Interpretimi i gabueshëm i vendimit të gjykatës nga RTK
Deklarata
Gjykata konstatoi se i pandehuri me dashje ka tentuar t`i privojë nga jeta 2 personat që u plagosën në Shtërpcë
Vlerësimi
Rrenë
Përshkrimi i video “Gjykata konstatoi se i pandehuri me dashje ka tentuar t`i privojë nga jeta 2 personat që u plagosën në Shtërpcë” është i rremë. Gjykata në rastin konkret i ka caktuar masën e paraburgimit Azem Kurtajt nën dyshimin se i njëjti me dashje ka kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë, por në asnjë mënyrë Gjykata nuk ka konstatuar me vendim përfundimtar se vepra është kryer nga i dyshuari dhe atë me dashje.
Artikulli
Më 8 janar 2023 faqja zyrtare në Facebook e Radio Televizionit të Kosovës ka publikuar një video me përshkrimin “Gjykata konstatoi se i pandehuri me dashje ka tentuar t`i privojë nga jeta 2 personat që u plagosën në Shtërpcë”. I njëjti përshkrim është edhe në videon e publikuar në faqen RTK-së në Facebook.
Për dallim nga titulli dhe përshkrimi i videos, në videokronikë në vazhdimësi autori i referohet njoftimit të Gjykatës, e në të cilin thuhet se caktimi i paraburgimit është bërë pasi ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale.
Por, titulli i videos nuk është në përputhje me atë çfarë ka vendosur Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit.
Caktimi i paraburgimi rregullohet me nenin 187 të kodit të procedurës penale. Ky nen përcakton se gjykata mund të shqiptojë masën e sigurisë, në rastin konkret paraburgimin, vetëm nëse gjenë se ekziston dyshimi i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale.
“Gjykata mund të caktojë paraburgim ndaj një personi vetëm nëse në mënyrë të qartë ka gjetur se: 1.1. ekziston dyshim i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale”- thuhet në nenin 187 paragrafin 1, pika 1.1 të kodit të procedurës penale.
Gjykata në rastin konkret i ka caktuar masën e paraburgimit Azem Kurtajt nën dyshimin se i njëjti me dashje ka kryer veprën penale vrasje e mbetur në tentativë, por në asnjë mënyrë Gjykata nuk ka konstatuar me vendim përfundimtar se vepra është kryer nga i dyshuari dhe atë me dashje.
Në këtë fazë të procedurës ekziston vetëm dyshimi i bazuar se është kryer kjo vepër penale, ndërsa deri te konstatimi se vepra është kryer me dashje nga i pandehuri mund të vihet vetëm në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, nëse sigurohen prova.