schema:text
| - Video e rreme e gjeneruar me AI për shërim të sëmundjeve reumatike
Deklarata
Përdhesi, artriti, osteoartroza, osteokondroza, reumatizma, hernia, sinoviti etj
Vlerësimi
Rrenë
Video në të cilën flet një person që prezantohet si Ekrem Sila me profesion reumatolog dhe me titull “Përdhesi, artriti, osteoartroza, osteokondroza, reumatizma, hernia, sinoviti etj” ka përmbajtje të rreme. Kjo video është gjeneruar me inteligjencë artificiale, pasi personi që shihet tek flet në video nuk është shqiptar si paraqitet aty. Ai është Dr. Juan Rivera, kardiolog në Meksikë, i cili ka një ueb-faqe dhe një llogari në instagram, por i cili nuk e ka të postuar asnjë video në gjuhën shqipe. Pretendimet që bëhen në këtë video, sipas specialistëve të Reumatologjisë, janë të rreme pasi sëmundjet si: Osteoartriti, osteoporoza dhe frakturat osteoporotike, janë të pashërueshme.
Artikulli
Më 17.07.2024, faqja në Facebook MediVital (arkiva postimi dhe video), ka publikuar një video me titull “Përdhesi, artriti, osteoartroza, osteokondroza, reumatizma, hernia, sinoviti etj”.
Në këtë video flet një person që prezantohet si Ekrem Sila me profesion kinse reumatolog. Personi fol në gjuhën shqipe. Pas analizimit të deklaratës së tij rezulton se e njëjta është e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale.
Dëshmia e parë për këtë përfundim është fakti se personi i cili flet, mezi i shqipton disa fjalë të gjuhës shqipe.
Pas kësaj, Krypometër përmes kërkimeve të fotografive në Google Lens ka gjetur se personi që prezantohet si Ekrem Sila, në fakt është Dr. Juan Rivera, kardiolog në Meksikë. Rivera ka një ueb-faqe dhe një llogari në instagram që promovon suplemente të ndryshme, mirëpo në asnjë prej tyre nuk flet në gjuhën shqipe.
Lista e gjithë mjekëve të licencuar dhe që mund të ushtrojnë profesionin e tyre në Kosovë është e publikuar në ueb-faqen e Odës së Mjekëve të Kosovës, prandaj Krypometër ka kontrolluar listën e mjekëve të licencuar por aty nuk është asnjë mjek me emrin Ekrem Sila.
Për të ushtruar profesionin e mjekut në Kosovë, secili profesionist shëndetësor duhet të licencohet nga Oda e Mjekëve të Kosovës, pasi neni 8 i ligjit për Odat e profesionistëve shëndetësor thot se “anëtarësimi në këtë Odë është i detyrueshëm për të gjithë doktorët e mjekësisë… të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre shëndetësore në Republikën e Kosovës”.
Krypometri ka kontrolluar regjistrin e Urdhrit të Mjekëve të Shqipërisë, por as atje nuk figuron ndonjë doktor me emër Ekrem Sila.
Reumatologu, Besim Demolli, ka thënë për Krypometër se trajtimi për këto sëmundje (Osteoartriti, osteoporoza dhe frakturat osteoporotike) fokusohet në menaxhimin e simptomave dhe përmirësimin e cilësisë së jetës, pasi ato janë të pashërueshme.
Ky trajnim përfshinë terapinë fizike, modifikimet në stilin e jetës për menaxhimin e peshës dhe reduktimin e barrës në nyje, si dhe medikamentet për lehtësimin e dhimbjes dhe inflamacionit. Në raste të rënda, ai ka thënë se praktikohet edhe ndërhyrjet kirurgjikale.
Ai ka thënë se nuk mund të shërohen këto sëmundje me suplemente.
“Nëse suplementet sugjerohen si pjesë e një plani të trajtimit, këto sugjerime duhet të jenë të mbështetura nga një profesionist shëndetësor dhe të bazohen në një vlerësim të plotë dhe të saktë të nevojave të pacientit”- ka thënë Demolli për Krypometër.
|