schema:text
| - Një lajm i vjetër e i pakonfirmuar për një deklaratë të presidentit Erdogan, shpërndahet si i ri
Deklarata
KOSOVA – Erdogan paralajmëron Vuçiqin: S’është Turqia e ‘90-ës, çdo sulm ndaj Kosovës eshtë sulm ndaj Turqisë
Vlerësimi
Me kos
Titulli i artikullit “KOSOVA – Erdogan paralajmëron Vuçiqin: S’është Turqia e ‘90-ës, çdo sulm ndaj Kosovës eshtë sulm ndaj Turqisë” nuk është i saktë, pasi nuk është konfirmuar nga asnjë burim kredibil që presidenti turk Erdogan ka biseduar me presidentin serb Vuçiq për situatën në veri të Kosovës, pas vendimit të partisë Lista Serbe për të lëshuar institucionet e Kosovës. I njëjti artikull është publikuar edhe në muajin gusht të vitit 2022, apo në kohën kur kishte tensione në veri të Kosovës pasi Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar që do të ndalojë përdorimin e targave ilegale. As atëherë dhe as tash, Krypometri nuk ka arritur të gjejë burime kredibile apo zyrtare që e konfirmojnë këtë deklaratë të presidentit Erdogan.
Artikulli
Më 6 nëntor 2022 faqet e internetit “Indeks.mk” dhe “new.findnews5.com”, kanë publikuar një artikull me titullin “KOSOVA – Erdogan paralajmëron Vuçiqin: S’është Turqia e ‘90-ës, çdo sulm ndaj Kosovës eshtë sulm ndaj Turqisë”.
Ky informacion me titull dhe përmbajtje të njëjtë më 5 nëntor 2022 është shpërndarë në faqet e Facebook-ut, Ushtria e Turqisë dhe Zgjohu ndërsa më 6 nëntor dhe 7 nëntor 2022 te “GazetaOnline”, Gazeta Plus 10, Indeks, Euronews Ilirida, Sprint.al, Mbështetësit e Drejtësisë”. Po ashtu, në faqen e internetit “Gazeta Erina” më 6 nëntor 2022 është publikuar një fotografi e presidentit turk me mbishkrimin “Erdogan paralajmëron Vuçiqin: S’është Turqia e ‘90-ës, çdo sulm ndaj Kosovës është sulm ndaj Turqisë”.
Përmbajtja e artikullit i referohet një telefonate mes presidentit turk Rexhep Tayyip Erdogan dhe homologut serb, Aleksander Vuçiq, e cila thuhet se është bërë “si reaksion i zhvillimeve më të fundit në veri dhe jashtë kuroazisw diplomatike!”
Por, artikulli i njëjtë është publikuar edhe në muajin gusht të vitit 2022. Më 2 gusht ishte publikuar nga Kosova Post, Almakos, Shqip Media. Më 3 gusht ishte publikuar nga Kohaislame.com, më 26 gusht nga Mejdani.com ndërsa më 27 gusht, i njëjti informacion ishte shpërndarë edhe nga media Gazetarja.com, Lajmi24.press, faqja e Facebook-ut e Gjilani Press. Pra, ky “paralajmërim” i presidentit turk për presidentin serb është shpërndarë si lajm i ri sërish tre muaj më vonë, pikërisht në kohën e zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
Në artikullin i cili i referohet burimeve konfidenciale thuhet në një bisedë telefonike e presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan i ka kujtuar homologut serb Aleksandar Vuçiq se “Turqia nuk është ajo e viteve ’90-të”.
“Burime kofidenciale thonë se gjuha e presidentit turk ka qenë e prerë, duke e këshilluar, por më së shumti paralajmëruar Vuçiçin, që të mos vijojë më me kërcënime apo dhe me romantizime ndaj Kosovës, duke i bërë të qartë presidentit serb se nuk do ketë asnjë lëshim apo tolerim po u cënua Kosova” – theksohet në artikull.
Përveç që ka gabime gramatikore dhe është informacion i vjetër që është publikuar si lajm që ka ndodhur pas zhvillimeve në veri në fillim të muajit nëntor të vitit 2022, KALLXO.com nuk ka arritur të verifikojë nëse presidenti i Turiqisë, Erdogan e ka thënë një gjë të tillë.
Që nga 1 nëntori, Qeveria e Kosovës ka filluar lëshimin e fletëqortimeve për qytetarët që vazhdojnë të kenë targa ilegale në veturat e tyre. Pas mosrespektimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për lëshimin e fletëqortimeve për pronarët e automjeteve me targa ilegale, Nenad Gjuriq u suspendua nga pozita e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut për shkak të refuzimit të implementimit të legjislacionit të Republikës së Kosovës.
Si reagim ndaj këtij vendimi, më 5 nëntor 2022, një mbledhje e jashtëzakonshme u thirr nga Lista Serbe, në të cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetërorë nga komuniteti serb në Kosovë. Në fund të këtij takimi u dha njoftimi për tërheqjen e tyre nga institucionet qendrore, lokale dhe niveli gjyqësor. Zyrtarë të Policisë së Republikës së Kosovës nga komuniteti serb i zhveshën uniformat në këtë takim.
Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapave që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023. Faza e dytë parasheh gjobë në vlerë prej 150 euro për shoferët që kanë automjete me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit 2023, sipas Qeverisë së Kosovës, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa legale tw Republikës së Kosovës.
Të zhgënjyer me vendimin e Qeverisë së Kosovës janë shprehur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
|