schema:text
| - Fotografia e manipuluar e kryeministrit Kurti dhe deputetit Dimal Basha
Deklarata
Timal do ta mposhtim AMELIKEN” dhe “Alpin qanej i bjenë AMELIKA
Vlerësimi
Rrenë
Fotografia e publikuar në Facebook me mbishkrimin “Timal do ta mposhtim AMELIKEN” dhe “Alpin qanej i bjenë AMELIKA”- është e fabrikuar. Në këtë fotografi janë vendosur fytyrat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, duke përdorur Inteligjencën Artificiale. Në fotografinë reale është lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë një vizite në një njësi ushtarake pranë kufirit me Korenë e Jugut në vitin 2013.
Artikulli
Më 21.09.2024 faqja në Facebook ‘Drenica Graphic’ (arkiva & arkiva & arkiva) ka publikuar një fotografi në të cilën pretendohet se janë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.
Në fotografi janë vendosur dy mbishkrime “Timal do ta mposhtim AMELIKEN” dhe “Alpin qanej i bjenë AMELIKA”.
Përmes makinës së kërkimit të fotografive, Tineye, Krypometër ka gjetur fotografinë origjinale në të cilën është lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, gjatë një vizite në një njësi ushtarake pranë kufirit me Korenë e Jugut në vitin 2013.
Tutje, Krypometër e ka kërkuar këtë fotografi përmes PimEyes, e cila është maqinë që kërkon fotografitë përmes identitifikimit të fytyrave. Përmes saj është gjetur se në fotografi janë vendosur fytyra e kryeministrit Kurti dhe e deputetit Basha, pasi janë identifikuar fotografitë e tyre që janë përdorur për fabrikim të fotografisë përmes Inteligjencës Artificiale.
Albin Kurti është kryetar i partisë Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministër i Republikës së Kosovës.
Kur filloi lufta në Kosovë, në gusht të vitit 1998, Kurti filloi të punojë si Sekretar i Zyrës së Përfaqësuesit të Përgjithshëm Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Demaçi. Kur filluan bombardimet e NATO-s në Serbi dhe Kosovë në mars të vitit 1999, Kurti qëndroi në Prishtinë dhe u arrestua nga policia serbe më 27.04.1999. Kur forcat serbe u tërhoqën nga Kosova më 10.06.1999, Kurti dhe mbi dy mijë shqiptarë të tjerë u transferuan në burgjet serbe. Për shkak të presionit ndërkombëtar, Kurti u lirua më 07.12.2001.
Albin Kurti ka qenë deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Republikës së Kosovës për tri mandate me radhë. Ai gjithashtu ka shërbyer si kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Kosovës në vitet 2011-2014.
Në tri palë zgjedhje të njëpasnjëshme parlamentare në Kosovë, më 2017, 2019 dhe 2021, Kurti ka qenë kandidat i LVV-së për kryeministër.
Në zgjedhjet e mbajtura më 14.02.2021, lista e LVV-së fitoi 50.28% të votavedhe më pas formoi Qeverinë Kurti 1, ndërkaq Qeveria Kurti 2 u votua më 22.03.2024.
Ndërsa, Dimal Basha është deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Ai është anëtar i Komisionit për Legjislacion dhe i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).
Deputeti Dimal Basha edhe më herët ka qenë pjesë e postimeve të rreme që janë bërë për të. Krypometër e ka vlerësuar si të ndryshuar një fotografi në të cilën rrejshëm pretendohet se Basha ka marrë pjesë në paradën e komunitetit LGBTIQ+ të organizuar në Berlin të Gjermanisë.
Ky publikim është bërë në kohën kur presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu e ka caktuar datën 02.09.2025 për mbajtjen e Zgjedhjeve Parlamentare.
|