schema:text
| - Falsifikimi i deklaratës së Albin Kurtit
Deklarata
Dje i thash Rozetes me mbylle Klanin, sot Gjykata Komerciale vedosi pro Klanit. Çfare mendimi keni ju per punetoret e Gjykates
Vlerësimi
Rrenë
“Dje i thash Rozetes me mbylle Klanin, sot Gjykata Komerciale vedosi pro Klanit. Çfare mendimi keni ju per punetoret e Gjykates?” është e falsifikuar. Burimet zyrtare nga kabineti i Albin Kurtit kanë konfirmuar se një deklaratë e tillë nuk është thënë asnjëherë.
Artikulli
Më 3 gusht 2023, faqja e Facebook “Ylli.net” ka shpërndarë një fotografi të montuar e cila përmbanë një deklaratë të falsifikuar e cila nuk është thënë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Fotografia e falsifikuar përmbanë mesazhin “Dje i thash Rozetes me mbylle Klanin, sot Gjykata Komerciale vedosi pro Klanit. Çfare mendimi keni ju per punetoret e Gjykates?”
Lidhur me këtë, me datë 05/08/2023 Krypometri ka kontaktuar me Arlind Manxhuka, zëdhënës i Partisë Lëvizja Vetëvendosje, e cila drejtohet nga Albin Kurti.
Manxhuka ka mohuar që një deklaratë e tillë të jetë dhënë ndonjëherë nga ana e kryeministrit.
“Ky postim është i rremë dhe nuk është bërë ndonjë postim i tillë ndonjëherë”- ka thënë Manxhuka.
Me datë 5 gusht 2023 Krypometri ka kontrolluar edhe kanalet zyrtare të kryeministrit Kurti në mediat sociale.
Analiza e materialeve të publikuara, përfshirë muajin gusht 2023, rezulton se në profilin e Albin Kurtit në Facebook nuk ka pasur ndonjë postim të tillë.
I vetmi postim i kryeministrit Kurti gjatë datës 3 gusht 2023 është postimi rreth konkursit për inspektorë të rinj të tregut.
Më 3 gusht 2023, Gjykata Komerciale e Kosovës e ka aprovuar kërkesën e televizionit Klan Kosova për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve kontestuese të nxjerra nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Sipas vendimit të gjykatës, shtyrja e ekzekutimit të vendimit të MINT ndaj Klan Kosova ka plotësuar kushtet ligjore.
Ministria e Industrisë kishte marrë vendim për ta pezulluar e pastaj edhe refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të çertifikatës së biznesit. Pas këtij vendimi, Klan Kosova e ka dërguar lëndën në Gjykatën Komerciale.
|