogjikshme dhe e papranueshme një shpifje e tillë nga një individ që pretendon me qenë kryeministër i vendit. Me përgjegjësi të plotë, ju siguroj se një deklaratë e tillë, siç pretendon z. Abdixhiku, nuk është bërë as pa mikrofon e as në çfarëdo forme tjetër”- ka thënë ai, duke paralajmëruar edhe padi për shpifje ndaj Abdixhikut.
Verifikimi i deklarimeve në Asamble
Për të verifikuar këtë deklarim të Abdixhikut, Krypometër ka kontrolluar seancat e Asamblesë Komunale të Prishtinës dhe ka gjetur se çështja e mësimit gjithëditor ishte ngritur në mbledhjen e Asamblesë të mbajtur më 24.05.2024.
Bazuar në transkriptin e kësaj seance, rezulton se shefi i Grupit të Asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sfeçla e ka ngritur si pyetje shqetësimin që ai kishte pranuar nga mësimdhënësit për dislokimin e Gjimnazit ‘Xhevdet Doda’, për t’i mundësuar Komunës të fillojë mësimin gjithëditor.
“Çështja tjetër në të cilën e kanë ngritë stafi i Shkollës “Xhevdet Doda” që ka të bëjë me një çështje të cilën ju jeni duke u marrë me mundësinë e dislokimit të asaj shkolle, po mendoj nxënësve edhe mësimdhënësve të asaj shkolle, për shkak të një reforme të cilën jeni në proces ta bëni qëndrim tërëditor, kështu diçka nëse nuk jam gabim”- ka thënë Sveçla [shih transkriptin e seancës së mbajtur më 24.05.2024, faqe 45].
Ai ka thënë se kësaj shkolle edhe në të kaluarën i ishte ndërruar lokacioni dhe kjo kishte ndikuar “me një rënie të produktivitetit të nxënësve”.
“Po mendoj që duhet me pasë shumë kujdes në këtë çështje, me kryetarin e kemi përmend edhe në KPF, kjo përpos aspektit arsimor ndikon edhe te shtimi, varësisht se ku vendosni që me bë këtë dislokimin e fëmijëve që kanë me qëndruar të gjithë ditën, ndikon në komunikacion, ndikon në shumë aspekte të jetës në kryeqytet.”- ka thënë ai [shih transkriptin e seancës së mbajtur më 24.05.2024, faqe 45].
Tutje, ai ka thënë se duhet të kihet kujdes që nga reforma të mos shkaktohen dëme anësore.
“Nuk po dua me vë në dyshim qëllimin e juaj të mirë, por gjatë këtij procesi mundet me ndodhë që shkaktojmë edhe një dëm më të madh e që shumë mirë që je kaq i sigurt, por në bazë të gjestikulacioneve tuaja po them dhe po mendoj që është e rëndësishme nëse arrijmë këtë reformë të cilën e keni filluar ta përfundoni me sukses, në atë që është qëllimi juaj kryesor, por pa shkaktuar dëme gjatë këtij rrugëtimi, faleminderit.”- ka thënë Sveçla.
Në të njëjtën seancë (24.05.2024), nënkryetarja Jehona Lushaku i është përgjigjur shqetësimeve të Sveçlës.
“Në arsim i kemi disa probleme me disa shkolla të cilat janë të mbipopulluara, 2 prej të cilave mbajnë mësimin në 3 ndërrime edhe e kemi inicuar një proces të ristrukturimit të shkollave me qëllim që me i shkarku këto shkolla, por me pasë një rrjedhë logjike në akte, duke synuar të realizojmë mësimin tërëditor në disa shkolla, të cilat nuk janë të mbingarkuara, por të cilat kanë kushte për realizimin e mësimit tërëditor.”- ka thënë ajo në fjalimin e saj.
Ajo ka thënë se mësimi gjithëditor iu mundëson atyre që të ndajnë nivelin e parë dhe të dytë të shkollës, ashtu si kërkohet në ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës.
“Ne momentalisht në krejt Prishtinën, në krejt shkollat fillore edhe të mesme të ulëta i kemi bashkë, faktikisht nivelin 1 dhe 2, i kemi bashkë dhe për me e nda këtë sistem, faktikisht është e rekomandueshme në bazë të legjislacionit tonë që komuna me i sistemu shkollat në aso mënyre që me i nda, domethënë sistemin 1-5 edhe 6-9 për me realizu mësimin tërëditor 1 dhe 5 e kemi caktuar këtë objektivë për shkak se edhe raporti i OECD për PISA e ka identifikuar si problem lexim-kuptimin te nxënësit tanë, e që është kryesisht problem që lidhet me ciklin e parë 1 deri në 5”- thotë ajo në fjalimin e saj.
Ajo flet edhe për shkollat e Prishtinës që do të përfshihen në mësimin gjithëditor.
