| schema:text
| - Rrena për vrasjen e 4 personave në veri
Deklarata
“Sipas informatave, një serb ka vdekur gjatë përleshjeve me KFOR-in”.
“Sipas informatave, pas përleshjeve me KFOR-in numri i të vrarëve shkon në 4”.
Vlerësimi
Rrenë
Dy postime të bëra nga faqja në Facebook “Kosova Report” se gjoja janë vrarë 4 persona në protestat e organizuara në komunat me shumicë serbe janë të rreme. “Kosova Report” i ka fshirë të dy postimet e rreme. KFOR dhe Policia e Kosovës nuk kanë njoftuar për persona të vrarë në protestat e organizuara me 29 maj 2023. KFOR ka njoftuar se 25 ushtarë janë lënduar. Ndërsa, mediat serbe kanë njoftuar se 53 qytetarë janë lënduar në protesta.
Artikulli
Më 29 maj 2023, në ora 18:05, faqja e Facebook-ut “Kosova Report” publikoi një informacion të shoqëruar me një fotografi, në të cilën shkruhej “Sipas informatave, një serb ka vdekur gjatë përleshjeve me KFOR-in”.
Mbi këtë informacion thuhej se mediat serbe kanë raportuar për një të vdekur.
Pas 20 minutave, në ora 18:24, e njëjta faqe ka publikuar edhe një informacion të dytë, në të cilin thuhej “Sipas informatave, pas përleshjeve me KFOR-in numri i të vrarëve shkon në 4”.
Mbi fotografinë me këtë përshkrim theksohej se “lajmi do të konfirmohet pas pak”.
Më pas këto dy informacione të publikuara u fshinë nga “Kosova Report”.
Dy informacionet e publikuara nga faqja “Kosova Report” në Facebook janë të rreme. Policia e Kosovës dhe KFOR nuk kanë raportuar për persona të vrarë gjatë përleshjes me protestuesit në Zveçan. As mediat në gjuhën serbe nuk kanë raportuar për persona të vdekur.
KFOR ka njoftuar se 25 pjesëtarë të saj janë plagosur gjatë përleshjes me protestuesit në Zveçan. Derisa mediat serbe, duke iu referuar një deklarate të drejtorit të Qendrës Spitalore Klinike në Mitrovicë ka thënë se më shumë se 53 persona kanë lëndime të ndryshme nga bombat shokuese, gazi lotsjellës dhe goditjet, tre janë të ndaluar në spital, dhe një person është në rrezik për jetën dhe ka plagë me armë zjarri.
|