schema:text
| - Pretendimet e rreme se Radoiçiq do të kthehet në Kosovë si investitor nëse fiton opozita
Deklarata
Terroristi dhe Biznesmeni i njohur Milan Radoicic premton se do te kthehet me 100 mil euro investime në veri nëse fiton Opozita
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë pretendimi se “Terroristi dhe Biznesmeni i njohur Milan Radoicic premton se do te kthehet me 100 mil euro investime në veri nëse fiton Opozita”. I akuzuari nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për udhëheqje të grupit terrorist, Millan Radoiçiq nuk ka bërë ndonjë deklarim publik se do t’i investojë 100,00,000 euro në veri të Kosovës, nëse fiton opozita në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025. Kundër tij ka urdhërarrest aktiv, pasi dyshohet se udhëhoqi grupin terrorist i cili ishte i përfshirë në rastin e Banjskës.
Artikulli
Më 09.02.2025, faqja në Facebook Specbuk (arkiva) ka publikuar një fotografi në të cilën shihet kandidati për Kryeministër nga radhët e AAK, Ramush Haradinaj bashkë me ish- kryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i kërkuar nga INTERPOL, lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2023.
Kjo fotografi është shpërndarë me mbishkrimin “Terroristi dhe Biznesmeni i njohur Milan Radoicic premton se do te kthehet me 100 mil euro investime në veri nëse fiton Opozita”.
Për të verifikuar nëse është thënë ndonjë herë një deklaratë e tillë nga Radoiçiq, Krypometër ka kërkuar në internet, por nuk ka gjetur diçka të tillë.
Millan Radoiçiq ka qenë Nënkryetar i Listës Serbe, mirëpo është dorëhequr nga kjo pozitë pas implikimit të tij në sulmin në Banjskë. Krypometër ka kontrolluar listën e kandidatëve të Listës Serbe dhe rezulton se Radoiçiq nuk ishte kandidat për Deputet për Zgjedhjet e mbajtura më 09.02.2025 të shpallura nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani.
Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK ka thënë se lajmi është i fabrikuar, me qëllim të demonizimit të bartësve të luftës çlirimtare të Kosovës.
“Mbetjet kolaboracioniste në vend, sidomos në kohë Zgjedhjesh, mobilizohen veçanërisht për të goditur vëllain e Luanit, Shkëlzenit e Enverit, pasi që nuk ia falin kurrë që e largoi Serbinë nga Kosova.”- ka thënë Lulëzim Blaka, zëdhënës i AAK.
Por, a mund të kthehet si investitor Radoiçiq?
Millan Radoiçiq është i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës si udhëheqës i grupit terrorist që sulmoi Banjskën.
Organizata më e madhe ndërkombëtare e Policisë- INTERPOL ka lëshuar fletarrest për Millan Radoiçiqin. Radoiçiq e ka pranuar se ka qenë pjesë e grupit që sulmoi në Banjskë. Për të, ka urdhërarrest aktiv të lëshuar edhe nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe institucionet i kanë bërë thirrje Serbisë që ta ekstradojë atë në Kosovë.
Sipas Aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ish- nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq ishte udhëheqës i grupit që kreu sulmin terrorist në Banjskë.
Në orët e para, më 24.09.2023, një patrullë e Policisë së Kosovës ishte sulmuar me mjete shpërthyese. Rreshteri i Policisë, Afrim Bunjaku ishte vrarë. Një polic tjetër ishte plagosur dhe një tjetër ishte lënduar në këtë sulm terrorist.
Në kundërpërgjigjen e Policisë, tre terroristë u vranë dhe disa u plagosën. Disa prej personave të përfshirë në sulmin në Banjskë u arrestuan, kurse shumica e anëtarëve të grupit kanë ikur në Serbi. Gati një vit pas këtij sulmi, hetimet ende po vazhdojnë.
Operacioni i sulmit terrorist u udhëhoq nga ish- nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq. Ai vetëm pak ditë pas sulmit terrorist me anë të një letre të cilën e lexoi avokati i tij kishte marrë përgjegjësinë për sulmin, organizimin dhe logjistikën e tij, duke thënë tutje se pas këtij rasti jep dorëheqje nga pozicioni i tij brenda partisë serbe që funksionon në Kosovë, Listës Serbe.
Qendrimet e Haradinajt
Urdhërarresti i parë për Radoiçiqin, si i dyshuar për përfshirje në rastin e vrasjes së politikanit serb, ishte shpallur në muajin korrik të vitit 2019 në kohën kur Haradinaj ishte Kryeministër.
Krypometër, përmes kërkimit në internet, ka gjetur disa deklarata të Haradinajt të cilat dëshmojnë ndryshimin e qëndrimit të tij karshi ish- nënkryetarit të Listës Serbe dhe të kërkuarin nga INTERPOL si i dyshuar për udhëheqjen e grupit terrorist i cili sulmoi në Banjskë të Zveçanit, më 24.09.2023.
Kryetari i AAK ka deklaruar se Millan Radoiçiq kishte ikur nga Kosova gjatë kohës së tij, teksa ka akuzuar Qeverinë Kurti për kthimin e Radoiçiqit në Kosovë.
“Nuk janë këta që e kanë hequr Radoiçiqin. Këta e kanë kthyer. A ka shkuar Radoiçiq i ndjekur nga Policia e Kosovës dhe shtetit tonë gjatë qeverisjes sime. Shikoni datat, shikoni kohën, që atëherë ka ikur ai. Nëse ka hyrë fshehtë bravo i koftë, por nuk ka guxuar me vepru dhe operu në Veri gjatë kohës së qeverisjes sonë.”- ka thënë Haradinaj, në emisionin Politiko në Kanal 10.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës kishte folur për Radoiçiqin edhe në një seancë të jashtëzakonshme, në Kuvendin e Kosovës, më 11.10.2024, duke thënë se kur ai ishte Kryeministër, Millan Radoiçiq ishte i ndjekur nga Drejtësia.
“Radoiçiq e ka zgjedhë një rrugë tjetër, atë të ikjes nga Drejtësia. Ndikimi i tij në proceset e brendshme në Kosovë është rishfaqur me ardhjen në pushtet të Albin Kurtit. Pra, një njeri i ikur nga Kosova, me pamundësi me operu në Kosovë, pa fuqi të vendimmarrjes në Kosovë, na u ringjall me ardhjen Kryeministër të Albin Kurtit. Radoiçiq u kthy në faktor të marrëveshjeve me Kurtin.”- kishte thënë Haradinaj në Seancën e Kuvendit të Kosovës, më 11.10.2024.
Ky postim është bërë disa ditë para Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Të dhënat nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregojnë për 1 970 944 votues me të drejtë vote.
|