“Kemi ardhur te një përfundim që te shkollat që janë gjeografikisht afër, që nuk janë gjeografikisht shumë larg, mundemi me e bashku zonimin edhe mundemi m’i bashku nxënësit, domethënë krejt brenda udhëzimeve administrative të dalura prej Ministrisë që asnjërit prej nxënësve më shumë se 2.5 km mos me i ra të shkojë larg tek shkolla fillore”- ka thënë ajo.
Por, në deklarimin e saj nuk kishte ndonjë replikë nga asamblistët, duke përfshirë ata të Lëvizjes Vetëvendosje.
Që nga muaji maj 2024 kur është përmendur për herë të parë mësimi gjithëditor, Asambleja e Komunës së Prishtinës është takuar edhe 6 herë (4 seanca të rregullta, dy të jashtëzakonshme) deri në fund të muajit shtator 2024.
Krypometër i ka kërkuar transkriptet e të gjitha mbledhjeve të Asamblesë Komunale nga muaji prill 2024 e deri në muajin tetor 2024, si dhe i ka shikuar videot e këtyre mbledhjeve të Asamblesë për të parë nëse është dhënë ndonjë deklarim rreth mësimit gjithëditor.
Para mbledhjes në të cilën është ngritur shqetësimi për dislokimin e Shkollës ‘Xhevdet Doda’, Asambleja Komunale ka mbajtur seancë më 24.04.2024 dhe më 08.05.2024.
Në këto dy mbledhje mësimi tërëditor nuk ka qenë në rend të ditës dhe as nuk është ngritur si pyetje apo si çështje nga asamblistët tjerë. Në këto dy mbledhje po ashtu nuk është thënë se mësimi gjithëditor është për ‘nënat dembele’.
Prej asaj kohe, Asambleja e Komunës së Prishtinës ka mbajtur edhe 4 mbledhje të rregullta dhe një të jashtëzakonshme.
Krypometri ka kontrolluar transkriptet e seancave nga muaji prill deri në shtator 2024 dhe në asnjërën nuk ëshë evidentuar të jetë përmendur fjalia ‘nëna dembele’ apo të këtë pasur në rend dite pikë të veçantë për mësim tërëditor.
Në seancën e datës 13.06.2024 dhe atë të datës 27.06.2024 po ashtu nuk ka qenë në rend dite diskutimi për mësimin tërëditor.
Në seancën e gjashtë të rregullt të datës 29.07.2024, Muhamet Selmani nga PDK kishte ngritur shqetësim për ndarje buxhetore në disa drejtori, derisa përmend edhe projektin e komunës për mësim tërëditor, në bazë të transkriptit të kësaj seance, ai ka deklaruar si në vijim: “Në plan prokurimi shohim 100 mijë euro projekte, kjo që është më shqetësuese se duhet të potencoj, Drejtoria e Arsimit, për Drejtorinë e Arsimit kemi futë një projekt shumë ambicioz të Komunës së Prishtinës, është mësimi tërëditor dhe besoj që do të jetë fokusi më i madh i kësaj drejtorie dhe kësaj legjislature, sepse shtatori është vetëm edhe 1 muaj larg dhe kemi vetëm 10% të investimeve në shkollën, institucionet ku do bëhet si pilot-projekt, projekti i lartcekur dhe që investimi të jenë minimal, këtu dua vetëm pak të precizoja p.sh. rikonstruktimi i Shkollës së Mesme ‘Ahmet Gashi’”.
Në mbledhjen e rregullt të mbajtur më 13.09.2024 në Kuvendin Komunal ishte propozuar subvencionimi i ndërmarrjes komunale ‘Kuzhina Qendrore’ (shih transkriptën e seancës), në mënyrë që të kenë mjete për minikuzhina në shkolla me mësim tërëditor për shujta të fëmijëve.
Jehona Lushaku, nënkryetarja e Prishitinës, para Asamblesë deklaroi se nevojiten mbi 120 mijë euro.
“Kuzhina Qendrore ka marrë për obligim që t`i furnizojë me shujta të ngrohta këto shkolla, por i nevojiten mjetet për mbulime të shpenzimeve me ndërtim të këtyre 5 minikuzhinave”- ka thënë ajo.
Në emër të Grupit të Asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla kishte ngritur shqetësimet se si Komuna nuk i ka planifikuar gjithë nevojat me kohë, mirëpo është pritur fillimi i muajit shtator për të përkrahur Kuzhinën Qendrore që do t’i furnizojë me shujta nxënësit e shkollave në të cilat ka filluar aplikimi i mësimit tërëditor.
“Kontestimet e mia i pata që në shkurt është fillu me u mendu ideja, pse prej shkurtit nuk keni kontaktu me kuzhinën që me u bo gati, me një (1) shtator me qenë gati këtu kuzhina dhe nuk e kemi bë publike pa qenë të sigurt a jemi në rregull? A mundemi me u përgatitë?”- ka thënë Sveçla.
