schema:text
| - Video e manipuluar që rrejshëm pretendon se Faton Hajrizi është gjallë
Deklarata
Faton Hajrizi është kjo, kjo video e vërteton se ai është akoma gjallë, si mendoni ju, a do jetë gjallë Fatoni. 21.07.2024, Faton Hajrizi
Vlerësimi
Rrenë e kryptë
Video e postuar më 24.07.2024, në të cilën pretendohet se Faton Hajrizi është gjallë, është e manipuluar. Në video është mbivendosur zëri i Faton Hajrizit, i cili kishte folur në një paraqitje të tij në TikTok më 12.07.2024. Më 19.07.2024, autoritetet në Serbi kishin njoftuar se e kanë vrarë një person, për të cilin dyshonin se ishte Faton Hajrizi. Pas disa testimeve, autoritetet në Serbi kishin vendosur që të lejonin kthimin e trupit të personit të vrarë. Avokati dhe familjarët e kishin konfirmuar se trupi që e kishin pranuar nga autoritetet serbe ishte i Faton Hajrizit. Faton Hajrizi është varrosur më 11.08.2024.
Artikulli
Më 24.07.2024 një profil në rrjetin social Facebook ka publikuar (arkiva 1, 2 dhe 3) një video shihet vetëm veshi i një personi si dhe dëgjohet duke folur Faton Hajrizi, dhe të njëjtës i është vendosur mbishkrimi “Faton Hajrizi është kjo, kjo video e vërteton se ai është akoma gjallë, si mendoni ju, a do jetë gjallë Fatoni. 21.07.2024, Faton Hajrizi”.
Në video dëgjohet duke folur Faton Hajrizi, i cili thotë “Ku po rri? Vallahi deri te bahet sabah se i kam ba nja 1 mijë e dicka kilometra, se di as vetë ku më kanë pru këta”.
Kjo video e datës 24.07.2024 ka marrë 1.5 milion shikime, mbi 2 mijë reagime e mbi 200 komente.
Fytyra e personit në këtë video nuk shihet, vetëm një pjesë e krahërorit dhe veshit, duke mos u ditur saktë se kush është në video.
Faton Hajrizi, pas arratisjes nga burgu i Smrekonicës më 06.07.2024, kishte publikuar disa video në të cilat kishte folur për ikjen e tij duke pretenduar se ishte larguar nga Kosova.
Prandaj, Krypometër ka kërkuar në internet nëse është publikuar ndonjë video në të cilën Faton Hajrizi ka thënë se “Ku po rri, po vallahi deri te bahet sabah se i kam ba nja 1mijë e dicka kilometra, se di as vetë ku më kanë pru këta”.
Krypometër ka gjetur një video të publikuar në TikTok nga gazetademos, në të cilën Hajrizi e thotë të njëjtën fjali.
Në këtë video Hajrizi thotë “Hiq mos ta nin për lokacion, edhe i kallxoj ku jam! Ku po rri? Vallahi deri te bahet sabah se jom… i kam ba nja 1 mijë e dicka kilometra, se di as vetë ku më kanë pru këtu, vec të rrej me bo me të kallxu”.
Video origjinale e Faton Hajrizit mund të shikohet duke klikuar këtu (arkiva 1, 2 dhe 3).
Arratisja nga burgu
Faton Hajrizi ishte arratisur nga burgu i Smrekonicës më 06.07.2024 dhe Policia e Kosovës e kishte shpallur në kërkim në të njëjtën ditë.
Pas arratisjes, Hajrizi kishte publikuar disa video në TikTok, madje duke u lidhur Live në komunikim me persona të tjerë.
Më 18.07.2024, autoritetet e Serbisë kishin njoftuar se është vrarë polici Nikolla Krsmanoviq, e një tjetër ishte plagosur dhe se në vendin e ngjarjes ishte gjetur pasaporta e Artan Hajrizit, vëllait të Faton Hajrizit.
Në të njëjtën ditë, Artan Hajrizi kishte dhënë disa intervista për mediat në Kosovë duke pretenduar se është në Gjermani dhe se nuk ka qenë në Serbi në momentin e vrasjes së policit.
Më 19.07.2024, autoritetet në Serbi kanë thënë se e kanë vrarë një person, për të cilin dyshojnë se është Faton Hajrizi, i cili kërkohej për vrasjen e një polici dhe plagosjen e një tjetri.
Më 19.07.2024, mediumi serb N1info ka raportuar se ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se Hajrizin e ka raportuar një vendas nga i cili Hajrizi kishte kërkuar ujë. Sipas Daçiqit, ai nuk ka pasur “plan të dorëzohet dhe ka qëlluar nëntë të shtëna në drejtim të policisë që e ka rrethuar”.
Ndërkaq, më 22.07.2024, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka konfirmuar se shenjat e gishtërinjve që janë pranuar nga autoritetet në Serbi janë përputhur me ato të Faton Hajrizit.
“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor- ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22.07.2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar sii vrarë, Faton Hajrizi”- thuhet në njoftimin e MPJD-së.
Varrosja e Faton Hajrizit
MPJD kishte njoftuar se ishte miratuar kërkesa për tërheqjen e trupit të Faton Hajrizit.
“Avokati i familjes Hajrizi, Arianit Koci, mbështetur nga Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi, Ambasadori Jashari, po kryejnë procedurat e tërheqjes së trupit të pajetë të shtetasit të Kosovës nga morgu i Lloznicës për t’u sjellë në Kosovë”– kishte thënë Leutrim Sahiti, këshilltar i ministres Donika Gërvalla, më 08.08.2024.
Më 08.08.2024, avokati Arianit Koci kishte thënë se e ka parë trupin e pajetë të Faton Hajrizit, ndërsa një ditë më vonë kishte thënë se edhe nëna e Fatonit e ka konfirmuar një gjë të tillë.
“Kufomën të cilën e solla mbrëmë është pa asnjë dyshim e Fatonit. Këtë e pohoi sot nëna e Fatonit, gjatë procedurës së identifikimit”- kishte shkruar Koci më 09.08.2024 në Facebook.
Agron Thaçi, drejtor i Departamentit për laboratorë mjeko- ligjorë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, më 09.08.2024 në 01:00h, kishte thënë se familjarët e kishin identifikuar trupin pajetë të Faton Hajrizit.
“Është pranuar trupi i pajetë, i cili është i Faton Hajrizit, këtë po e deklarojmë pas urdhëresës që është bërë nga Prokuroria dhe pasi është identifikuar nga familjarët në praninë e mjekut kujdestar”– kishte thënë Thaci.
Faton Hajrizit është varrosur në vendlindjen e tij, në fshatin Klinë e Ulët të Skenderajt, më 11.08.2024.
|