schema:text
| - Haziri e mban fjalën për raportimin e drejtorëve
Deklarata
Lutfi Haziri: Nuk do të ketë kompromis sepse 90 ditët e para do të jenë të mjaftueshme për të treguar sa janë premtues për 4 vitet e ardhshme t’i realizojnë këto obligime.
Vlerësimi
E vërtetë
Lutfi Haziri e ka mbajtur fjalën për premtimin e dhënë se do t’u kërkojë llogari drejtorëve të emëruar në këtë Komunë. Ai ka thënë se raportimi i tyre do të vazhdojë çdo 90 ditë, mirëpo nuk ka treguar nëse do t’ia marrë besimin ndonjërit prej të emëruarve.
Artikulli
Në ditën kur Lutfi Haziri emëroi drejtorët dhe kabinetin e Komunës së Gjilanit ai bërë një premtim, se çdo drejtor do t’i “nënshtrohet” vlerësimit të punës pas 90 ditësh.
Sipas Hazirit nëse ata këtë gjë nuk e bëjnë dhe nuk tregojnë sukses ata do të ndërrohen.
“Ne jemi pajtu që pas tre muajsh, në prag të 100 ditëshit të parë, partnerët e koalicionit ta diskutojnë rolin, angazhimin dhe suksesin e çdo përfaqësuesi të tyre në qeverisjen lokale dhe në pajtueshmëri të plotë do të merremi vesh se a do t’i vazhdohet besimi apo do të ndërrohen, duke u bazuar në marrëveshje. Nuk do të ketë kompromis sepse 90 ditët e para do të jenë të mjaftueshme për të treguar sa janë premtues për 4 vitet e ardhshme t’i realizojnë këto obligime”, kishte thënë Haziri gjatë një konferencë për medie.
E në lidhje me këtë raportim të drejtorëve KALLXO.com ka kontaktuar Hazirin për të pyetur rreth raportimeve të tyre.
“Drejtorët kanë raportu, e kanë përfundu pjesën e raportit, ato janë bërë publike, ka qenë mbledhje e hapur, raportim me gojë ku është transmetuar në media sociale dhe në radion lokale dhe çdo drejtor ka dalë personalisht dhe ka bërë shpalosjen e programit të vet”, tha kryetari Haziri.
Ai ka shtuar se nëse ata nuk do të raportojnë për 90 ditët e tjera do të shkarkohen nga pozitat.
“Ata do të shkarkohen nëse nuk i realizojnë objektivat dhe nuk punojnë si duhet”, ka thënë Haziri për KALLXO.com
KALLXO.com po ashtu ka shikuar në faqen zyrtare të Facebook-ut të radios lokale “Radio Star” për të vërtetuar fjalët e Hazirit, ku është parë se të gjithë drejtorët e Komunës së Gjilanit në javën e njëjtë të muajit të kaluar kanë raportuar për punën e tyre.
|