Ai ka folur edhe për procedurat e prokurimit dhe vonesat e tjera, mirëpo ka thënë se asnjë asamblist nuk do të dalë kundër këtij propozimi për t’i ndarë subvencione Kuzhinës Qendrore.
“Pa marrë parasysh gjithë këto shkelje që i keni bë, ne nuk mund të dalim kundër një procesi të tillë, mirëpo nuk është në rregull që për hir të një gjëje më të madhe t’i mbyllim sytë për disa parregullsi që po ndodhin përgjatë procesit”- ka thënë Sveçla.
Në përgjigjen e saj, drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku ka thënë se në muajin shkurt e ka marrë detyrën e drejtoreshës dhe se kanë filluar një proces të gjatë të konsultimeve për tërë investimet që kërkohen dhe reformat e nevojshme që i paraprijnë marrjes së vendimit për mësimin tërëditor.
Edhe pse pati kritika se ky propozim ka ardhur me vonesë për votim, prapë i njëjti është votuar nga asamblistët e LVV.
Propozim-vendimi për ndarjen e mjeteve të Ndërmarrjes publike lokale “Kuzhina Qendrore” SH.A. në Prishtinë është miratuar me 29 vota për, asnjë kundër, asnjë abstenim.
Heshtja e LDK-së
Krypometër ka dërguar pyetje edhe tek Lidhja Demokratike e Kosovës për të marrë sqarime se prej nga e ka marrë këtë informacion kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku si dhe për të na dërguar faktet që e mbështesin atë deklarim.
Kjo parti nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara më datë 23.09.2024 dhe 03.10.2024.
Tutje Krypometër ka kontaktuar me drejtoreshën për arsim në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku, e cila e konsideron të saktë deklarimin e z. Abdixhiku për tentim të pengimit të mësimit tërëditor duke potencuar se persona nga opozita në Asamble kanë nxitur grupe për të kundërshtuar këtë reformë.
“Që nga fillimi i planifikimit të mësimit tërëditor, grupe në shkolla kanë krijuar rezistencë ndaj ndryshimeve, që janë kërkuar për zbatim të mësimit tërëditor. Persona që kanë udhëhequr, nxitur e organizuar protesta, peticione e bojkotim të mësimit janë anëtarë të partive opozitare në Asamble. Prandaj, deklarimi i z. Abdixhiku është i saktë”- ka deklaruar Lushaku për Krypometrin.
Derisa, nuk ka komentuar lidhur me pretendimin se asamblistë të LVV të kenë thënë se ky proces “është për nënat dembelica”.
Profesorë të Gjimanzit ‘Xhevdet Doda’ në kryeqytet, përmes një peticioni, kanë kundërshtuar largimin nga ky objekt shkollor, gjë që ishte vendosur për sjellje të nxënësve të Shkollës ‘Xhemajl Mustafa’ për mësim tërëditor. Gjimnazistët e ‘Xhevdet Dodës’ janë dërguar për vijim të mësimit në objektin e Gjimnazit Matematikor.
Krypometri ka dërguar pyetje edhe në shkollat tjera për të marrë deklarime nëse ka pasë kundështim apo peticione prej nxënësve, prindërve apo stafit të shkollës lidhur me këtë proces dhe ka marrë përgjigje nga tri shkolla. ‘Shkolla e Gjelbër’, ‘Nazim Gafurri’ dhe Shkolla Model ‘Qamil Batalli’ deklaruan se nuk kanë marrë ndonjë peticion kundërshtues ndaj mësimit tërëditor.
Kurse, zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa nuk ka pranuar të japë koment lidhur me deklarimin e kreut të kësaj partie, Lumir Abdixhiku në ‘Kallxo Përnime’.
“Është e pamundur kushdo m`i komentu deklaratat e kryetarit të partisë, e keni pasë kryetarin në emision, e ju po kërkoni deklarim prej partisë”- është shprehur ai.
Krypometri ka tentuar të marrë deklarim edhe nga shefja e Grupit të asamblistëve të LDK-së në Kuvendin Komunal, Jeta Rafuna, si dhe zëdhënëses Gentiana Azemi, por as ato nuk janë përgjigjur lidhur me këtë pretendim të Abdixhikut.
Komuna e Prishtinës më 15.08.2024 prezantoi programin për mësim tërëditor për pesë shkollat fillore në kryeqytet. Shkollat të cilat do ta zbatojnë këtë program nga shtatori i këtij viti janë: “Xhemail Mustafa”, “Faik Konica”, “Shkolla e Gjelbër”, “Nazim Gafurri” dhe “Qamil Batalli”.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, gjatë prezantimit të këtij programi tha se po jetësohet reforma më e madhe e arsimit dhe një ndër premtimet më të rëndësishme në fushën e arsimit.
Sipas programit mësimor tërëditor për këto shkolla është bërë edhe një model specifik i orarit, në kuadër të të cilit parashihet edhe dreka e cila do të ofrohet për nxënësit e këtyre pesë shkollave nga Komuna e Prishtinës.
|