| schema:text
| - Titulli i rremë që cilëson Dibran Hoxhën vrasës
Deklarata
“‘Kobra’ vrau të riun nga Kukësi për 350 euro”
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i artikullit “‘Kobra’ vrau të riun nga Kukësi për 350 euro” nuk është i saktë. Në titull thuhet se Dibran Hoxha është vrasës, por ai ende është vetëm i dyshuar për vrasje. Rasti i Dibran Hoxhës është në fazën fillestare të hetimit, nuk ka aktakuzë dhe nuk ka vendim fajësues të plotfuqishëm të gjykatës në lidhje me këtë rast.
Artikulli
Më 15 janar 2023 faqja e internetit “tetovanews.info” ka publikuar një përmbajtje me titull “Kobra” vrau të riun nga Kukësi për 350 euro/ Publikohen fakte të reja! Dy të mbijetuarit tregojnë si ndodhi krimi: Na qëlloi me armë ende pa u nisur makina. Çfarë pretendoi autori”.
I njëjti lajm është shpërndarë në disa faqe të facebook-ut si: “Tetova, dje sot dhe nesër”, “Albanian Press”, “Gazeta Stilografi”, “Lajme Online”.
Në titull thuhet se Dibran Hoxha është vrasës, por ai ende është vetëm i dyshuar për vrasje. Rasti i Dibran Hoxhës është në fazën fillestare të hetimit, nuk ka aktakuzë dhe nuk ka vendim fajësues të plotfuqishëm të gjykatës në lidhje me këtë rast.
Mëngjesin e 3 janarit të vitit 2023, në parkingun e lokalit “Kobra City” pas një konflikti mbeti i vrarë një shtetas i Shqipërisë nga Kukësi, ndërsa një tjetër i plagosur. Për këtë rast janë arrestuar 6 të dyshuar, prej tyre edhe i dyshuari kryesor, Dibran Hoxha. Shkak i këtij konflikti dyshohet se është pagesa e një fature.
Sipas dosjes së Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet se ka shtënë në drejtim të tre shtetasve të Shqipërisë derisa kanë qenë duke u larguar me veturën e tyre nga parkingu i lokalit “Kobra City”.
Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, Dibran Hoxha po dyshohet për veprën penale vrasje e rëndë si dhe mbajtje të pa-autorizuar të armës.
Në dosje thuhet se Dibran Hoxha dyshohet se në natën kritike kishte asgjësuar provat, duke e hequr pajisjet e “Divijarit” (video regjistruesit digjital të kamerave) nga lokali i tij, Kobra City, me qëllim që të pamundësohet shfrytëzimi xhirimeve të kamerave të sigurisë që do të shërbenin si provë në gjykim.
|