schema:text
| - Rrena për alarm dhe datë të anëtarësimit të Kosovës në BE
Deklarata
Ngrihet alarmi, ditë jo te mira për vendin tonë/ Vendimmarrësit më optimistë japin daten, Ja në cilin vit Kosova pritet të bëhet pjese në BE
Vlerësimi
Me kos
Titulli “Ngrihet alarmi, ditë jo te mira për vendin tonë/ Vendimmarrësit më optimistë japin daten, Ja në cilin vit Kosova pritet të bëhet pjese në BE”, në mungesë të kontekstit është i rremë dhe nuk paraqet faktet e prezantuara brenda tekstit. Në titull flitet për “alarm” dhe ‘ditë jo të mira’ për Kosovën, mirëpo në artikull nuk flitet për gjendje alarmante dhe as për ditë jo të mira për Kosovën. Në titull paralajmërohet se do të tregohet edhe data se kur Kosova do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, mirëpo në tekst nuk ka ndonjë datë të dhënë. Gjatë ripublikimit të materialeve gazetarët nuk guxojnë të ndryshojnë apo falsifikojnë përmbajtjen.
Artikulli
“Ngrihet alarmi, ditë jo te mira për vendin tonë/ Vendimmarrësit më optimistë japin daten, Ja në cilin vit Kosova pritet të bëhet pjese në BE”, është titulli të cilin faqja e internetit “lajme.icu” dhe lajme.buzz ia ka vendosur artikullit në të cilin flet për procesin integrues të Kosovës në Bashkim Evropian.
I njëjti artikull është shpërndarë në disa faqe në Facebook, si: “Gazeta Parlamenti”, “Pamfleti.com”, “Illyria Press”, “Liria ka emer UÇK”, “Tv Rapsodet”, “Diaspora News”, “Shqiperia Sot”.
Artikulli është ripublikim i një materiali të prodhuar nga Radio Evropa e Lirë të cilit faqja e internetit “lajme.icu” i ka ndrruar titullin duke i vendosur një titull të rremë.
Titulli në fjalë alarmon për ‘ditë jo të mira’ mirëpo nuk përkon me tekstin pasi aty nuk flitet për asnjë alarm apo gjendje alarmante.
Në titull paralajmërohet se do të tregohet edhe data se kur Kosova do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, mirëpo në tekst nuk ka ndonjë datë të dhënë.
Në artikull citohet një qytetar, i cili përmend vitin 2050 si kohë kur Kosova do të integrohet në BE.
Ky portal ka marrë një artikull nga Radio Evropa e Lirë, por të njëjtit ia ka ndërruar titullin duke vendosur elemente që nuk i mbështet në tekst dhe rrjedhimisht janë të rreme.
Institucionet e Kosovës asnjëherë nuk kanë dhënë datë kur Kosova do të anëtarësohet në Bashkim Evropian.
Madje, një datë e tillë nuk është dhënë as nga vetë BE-ja, anipse zyrtarë të lartë kanë deklaruar se Kosova e ka vendin në familjen evropiane.
Qeveria ka paralajmëruar se për statusin e vendit kandidat do të aplikojnë në fund të këtij viti.
Kosova duhet ta dorëzojë aplikimin për anëtarësim në Këshill, i cili më pas i kërkon Komisionit të vlerësojë aftësinë e aplikuesit për të përmbushur kushtet e anëtarësimit.
Nëse Komisioni dorëzon një opinion pozitiv dhe Këshilli unanimisht miraton një mandat negocimi, atëherë hapen zyrtarisht negociatat midis vendit kandidat dhe shteteve anëtare.
Aktualisht vende kandidate për në Bashkimin Evropian janë edhe shtetet fqinje si: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, e pastaj edhe Turqia, Moldavia dhe Ukraina.
Ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë statusin e kandidatëve potencialë. Shqipëria e Maqedonia e Veriut më 19 korrik kanë nisur negociatat për anëtarësim në BE.
|