| schema:text
| - Publikimi i rremë për blerjen e armatimeve
Deklarata
sipas disa informacioneve delegacioni i FSK-së ka nënshkruar disa kontrata në panairin e AUSA-2023, për Anti-Tank, dronë kamikazë, mjete me zingjir, dhe minahedhës lëvizës Hawkeye 105mm”
Vlerësimi
Rrenë
Publikimi me titull “sipas disa informacioneve delegacioni i FSK-së ka nënshkruar disa kontrata në panairin e AUSA-2023, për Anti-Tank, dronë kamikazë, mjete me zingjir, dhe minahedhës lëvizës Hawkeye 105mm” është i rremë. Krypometër ka konfirmuar me burime zyrtare se kontrata të tilla nuk janë nënshkruar gjatë panairit AUSA-2023.
Artikulli
Më 13 tetor 2023, faqja e facebook-ut, Ushtria e Kosovës ka publikuar një fotolajm në të cilin pretendohet se Forca e Sigurisë së Kosovës ka nënshkruar disa kontrata në panairin AUSA-2023.
Në foto lajmin e publikuar thuhet “sipas disa informacioneve delegacioni i FSK-së ka nënshkruar disa kontrata në panairin e AUSA-2023, për Anti-Tank, dronë kamikazë, mjete me zingjir, dhe minahedhës lëvizës Hawkeye 105mm”.
Për këtë fotolajm, kjo faqe ka zgjedhur dy fotografi, në të parën është vendosur një automjet ushtarak ndërsa në të dytën shihen përfaqësuesit e Forcës së Sigurisë së Kosovës në panair.
Krypometër ka verifikuar nëse ky informacion është i saktë. Fillimisht është kontrolluar informacioni i shpërndarë nga FSK e në të cilin janë publikuar edhe disa fotografi. Krypometër ka konstatuar se me datë 13 tetor 2023 në faqen zyrtare të FSK-së është publikuar një njoftim për vizitën në panairin e AUSA 2023. Krypometër brenda njoftimit të FSK-së nuk ka informacion se janë nënshkruar kontrata për blerjen e armatimeve. Njoftimi tregon që vizita ka shërbyer vetëm për marrjen e informacionit.
Me ftesën Asociacionit të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (AUSA), në emër të KOMFSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, Shefi Stafit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Ilir Qeriqi kanë marrë pjesë në Konferencën Vjetore dhe Panairin e Industrisë së Mbrojtjes “AUSA 2023” në Washington DC” thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes në kuadër të sesioneve të konferencës dhe panairit vjetor, Gjeneral Qeriqi ka takuar edhe Drejtorin e Agjencisë së Bashkëpunimit për Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), James Hursch dhe përfaqësuesin nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Asistencë në Siguri (USASAC) kolonelin Singleton me të cilin është diskutuar për procesin e bashkëpunimit dhe blerjeve nga SHBA.
Për të verifikuar nëse gjatë kësaj vizite ka ndonjë kontratë të lidhur për tu furnizuar me materialet në fjalë, Krypometër ka kontaktuar me Ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci. Sipas ligjit të prokurimit publik çdo kontratë për blerje të armatimeve kalon nga zyra e Ministrit të Mbrojtjes.
Në një deklaratë për Krypometër të dhënë më datë 17/10/2023, Maqedonici ka mohuar se ka një kontratë të lidhur. “Në procedurat tona të prokurimit nuk ka blerje të tilla”- ka thënë Maqedonci në deklaratën e datës 17/10/2023.
Edhe në faqen e prokurimit publik, Krypometër ka konstatuar se nuk ka ndonjë njoftim për blerje apo kontrata të blerjes së këtyre armatimeve nga Ministria e Mbrojtjes.
|