schema:text
| - Raportimi jo i plotë për pesë thasë me monedhën 2 euroshe false
Deklarata
Tmerr: Zyrtari i ‘TEB-it’ në Podujevë mbledh pesë thasë me 2 euroshe false
Vlerësimi
Me kos
Artikulli me titullin “Tmerr: Zyrtari i ‘TEB-it’ në Podujevë mbledh pesë thasë me 2 euroshe false” nuk është plotësisht i vertetë. Në artikull në asnjë vend nuk përmendet se për çfarë periudhe janë grumbulluar këto para, vetëm thuhet se një zyrtar i bankës i ka raportuar pesë thasë me monedha 2 euroshe në Policinë e Kosovës. Megjithatë, Policia e Kosovës kishte raportuar “paratë dyshohet se janë deponuar në bankë nga klientë të ndryshëm gjatë një periudhe 5-vjeçare”.
Artikulli
Më 13.02.2024, faqja e internetit “Sinjali” (arkive) ka publikuar një lajm me titull “Tmerr: Zyrtari i ‘TEB-it’ në Podujevë mbledh pesë thasë me 2 euroshe false”.
Lajmi me të njëjtin përshkrim dhe përmbajtje është publikuar edhe në faqje të tjera të internetit dhe Facebook, si: Shekulli.info, 02 Press, RTV BESA dhe Podujeva.
“Një rast i tillë është raportuar gjatë ditës së djeshme nga një zyrtar i bankës ‘TEB’ në Podujevë, i cili ka njoftuar se janë detektuar disa mijëra euro që dyshohet të jenë të falsifikuara. Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për një shumë rreth 15 mijë euro, të gjitha në monedhën metalike 2 euroshe. Zyrtari i bankës ka mbushur pesë thasë me paratë që dyshohet se janë të falsifikuara, të cilat i ka dërguar në Polici”- thuhet në lajmin e publikuar.
Për të verifikuar këtë lajm, Krypometër ka kontrolluar postimet dhe komunikimet zyrtare të bëra nga Policia e Kosovës. Në komunikatën e Policisë së Kosovës (arkive) bëhet e ditur se, sipas raportimit të ankusues, paratë dyshohet se janë deponuar në bankë nga klientë të ndryshëm gjatë një periudhe 5-vjeçare.
Tash e disa muaj Policia e Kosovës ka arrestuar disa persona nën dyshimin se në bashkëpunim kanë prodhuar dhe futur në treg monedha 2 euroshe false duke shkaktuar kështu humbje në biznese e madje edhe probleme me banka në të cilat monedha të tilla ishin deponuar në masë të madhe.
Për të verifikuar këtë lajm, Krypometër ka kontaktuar edhe me Bankën TEB, e cila përmendet në artikujt e shpërndarë në Facebook.
Driton Latifi, Drejtues i zyres per komunikim korporativ në Bankën TEB për Krypometër ka thënë se grumbullimi i këtyre monedhave është bërë për një kohë të gjatë.
“Ju konfirmojmë se sasia është akumuluar për një kohë të gjatë 5 vjeçare, për shkak të situatës së krijuar në tregun e Kosovës më shumë monedha të vlerës 2 Euro të dyshimta”- ka thënë Latifi.
Ai ka dhënë edhe një shpjegim se pse sasia e parave të dorëzuara në Polici është kaq e madhe.
“Monedhat në vlerën prej 2 EUR janë mbledhur në një sasi më të madhe, për shkak se Dega e Podujeves është e vetmja në atë rajon”- ka thënë Latifi.
Ai ka shpjeguar se dorëzimi i monedhave të dyshimta tek policia, për Bankën tonë është një proces i zakonshëm, për shkak se çdo banknotë/monedhë e falsifikuar, sipas ligjit, duhet dorëzuar në Polici për hetim të mëtutjeshëm profesional.
Agjencia Kosovare e Inteligjencës, Policia e Prokuroria gjatë vitit 2023 janë përfshirë në zbulimin dhe arrestimin e një grupi të dyshuar për falsifikim të monedhave metalike 2 euroshe.
Sipas dosjes së prokurorisë, Benjamin Ajrullovski, Sherif Ajrullovski, Alil Ajrullovski, Setki Ramuka, Muhamed Krasniqi dhe Hajredin Dernjani janë gjashtë të dyshuarit për falsifikimin e monedhave 2 euro të cilat tash e një kohë janë duke qarkulluar në tregun e Kosovës.
Prokuroria pretendon se ekziston mundësia që në këtë rast bëhet fjalë për një grup kriminal me role të caktuara, ashtu që të dyshuarit Maqedonas i sigurojnë paratë e falsifikuara, kurse të dyshuarit e Kosovës luajnë rolin e ndërmjetësuesve.
Më 17.01.2024, Banka Qendrore e Kosovës doli me një manual për tiparet e sigurisë së kartëmonedhave dhe për tiparet e sigurisë së monedhave.
“Rrethi i brendshëm i monedhës 2€ ka veti të lehta magnetike, ndërsa rrethi i jashtëm nuk ka veti magnetike. Për të vërtetuar nëse monedha është origjinale provojeni atë me një magnet. Nëse monedha tërhiqet nga magneti vetëm në pjesën qendrore të monedhës, monedha është origjinale. Në përgjithësi monedha 2€ e falsifikuar ka veti të forta magnetike, nuk ka veti magnetike fare ose ka veti magnetike vetëm në rrethin e jashtëm”- thuhet në manual.
“Tek monedhat false ngjyra e arit dhe e argjendit janë më të theksuara, si dhe tekstura e materialit ndryshon nga ajo origjinale. Gjithashtu monedha false mund të ketë më shumë shkëlqim nga ajo origjinale. Monedha 2€ origjinale ka një relief dhe teksturë të theksuar duke mundësuar që përmes prekjes të dallohen detajet”- thuhet ndër të tjera në të njëjtin manual.
Krypometër ka kërkuar edhe një përgjigje nga Banka Qendrore e Kosovës, të cilët kanë thënë se janë bashkërenduar me disa institucione të tjera në mënyrë që të ndalohet përdorimi i parave false.
“Si rezultat i bashkërendimit të aktiviteteve që dalin nga detyrat dhe plani i përbashkët me institucionet përgjegjëse të zbatimit të ligjit, dhe veprimit efektiv u arrit konfiskimi i sasive të mëdha të monedhave të denominimit prej 2 Euro nga organet e zbatimit të ligjit, në çka edhe BQK kishte kontribut, edhe më tej udhëzuan qytetarët dhe bizneset të vazhdojnë të kenë kujdes të shtuar gjatë transaksioneve”- thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas Nenit 296 të Kodit Penal Nr. 06/L-074 të Republikës së Kosovës dhe Nenit 19 dhe 20 te Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës se Kosovës, dhe kushdo që prodhon, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdorë ose posedon paranë e falsifikuar me qëllim që ta vë në qarkullim si të vërtetë, dënohet me gjobë ose burgim.
|