schema:text
| - Rrena se Angela Merkel është deklaruar pas tensioneve në veri
Deklarata
MerkeI nëse ushtarët serb kalojnë vetëm një metër në Kosovë, ushtria gjermane është gati
Vlerësimi
Rrenë
Titulli i këtij artikulli: “MerkeI nëse ushtarët serbë kalojnë vetëm një metër në Kosovë, ushtria gjermane është gati”, është i rremë. Edhe përmbajtja e artikullit është e rreme dhe nuk mbështetet në asnjë fakt. Në artikull madje i është mveshur një deklaratë ish-kancelares, Angela Merkel, të cilën nuk e ka thënë edhe gjatë kohës sa ishte në pozitën e kancelares. Angela Merkel pas 16 vitesh në krye të Qeverisë gjermane është zëvendësuar nga Olaf Scholz, në dhjetor të vitit 2021.
Artikulli
Faqja online Skenderajpress.com ka publikuar një lajm me titull “MerkeI nëse ushtarët serb kalojnë vetëm një metër në Kosovë, ushtria gjermane është gati”.
Lajmi i publikuar më një gusht të këtij viti është shpërndarë në disa faqe në Facebook, si: “Ushtria e Kosovës”, “Republika e Kosovës”
Artikulli pretendon se ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, i ka komunikuar Serbisë se nëse ushtria serbe kalon në territorin e Kosovës, ushtria gjermane nuk do ta kursejë.
Ky artikull është i rremë. Në brendësi të artikullit, faqja nuk i është referuar ndonjë burimi të sigurtë. Në tekst nuk përmendet se kur apo ku e ka thënë ish-kancelarja gjermane një deklaratë të tillë.
Ndërkohë, i njëjti artikull dhe më të njëjtën përmbajtje është publikuar edhe në shtator të vitit 2021 dhe ishte shpwrndarw nw faqet nw Facebook, si: “Aktualet e Ditës”, “Seriali Turk”,”Gazeta Press”.
Artikulli u ripublikuar më 1 gusht 2022, apo vetëm një ditë pas krizës në veri të Kosovës, e cila u krijua pas vendosjes së barrikadave.
Një ditë para se të hynte në fuqi vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve serbë për në Kosovë, grupe të organizuara bllokuan rrugët që të çonin në pikat kufitare, në Jarinje dhe Bërnjak.
Qeveria e Kosovës pas kërkesës së ambasadorit amerikan, Jeff Hovenier, ishte zotuar që të shtyhet për 30 ditë zbatimi i dy vendimeve të reciprocitetit, nga momenti kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
|