schema:text
| - Recetë e rreme për trajtim të tiroideve
Deklarata
“Hani vetëm dy lugë gjelle në mëngjes dhe në mbrëmje: Ky eshte produkti i vetem qe perdoret per trajtimin e Tiroides”
Vlerësimi
Rrenë
Artikulli me titull “Hani vetëm dy lugë gjelle në mëngjes dhe në mbrëmje: Ky eshte produkti i vetem qe perdoret per trajtimin e Tiroides” nuk është i bazuar në fakte. Pretendimet e dhëna në këtë artikull nuk kanë bazë shkencore dhe as nuk janë rekomanduar nga mjekët. Endokrinologu Amir Rexhepi thotë se qytetarët duhet të marrin këshilla nga mjekët për trajtim të sëmundjes se tiroideve, pasi vetë-mjekimi është i rrezishëm dhe mund të shkaktojë vonesa në trajtim të sëmundjes. Pacientët që kanë simptome që ndërlidhen me problemet e gjëndrës tiroide duhet të lajmërohen te endokrinologu, i cili do të bëjë ekzaminimin e plotë, përfshirë edhe ultrazërin e gjëndrës tiroide që është tejet me rëndësi.
Artikulli
Më 24 maj 2023, faqja e internetit “04online.info” ka shpërndarë një artikull me titull: “Hani vetëm dy lugë gjelle në mëngjes dhe në mbrëmje: Ky eshte produkti i vetem qe perdoret per trajtimin e Tiroides”.
Ky artikull është publikuar edhe nga faqet e internetit: “gazetadiaspores.com”, “informacion24.com”, “onlinenews5.com” dhe nga faqet e Facebook-ut “Ushqimet e Nënës”, Gazeta Aktualiteti, Gazeta Diaspora, Lajmi Fundit.
Ky artikull pretendon se problemi me tiroidet mund të shërohet përmes një recete të përbërë nga arra, mjalta dhe një kavanozi të vogël me reçel.
Mirëpo, receta nuk përmban asnjë fakt që vërteton se i largon tiroidet dhe nuk citon asnjë mjek apo studim mjekësor që e mbështet këtë recetë.
KALLXO.com ka kontaktuar edhe endokrinologun Amir Rexhepi, i cili ka thënë se vetë-mjekimi i problemeve të gjëndrës tiroide, mund të çojë përveç në mjekim jo të duhur edhe në vonesë të diagnostikimit të saktë të sëmundjes që mund të përcillet me rrënim të shëndetit në përgjithësi.
“Ne këshillojmë që të mos merret asnjë ilaç pa recetë të mjekut dhe pa udhëzimet e duhura nga një profesionist i kujdesit shëndetësor. Sepse, vetë-mjekimi mund të jetë i rrezikshëm pasi mund të çojë në marrjen e dozave të pasakta, në efekte anësore ose ndërveprime me medikamente tjera që mund të marrin pacientët në të njëjtën kohë. Prandaj, është gjithmonë më mirë të konsultoheni me një mjek i cili mund të vlerësojë gjendjen tuaj specifike dhe të përshkruajë mjekimin e duhur për problemet e caktuara”- ka thënë Rexhepi për KALLXO.com.
Ai tutje ka shtuar se marrja e barnave të tiroides pa u monitoruar nga një mjek endokrinolog mund të jetë shumë e rrezikshme, veçanërisht nëse pacienti ka sëmundje të fshehura të zemrës.
“Prandaj, i këshillojmë pacientët që kanë simptome që ndërlidhen me problemet e gjëndrës tiroide, të lajmërohen te endokrinologu, i cili do të bëjë ekzaminimin e plotë, përfshirë edhe ultrazërin e gjëndrës tiroide që është tejet me rëndësi”– ka theksuar Rexhepi.
|