schema:text
| - Titulli i rremë për regjistrimin e popullsisë në Mal të Zi
Deklarata
Popullsinë e Malit të Zi e përbëjnë 9.97% shqiptarë
Vlerësimi
Pjesërisht e vërtetë
Titulli i artikullit: “Popullsinë e Malit të Zi e përbëjnë 9.97% shqiptarë”- është i rremë. Në regjistrimin e fundit në Mal të Zi, të bërë në dhjetor të vitit 2023, 30,978 qytetarë janë deklaruar shqiptarë. Krahasuar me regjistrimin e vitit 2011, numri i shqiptarëve nuk ka ndryshuar shumë, pasi në vitin 2011 ishin deklaruar si shqiptarë 4.91% apo 30,439 persona. Sipas rezultateve të MONSTAT, 256,436 persona janë deklaruar si malazezë ose 41.12%; 205,370 janë deklaruar serbë ose 32,93% e qytetarëve; 58,956 janë deklaruar si boshnjakë ose 9,45%; 30,978 ose 4,97% janë deklaruar si shqiptarë; 12,824 ose 2.06% si rusë; dhe 10,162 ose 1.63% si myslimanë.
Artikulli
Më 15.10.2024, portali ‘Kosova Sot Online’ (arkiva), ka publikuar një artikull me titull: “Popullsinë e Malit të Zi e përbëjnë 9.97% shqiptarë”.
I njëjti është shpërndarë edhe në faqen e Facebook-ut të ‘Kosova Sot’ (arkiva).
Titulli i këtij artikulli është i pasaktë, pasi i njëjti nuk përputhet me përmbajtjen e tekstit. Në titull pretendohet se 9.97% e popullsisë në Mal të Zi përbëhet nga shqiptarët, ndërsa në lajm thuhet se shqipëtarët në Malit të Zi e përbëjnë 4.97% të popullsisë.
Për të verifikuar këtë informacion, Krypometër ka analizuar dokumentet zyrtare të Regjistrimit të popullsisë në Mal të Zi që është bërë në dhjetor të vitit 2023.
Drejtoria e Statistikave e Malit të Zi (MONSTAT) i ka publikuar rezultatet e regjistrimit të popullsisë më 15.10.2024.
Sipas këtyre rezultateve të MONSTAT, 256,436 persona janë deklaruar si malazezë ose 41.12%; 205,370 janë deklaruar serbë ose 32,93% e qytetarëve; 58,956 janë deklaruar si boshnjakë ose 9,45%; 30,978 ose 4,97% janë deklaruar si shqiptarë; 12,824 ose 2.06% si rusë; dhe 10,162 ose 1.63% si myslimanë.
Pra në të dhënat zyrtare të MONSTAT, figuron se popullsinë e Malit të Zi e përbëjnë 4.97% shqiptarë dhe jo 9.97% si ka pretenduar portali ‘Kosova Sot Online’.
Krahasuar me regjistrimin e parafundit, numri i shqiptarëve nuk ka ndryshuar shumë, pasi në vitin 2011 ishin 4.91%, apo 30.439, ndërsa në regjistrimin e vitit 2023 janë 30,978 qytetarë që janë deklaruar shqipëtar.
Regjistrimi i rregullt i popullsisë në Mal të Zi duhej të bëhej në vitin 2021, por, fillimisht, u shty për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Pas saj, ai u shty disa herë, për shkak të mosbesimit të opozitës në atë proces.
Partia Demokratike e Socialistëve shprehu vazhdimisht dyshime se qëllimi i vërtetë i regjistrimit ishte rritja e numrit të serbëve në Mal të Zi dhe ulja e numrit të malazezëve.
Për muaj të tërë, forcat dhe mediat pro serbe e pro ruse bënë fushatë, duke u kërkuar qytetarëve që të deklaroheshin si serbë.
Fushatës iu bashkua edhe Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili u bëri thirrje qytetarëve që të identifikoheshin si pjesëtarë të popullit serb dhe besimtarë të Kishës Ortodokse Serbe, që flasin gjuhën serbe.
|