| schema:text
| - Rrena për vrasjen e majorit britanik në Gaza
Deklarata
Vritet në Gaza Majori Britanik Aleksandër Emanuel. Ky ishte një nga oficerët e graduar për luftën e tij në Irak dhe bënte pjesë në kompaninë që kapi Sadam Huseinin
Vlerësimi
Rrenë
Fotografia me të cilën është ilustruar postimi “Vritet në Gaza Majori Britanik Aleksandër Emanuel. Ky ishte një nga oficerët e graduar për luftën e tij në Irak dhe bënte pjesë në kompaninë që kapi Sadam Huseinin”- është e rreme. Në fotografi është ushtari John Horn nga Rojet Mbretërore Scots Dragoon. Fotografia është shkrepur në Gjermani, pas kthimit të tij nga Iraku.
Artikulli
Më 20.01.2024 faqja në Facebook “Rinia Islame e Tetovës” (arkiva) ka shpërndarë informacion për vrasjen e një ushtari britanik në Gaza.
Kjo faqe ka shkruar “Vritet në Gaza Majori Britanik Aleksandër Emanuel. Ky ishte një nga oficerët e graduar për luftën e tij në Irak dhe bënte pjesë në kompaninë që kapi Sadam Huseinin. Sot ka provuar dheun e Gazas.. Gaza nuk të fal….”.
Krahas shkrimit, faqja ka publikuar edhe fotografinë e një ushtari, i cili pretendohet të jetë Aleksandër Emanuel.
Krypometër përmes kërkimeve ka gjetur se fotografia e përdorur në postimin e faqes “Rinia Islame e Tetovës” është e një ushtari tjetër dhe e njëjta është shkrepur në vitin 2008.
Krypometër përmes “TinEye” ka gjetur se në fotografinë e publikuar është ushtari John Horn nga Rojet Mbretërore Scots Dragoon, fotografi kjo e realizuar në Gjermani, pas kthimit të tij nga Iraku.
I njëjti postim është bërë edhe nëpër faqe në gjuhë angleze, mirëpo ishte vlerësuar si i rremë nga verifikuesit e fakteve, fullfact.org.
Mospërfshirjen e trupave britanikë në luftën në Gaza mes Hamasit dhe Izraelit e ka konfirmuar Sekretari i Mbrojtjes së Britanisë së Madhe, Grant Shapps, i cili kishte përjashtuar çdo përfshirje të trupave britanike, përfshirë këtu edhe operacionet paqeruajtëse, për “Forces.net”, uebsajt që publikon lajme e materiale rreth forcave ushtarake të Britanisë së Madhe.
AI Shapps kishte konfirmuar se Forca Ajrore Mbretërore do të kryente fluturime të paarmatosura vëzhgimi mbi Mesdheun lindor, duke përfshirë operimin në hapësirën ajrore mbi Izrael dhe Gaza.
Ai kishte thënë se kjo është pjesë e zotimit të tij për të “lëvizur parajsën dhe tokën” për të shpëtuar pengjet e mbetura të mbajtura nga Hamasi pas sulmit vdekjeprurës të grupit militant ndaj Izraelit më 07.10.2023.
Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë tokësore, ajrore dhe detare në Rripin e Gazës, shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, deri më tani janë vrarë mbi 27.000 palestinezë.
Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë.
BBC, që e ka raportuar këtë numër të të vrarëve, ka thënë se nuk kanë mundur të verifikojnë atë, mirëpo sipas tyre, Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë thënë se nuk ka arsye të besohet të dhënat për numrin e viktimave nuk janë të sakta.
|