schema:text
| - Rrena se pjesëtarët UNMIK-ut në Kosovë e valuan flamurin e Serbisë
Deklarata
Krejt e papranueshme! #UNMIKKosova u pa duke valëvitur një flamur serb, një shpërfillje flagrante për neutralitetin dhe dinamikën e ndjeshme në Kosovë
Vlerësimi
Rrenë
Përshkrimi i videos “Krejt e papranueshme! #UNMIKKosova u pa duke valëvitur një flamur serb, një shpërfillje flagrante për neutralitetin dhe dinamikën e ndjeshme në Kosovë” është i rremë. Misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK, ka thënë se “trupat e shfaqura në video janë njësia e Forcave të Armatosura Serbe të dislokuara me Forcën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL)”.
Artikulli
Më 18.03.2024 faqja “RKS NEWS” (arkiva) në rrjetin social “X” (ish Twitter), ka publikuar një video me mbishkrimin “Krejt e papranueshme! #UNMIKKosova u pa duke valëvitur një flamur serb, një shpërfillje flagrante për neutralitetin dhe dinamikën e ndjeshme në Kosovë”.
Në këtë video shihet një veturë me mbishkrimin “UN” ndërsa në të njëjten shihen disa persona duke valëvitur flamurin e Serbisë dhe një flamur me logo të Misionit të Kombeve të Bashkuara.
Për të verifikuar pretendimet e bëra në videon e publikuar, Krypometër ka kontaktuar me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK.
Sipas UNMIK, videoklipi i shpërndarë synon dezinformimin e publikut.
“Videoklipi i shpërndarë është lajm i rremë që synon dezinformimin e publikut. Trupat e shfaqura në video janë njësia e Forcave të Armatosura Serbe të dislokuara me Forcën e Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL)”- thuhet në përgjigjen e UNMIK për Krypometër.
E njëjta faqe (RKS NEWS) në X (Twitter) ka publikuar një sqarim përmes të cilit thotë se video e publikuar nga ana e tyre nuk është realizuar në Kosovë nga pjesëtarët e UNMIK-ut, por është video e misionit të OKB-së në Liban, UNIFIL.
Mandati i Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) është vendosur nga Këshilli i Sigurimit në rezolutën e tij 1244 (1999).
Në përputhje me mandatin e tij, Misioni i UNMIK-ut ndihmon në sigurimin e kushteve për një jetë paqësore dhe normale për të gjithë banorët e Kosovës dhe avancimin e stabilitetit rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Ndërsa, UNIFIL u krijua sipas rezolutës së Këshillit të Sigurimit 425 (1978) dhe 426 (1978) të datës 19 mars 1978, për të konfirmuar tërheqjen e forcave izraelite nga Libani jugor dhe rivendosur paqen dhe sigurinë ndërkombëtare (arkiva).
Pjesë e misionit UNIFIL janë edhe forcat policore e ushtarake të Serbisë.
|