schema:text
| - Huqja e lajmit për arrestimin e të burgosurit që ishte arratisur
Deklarata
Arratiset një person nga burgu i Gjilanit
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Artikulli me titull “Arratiset një person nga burgu i Gjilanit” nuk është i saktë. Në ditën e publikimit asnjë person nuk është arratisur nga burgu i Gjilanit, mirëpo Policia e Kosovës kishte njoftuar se është arrestuar një person që ishte arratisur nga burgu 10 muaj më parë, pra në korrik të vitit 2023.
Artikulli
Më 17.05.2024 faqja e Facebook “Radio STAR Gjilan” ka publikuar (arkiva) një artikull me titull: “Arratiset një person nga burgu i Gjilanit”.
Informacioni për arratisjen e një personi nga burgu i Gjilanit thuhet se është bërë bazuar në një njoftim që Policia e Kosovës e kishte dhënë në raportin 24-orësh të datës 17.05.2024.
Krypometër ka kontrolluar raportin 24-orësh të datës 17.05.2024, mirëpo njoftimi i Policisë thotë diçka tjetër.
Në këtë raport ishte thënë se më 16.05.2024 ishte arrestuar një person i cili ishte arratisur nga burgu më 15.07.2023 në 15:40h. Pra, i burgosuri ishte arrestuar 10 muaj pasi ishte arratisur nga burgu.
Policia në raportin e saj më datë 17.05.2024 kishthe thënë se gjatë kohës sa ka qenë në arrati, ndaj të dyshuarit janë iniciuar dy raste të reja për kanosje ndaj dy viktimave.
“Gjatë kontrollit tek i dyshuari janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 38.92 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit hashash, për çka dhe është hapur rast i veçantë. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”- kishte thënë Policia e Kosovës.
Krypometër ka kontrolluar njoftimet që i kishte publikuar Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) (Arkivi). Në njoftimin (Arkivi) e publikuar më 16.07.2023, SHKK kishte thënë se nga Spitali i Gjilanit- Reparti i Psikiatrisë, ishte arratisur i burgosuri, M.G., i akuzuar për vepren penale “Kanosje”.
SHKK kishte thënë se kanë informuar menjëherë Policinë e Kosovës dhe gjykatën kompetente, ndërsa ka formuar komision hetimor për të zbardhur rrethanat e arratisjes.
Ndaj zyrtarëve të cilët kanë qenë përgjegjës për mbikëqyrjen e të burgosurit ishte iniciuar procedura disiplinore, ndërsa, në bazë të vendimit të komisionit disiplinor, ata ishin pezulluar nga puna.
|