| schema:text
| - Bedri Hamza nuk ishte i akuzuar në rastin e 53 milionshit
Deklarata
Bedri Hamza ishte i përfshirë në rastin e keqpërdroimit të 53 milion euro nga Pal Lekaj
Vlerësimi
Rrenë
Është i rremë postimi “Bedri Hamza ishte i përfshirë në rastin e keqpërdroimit të 53 milion euro nga Pal Lekaj”. Kandidati për Kryeministër nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza nuk ka qenë i akuzuar në rastin e njohur si 53 milionshi. Për këtë rast të akuzuar dhe më pas të dënuar nga Gjykata Themelore janë ish-ministri Pal Lekaj, këshilltari i tij politik, Eset Berisha, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Prokurimit, Besim Tahiri dhe sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri. Rasti është duke u trajtuar në Gjykatën e Apelit.
Artikulli
Më 16.12.2024, një profil në Facebook ka publikuar (arkiva) një material në të cilin thuhet “Bedri Hamza ishte i përfshirë në rastin e keqpërdroimit të 53 milion euro nga Pal Lekaj”.
Ky përshkrim është vendosur në një video, në të cilën shihet një shkrim i publikuar në KALLXO.com, me titullin “Bedri Hamza pritet të dëshmojë në rastin e 53-milionëshit”. Krypometër përmes kërkimit në internet ka gjetur shkrimin e publikuar në KALLXO.com. Në shkrimin e publikuar në KALLXO.com thuhet se Hamza do të jetë në cilësinë e dëshmitarit, e jo të dyshuarit.
“Përpos ish-ministrit Lekaj, sot në Gjykatë pritet që të paraqitet edhe ish-ministri i Financave në kohën e Qeverisë Haradinaj, Bedri Hamza. Por për dallim nga Lekaj, tash kryetari i Mitrovicës së Jugut, Bedri Hamza në këtë seancë gjyqësore është i ftuar në cilësinë e dëshmitarit.”- thuhet në shkrimin e KALLXO.com.
Në seancën e datës 15.05.2023, Hamza nuk kishte arritur të jepte dëshminë e tij, pasi kishte dështuar seanca gjyqësore.
Hamza kishte dhënë dëshminë e tij edhe më 12.07.2024, pranë Departamentit Special të Gjykatës së Prishtinës. Ish-ministri Hamza kishte deklaruar se Kontrata për Projektin e autostradës Prishtinë- Han i Elezit ka qenë dokument i klasifikuar dhe se nuk ka qenë në dijeni sa ka qenë vlera e Kontratës për ndërtimin e kësaj autostrade.
“Nuk kam pasur qasje, besoj se është e cekur në Kontratë.”- kishte thënë Hamza. Dëshmitari Hamza ishte pyetur nëse kishte qenë prezent, kur ishte marrë vendimi për ekzekutimin e pagesës shtesë prej 53.1 milionë euro, për këtë Projekt infrastrukturor. I njëjti kishte thënë se nuk kishte qenë prezent në atë mbledhje. “Nuk kam qenë në atë mbledhje, se kam qenë në punimet e seancës së Kuvendit.”- ishte përgjigjur Hamza.
Dallimet në mes të dëshmitarit dhe të dyshuarit
Sipas Kodit të Procedurës Penale ka një dallim të dukshëm në mes të dëshmitarit dhe të dyshuarit në procedurë gjyqësore.
“I akuzuari- personi kundër të cilit është paraqitur aktakuza dhe është caktuar shqyrtimi gjyqësor.”- thuhet në Nenin 19 Paragrafi 1.5, te nocioni i të akuzuarit. Ndërsa, dëshmitari ka cilësinë që të dëshmojë për një ngjarje, vetëm për atë që di dhe atë që ka parë. Dëshmitari mund të thirret nga Prokuroria, Gjykata apo nga vetë palët e akuzuara.
“Si dëshmitar thirret personi, për të cilin besohet se mund të japë informata për veprën penale, për kryersin dhe për rrethanat e rëndësishme për procedurën penale.”- thuhet në Nenin 120 Paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.
Dëshmitari ka të drejtë që të mos e inkriminojë vetveten gjatë deklarimit të tij. Gjithashtu, ka të drejtë të heshtë në pyetje që do ta vinin atë ose ndonjërin prej anëtarëve të familjes së tij para turpit të madh. Një dëshmitar ka të drejtë të përfaqësohet nga një avokat, i cili është i licensuar në Odën e Avokatëve të Kosovës.
Rasti i 53 milionshit
Në arysetimin e aktakuzës nuk përmendet askund që si i dyshar të ketë qenë Bedri Hamza, ndërsa për këtë rast të akuzuar janë ish-ministri Pal Lekaj, këshilltari i tij politik, Eset Berisha, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Prokurimit, Besim Tahiri dhe sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatri.
Më 31.01.2024, Gjykata Themelore e Prishtinës kishte marrë Aktgjykim dënues për katër të akuzuarit, duke u shqiptuar dënim me burgim por edhe dënime plotësuese.
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ishte dënuar me 3 vjet e 8 muaj “burgim” dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj “ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike”.
Ndërsa, këshilltari i tij politik, Eset Berisha ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj “burg” dhe dënim plotësues prej 3 vjetësh “ndalim të ushtrimit të funksionit në administratë publike”.
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri, dhe drejtori i Prokurimit në këtë Ministri, Besim Tahiri, ishin dënuar secili me nga një vjet e tetë muaj “burg” dhe “me dënim plotësues” prej 2 vjetësh “ndalim të ushtrimit të funksionit në administratë publike”.
Për rastin e 53 milionë eurove të paguara për autostradën Prishtinë- Hani i Lezit, nga Gjykata Themelore e Prishtinës janë dënuar 4 persona me 10 vjet e 3 muaj “burg” në total. Pra, nëse llogarisim dënimet e katër të akuzuarve del se dënimi “me burgim” që të akuzuarit kanë marrë është 10,3 vjet dënim “me burgim efektiv”, i cili dënim do të bëhet i plotfuqishëm pasi të bëhet i formës së prerë.
Ndërsa, “dënimi plotësues”, “ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike” për katër të akuzuarit arrinë kohëzgjatjen prej gjithsej 9 vjet e 6 muaj.
Pas ankesave, ky rast gjendet në Gjykatën e Apelit. Nysret Arifi nga Gjykata e Apelit ka thënë për Krypometër se seanca për shqyrtimin e ankesave do të mbahet më 07.10.2024. Dënimin e të akuzuarit do ta mbajnë vetëm në qoftë se ky Aktgjykim merr formën e prerë.
|